Të drejtat e fëmijëve, Tirana përzgjidhet mes 6 qyteteve

Gjatë konferencës së djeshme
Tirana është përzgjedhur mes 6 qyteteve të botës për promovimin e të drejtave të fëmijëve. Në prag të ditës ndërkombëtare për ta, konferenca e djeshme kishte në fokus pikërisht mbrojtjen tyre. E organizuar nga fondacioni Fëmijët Shqiptarë, në partneritet të plotë me Ambasadën Polake në Tiranë, Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Zyrën e Këshillit të Europës dhe Zyrën e UNICEF-it në Shqipëri, kjo konferencë e përbashkët për mediat u organizua me qëllim promovimin e seminarit rajonal me temë Demokracia duhet të funksionojë për fëmijët, që do të mbahet në Tiranë më dt. 14 qershor. Konteksti për seminarin ofrohet në kuadër 70-vjetorit të vdekjes tragjike të dr. Janush Korçakut, një pedagog dhe pediatër i shquar polak, i cili me veprën e tij fisnike në mbrojte të të drejtave të fëmijëve u kthye në një kontribut të rëndësishëm për Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, të propozuar nga Polonia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989. Diskutimi i seminarit të Tiranës do të sjellë një angazhim të fortë global për fëmijët, që pritet të jetë rezultat i një konference ndërkombëtare e organizuar për të kurorëzuar Vitin e Janush Korçakut në Varshavë, në fund të viti 2012. Presidentja e fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha, nën kujdesin e së cilës zhvillohet ky event, në fjalën e saj fillimisht falënderoi bashkëorganizatorët dhe ambasadoren e Republikës Polake në Shqipëri, Tatarzinska, që përzgjodhi pikërisht Tiranën ndërmjet 6 kryeqyteteve të botës për të promovuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nëpërmjet zërit të aktivistëve në fushën e të drejtave të njeriut dhe zërit institucional. Roli aktiv i Shqipërisë në këtë angazhim ndërkombëtar vjen në një kohë kur vendi ynë mban presidencën e radhës të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës, duke na dhënë kështu mundësi më të mëdha për të forcuar dimensionet e përbashkëta europiane mbi diskutimin e të drejtave të fëmijëve, tha Berisha.