E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Ramës: Po bllokon integrimin, ligjet nuk janë arna dhe as zhele

Topalli pas kthimit nga SHBA: ”Nëse dikush mendon se përmes bllokimit, apo kursit të vjetër, apo politikës së vjetër, të humbin edhe një vit tjetër, kjo do të ishte shumë e rëndë. Kujtoj një frazë të pak ditëve më përpara, të Presidentit Obama në një fjalim të tij, fliste për bllokimin në përgjithësi: Bllokimit i duhet dhënë grushti! Këtë nuk e them unë, e thotë Presidenti Obama”

TIRANË Deklarata e kryetarit të PS-së, Edi Rama, se PS-ja nuk do të ngrejë kartonin jeshil për draftet që duan 3/5-at, duke i cilësuar ato si “arna” ka sjellë edhe reagimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Për kryetaren e Kuvendit, një qëndrim i tillë nuk mund të jetë gjë tjetër veçse bllokim. “...Nuk do të doja ta paragjykoja, por nëse kërkohet tërheqja e drafteve që kërkojnë 3/5 (rekomandime të BE-së), mbi të cilat kanë punuar deputetët e mazhorancës dhe të opozitës, atëherë ky nuk është kurs i ri, por është bllokim. Nuk është kurs i ri, por është bllof. Ashtu siç ka thënë edhe Kiesevetter, pak ditë më parë, bojkoti dhe bllokimi nga opozita ka dëmtuar vendin dhe integrimin, nga bllokimi siç edhe ju vetë e dini, Shqipëria ka humbur dy vite, në aspektin e stacioneve të reja drejt integrimit. Koha nuk pret! Koha nuk të fal me bllokimin!”, - tha ajo. E sapo kthyer nga SHBA-ja, ku mori pjesë në Forumin parlamentar për Demokraci, Topalli ka theksuar se integrimi nuk do kushte. “Nëse dikush mendon se përmes bllokimit, apo kursit të vjetër, apo politikës së vjetër, të humbin edhe një vit tjetër, kjo do të ishte shumë e rëndë. Kujtoj një frazë të pak ditëve më përpara, të Presidentit Obama në një fjalim të tij, fliste për bllokimin në përgjithësi: Bllokimit i duhet dhënë grushti! Këtë nuk e them unë, e thotë Presidenti Obama. Integrimi nuk pranon kurrë kushte. Ne nuk vendosim kushte. Aq më tepër, kur thotë, se ne nuk pranojmë "arna". Ligjet nuk janë as arna dhe as zhele. Për ligjet dhe draftligjet duhet pasur më shumë respekt”,- tha Topalli, duke shtuar se mbi ato drafte kanë punuar si deputetë të mazhorancës ashtu edhe opozitës. “Unë nuk pranoj kurrë, që ta cilësoj punën e opozitës as arnë e as zhele. Mendoj se duhet të kemi shumë respekt për deputetët e mazhorancës dhe të opozitës, për institucionet ndërkombëtare që kanë kontribut financiar teknik të investuar në disa projektligje të rëndësishme”, - tha ajo. Për këtë arsye, Topalli tha se fton Ramën për ta rimenduar edhe njëherë qendrimin. “...Nëse bllokimi vazhdon, secili do marrë pastaj përgjegjësinë e tij. Ne duhet të mendojmë për interesat e kombit. Kombi është mbi partinë, mbi liderin e çdo force politike”, - tha ajo. Topalli ka qartësuar dje se ajo është e gatshme të pranojë propozimet e opozitës për reformën në Kuvend, por vetëm nëse ato i shërbejnë standardeve. “Mazhoranca është e hapur dhe mirëpret, çdo propozim, është e hapur të shqyrtojë çdo propozim që vjen në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të standardeve dhe urojmë që ato të mos bëhen me qëllim për t'u përdorur për bllofin e radhës nga Rama”, - tha ajo. E pyetur se a është standard për të, rikthimi i votimit të fshehtë, Topalli ndryshe nga dy ditë më parë, u përgjigj: “Unë nuk dua të spekuloj mbi hipoteza që mund të ngrihen në ambiente të ndryshme. Nga momenti që do të njihem me propozimet, natyrisht kemi të drejtën për ta krahasuar me standardet e parlamenteve të vendeve demokratike. Natyrisht, unë dua transparencë, dhe ajo që unë admiroj në mënyrë të padiskutueshme, është mënyra e funksionimit të kongresit amerikan, është model i funksionimit të demokracisë, sepse është vendi kampion i lirisë dhe demokracisë dhe këtu besoj se të gjithë kemi konsensus”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›