E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dhëna kontradiktore për riatdhesim

 Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo Integrimit Evropian japin të dhëna kontradiktore për marrëveshjen për riatdhesim. Deri më tani figurojnë të jenë të nënshkruara vetëm 15 marrëveshje riatdhesimi. Riatdhesimi dhe emigrimi ilegal janë dy nga kushtet kryesore të Kosovës për t’u përfshirë në liberalizmin e vizave për të cilat Komisioni Evropian ka kërkuar më shumë përkushtim.

Kosova nuk ka përmbushur as përgjysmë dy nga kushtet kryesore të Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave, pengimin e emigrimit ilegal dhe marrëveshjet për riatdhesim.

Deri më tani figurojnë zyrtarisht të jenë nënshkruar 15 marrëveshje për riatdhesim, përderisa mbeten edhe 13 të tjera të pa përfunduara.

Zëvendësministri Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli ka thënë për Radio Kosovën se nuk ka ndonjë pengesë politike rreth nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, por janë vetëm çështje protokollare.

“Janë nënshkruar 19 marrëveshje dhe mbesin edhe 6 të tjera për t’u nënshkruar deri në vjeshtë. Nuk është e obligueshme që të nënshkruhet marrëveshje riatdhesimi me ato vende të Bashkimit Evropian ku nuk kemi emigrantë ilegalë pra nuk është një kusht kjo “, i ka thënë Kasapolli..

Të dhëna ndryshe ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme, dikasteri që është bartëse e menaxhimit të strategjisë së riatdhesimit.

Dafina Myrtaj nga Departamenti për media në këtë Ministri ka thënë se në proces nënshkrimi janë edhe 3 marrëveshje të tjera riatdhesimi.

“Qeveria e Kosovës ka nënshkruar 20 marrëveshje për ripranim me shtete të Bashkimit Evropian dhe me tri shtete që nuk janë anëtare të BE-së, por janë në zonën Shengen. Jemi në proces për nënshkrimin edhe shtete të tjera, ndërsa në të ardhmen pritet të nënshkruhet edhe me shtet e treta përveç atyre të BE-së”, ka thënë Myrtaj për Radio Kosovën.

Qeveria e Kosovës u ka bërë kërkesa për marrëveshje të riatdhesimit edhe 13 vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Ndonëse nuk është e domosdoshme për procesin e liberalizmit të vizave, Kosova duhet të ketë të nënshkruara në kuadër të kritereve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, marrëveshje të tilla edhe me 13 vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Akomodimi dhe rinintegrimi i personave të kthyer në Kosovë sidomos i komunitetit rom,ashkali dhe egjiptas sipas shumë raporteve është vlerësuar si më i rëndi në rajon. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›