E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesi i FMN "korrigjon" Lagarde: Respektojmë grekët

WASHINGTON - Një javë pas deklaratave të ashpra të drejtoreshës së FMN Christine Lagarde në drejtim të grekëve dhe krahasimeve me të varfërit e Afrikës, të cilat krijuan reagime të forta në opinionin vendas por edhe jashtë tij, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerry Rajs ka bërë përballjen e parë me gazetarët. 

Gerry Rajs tha se shefja e FMN i ka dhënë shpjegimet e saj në faqen personale në Twitter, por sqaroi se "në fillim të takimit të Bordit të FMN, Lagarde ka shprehur keqardhjen që deklaratat e saj u keqkuptuan dhe shkaktuan reagime, pasi nuk ishte ky qëllimi". 

Ai vazhdoi duke deklaruar se “ne (Fondi) kemi respekt të madh për Greqinë dhe grekët, dhe për sakrificat që ata kanë bërë për të kapërcyer krizën ekonomike”. 

Rajs theksoi se në vitet e fundit FMN-ja ka bërë përpjekje të mëdha për të ndihmuar dhe mbështetur Greqinë në trajtimin e krizës. “Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se Greqia vazhdon të përballet me situata të vështira, por besojmë se nëse të gjithë lojtarët vazhdojnë të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe nëse politikat e drejta të vazhdojnë të zbatohen, Greqia mund të kapërcejë këtë situatë dhe FMN-ja do të vazhdojë të mbështesë Greqinë në këtë përpjekje”, deklaroi zyrtari i FMN. 

Rajs deklaroi gjithashtu se "Fondi konsideron jetike rregullimet e vazhdueshme në Greqi, për drejtësi dhe barazi. Kjo do të thotë që të gjithë të paguajnë pjesën e taksave që iu takon, duke përfshirë të gjithë ata, të ardhurat e të cilëve janë të larta. Për këtë arsye përmirësimi i administratës tatimore është prioriteti i parë në program".
Lidhje te tjera Lagarde: Mendoj për fëmijët në Nigeri, jo për të varfërit në Athinë "Focus": Fati i Greqisë i varur në një fije, më mirë jashtë eurozonës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›