E Diel, 1 Nëntor 2026

1 Qershori, Avokati i Popullit: Të mbrohen të drejtat e fëmijëve

Me rastin e 1 Qershorit, institucioni i Avokatit të Popullit dëshiron të risjellë në vëmendje nevojën e ndërgjegjësimit të shtuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
 

“Në këtë ditë kujtese dhe apeli për të drejtat e fëmijëve, na takon të gjithëve si zyrtarë dhe si prindër, të jemi më nxitës mbi nevojën e garantimit të të drejtave të fëmijëve për mbrojtje dhe kujdes social, si një nga detyrimet dhe përgjegjësitë parësore për të gjitha strukturat qendore dhe vendore të shtetit” thekson Avokati i Popullit.
 

Avokati i Popullit thekson më tej se miratimi i ligjit "Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës" shënoi një hap të rëndësishëm për mbrojtjen efektive dhe përkujdesin e posaçëm lidhur me të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, por ndërkohë autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të angazhohen për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, me qëllim garantimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve.

“Gjatë vitit 2011 Shqipëria ratifikoi gjithashtu Konventën e Këshillit të Evropës "Për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve". Duke parë si të domosdoshëm përmirësimin e mekanizmave të referimit të dhunës ndaj fëmijëve, Avokati i Popullit, thekson se si zbatimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor shqiptar në veçanti legjislacioni penal, ashtu edhe respektimi i akteve ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, janë për të gjitha institucionet e shtetit një përgjegjësi dhe detyrim konstant e i përditshëm” shton më tej Avokati i Popullit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›