Të diplomuarit jashtë: Nuk mund të rrimë në Shqipëri
Një studim i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, EMA, ka arritur në përfundimin se shqiptarët që kanë studiuar jashtë kanë vështirësi për tu integruar në tregun vendas të punës.
Ndër problemet më kryesore të tyre janë kultura e punës dhe korrupsioni. Profesionistët e rinj thonë se kanë problem me njohjen e diplomës nga Ministria e Arsimit si dhe me gjetjen e një pune.
Me gjithë dëshirën për të riatdhesuar personat e diplomuar jashtë, ata kanë pak ose aspak marrëdhënie me institucionet e qeverisë, thuhet në raport.
Mendohet se 1.4 milion shqiptarë kanë emigruar jashtë gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas Ministrisë së Punës, rreth 40 përqind e shqiptarëve me edukim të lartë janë larguar nga vendi në vitet 90, dhe ata që kthehen ndeshen me një mal pengesash burokratike.
Në vitin 2006, me ndihmën e PNUD, qeveria shqiptare ngriti një program për thithjen e trurit (brain gain).
Megjithatë, sipas raportit të EMA, ata persona të diplomuar që janë kthyer kanë dyshime nëse do rrinë në të ardhmen në Shqipëri. 42 përqind e tyre thonë se po avancojnë pak ose aspak në karrierën e tyre, kurse 36 përqind nuk e shohin veten e tyre në Shqipëri në pesë vitet e ardhshme./Balkan Insight