E Martë, 3 Nëntor 2026

Të dhënat nga sistemi TIMS, komisioni hetimor parlamentar zgjedh ekspertët ligjorë

Komisioni hetimor parlamentar për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, zgjodhi të hënën ekspertët ligjorë, të cilët do të miratojnë planin e hetimit të këtij komisioni. Në mbledhje, PS propozoi Dritan Jahajn, jurist dhe Vjosa Bodo Mujon, juriste.

Ndërsa PD propozoi si ekspertë ligjorë, Kreshnik Myftarin, pedagog dhe Henri Bicin, avokat. Anëtarët e komisionit hetimor debatuan edhe lidhur me përfshirjen e Sali Berishës në listën e dëshmitarëve.

Sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Toni Gogu, “Rithemelimi” po përpiqet të bëjë gjyqin e Berishës dhe ta shpallë të pafajshëm.

“Ky nuk është objekt i komisionit, madje e kthen komisionin në qesharak. Është në nderin e këtij komisioni që ne të qëndrojmë në shinat e ligjit. Doni të bëheni ju gjyqtari i Berishës? Ndoshta doni t’i jepni edhe pafajësi, por ky komision nuk e ka në objekt të punës, por merret me hetimin e veprimtarisë së autoriteteve të cilat mbrojnë sistemin TIMS. Nuk është misioni ynë të nxjerrin nga mjedise ku kolegët tanë vuajnë masat e sigurimit që cakton drejtësia. Ne nuk marrim kompetencat e drejtësisë”, tha Gogu.

Ndërsa kryetari i komisionit, Ervin Salianji u shpreh se ky ishte një propozim i deputetes së PS-së, Blerina Gjylameti, e cila në një mbledhje më parë kërkoi që të thërritet si dëshmitar Berisha, Basha e Bardhi.

Duke replikuar mbi këtë argument, Gjylameti tha se “kishte bërë ironi dhe nuk ka kërkuar diçka të tillë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›