Të fshehtat e tua, Edi, të nxisin frikën dhe urrejtjen për policinë
Jeta e dyfishtë, e mbushur me shkelje ligjore, me shmangie nga morali i shoqërisë, me përfolje për tregti ikonash e inkurajim për turli martinash që e turpërojnë Shqipërinë, e nxisin Edi Ramën që në mënyrë konstante të ketë frikë nga policia, bile ta urrejë atë, sa herë ajo regjistron sukses në luftën kundër kriminelëve. Sulmet e djeshme kundër policisë janë një rekord që vërteton se si Edi Rama i urren institucionet e shtetit dhe ëndërron një Shqipëri ku vendos veç morali i tij i jetës jashtë sinoreve të kushtetutës e të ligjit
Çdo njeri ka një mitologji personale me heronj dhe të këqij. Edi Rama ka dëshiruar në të gjithë jetën e tij të jetë një njeri i fortë. Miqësitë e njohura të Edi Ramës me “të fortët” e kryeqytetit, ku gjysma e tyre sot janë në varreza dhe gjysma e tjetër deputetë të PS, ka qenë dhe janë pasojë e një logjike banale, kur nuk je i fortë fizikisht bëhu shok me një fortë.
Edi Rama ka bashkëpunuar me “të fortët” e lagjeve të kryeqytetit për të pasur mbrojtje nga grupet rivale në PS. Madje, këtyre të “fortëve” pas vdekjes u ka marrë edhe dashnoret për partnere. Kjo gjë s’harrohet në këtë kryeqytet me kujtesë të gjatë. Kuptohet vetiu, Edi Rama nuk ka qenë për asnjë ditë të jetës së tij një qytetar model për t’u marrë shembull nga të tjerët. Madje, këtë gjë ai nuk e ka dëshiruar as për vete dhe as për të tjerët. Jeta e dyfishtë e Ramës, si në Francë po ashtu në Tiranë, e mbushur me shkelje ligjore, me shmangie nga morali i shoqërisë, me përfolje për tregti ikonash e inkurajim për turli marrinash që e turpërojnë Shqipërinë, e nxisin në mënyrë konstante të ketë frikë nga policia, bile ta urrejë atë, sa herë ajo regjistron sukses në luftën kundër kriminelëve.
Sulmet e djeshme kundër policisë janë një rekord që vërteton se si Edi Rama i urren institucionet e shtetit dhe ëndërron një Shqipëri ku vendos veç morali i tij i jetës janë sinoreve të kushtetutës e të ligjit. Dhe nuk është e rastësishme që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk ka një asnjë deklaratë publike në solidarizim të Policisë së Shtetit dhe as ka denoncuar kurrë publikisht vrasësit e policëve.
Në tre ngjarjet e fundit ku oficerë të lartë të policisë së Shtetit ranë në krye të detyrës për t’u bërë dëshmor të Atdheut, i vetmi që nuk u solidarizua me Policinë e Shtetit dhe dënuar krimin makabër ishte kryetar i PS, Edi Rama. Përkundër kësaj, kreu i PS synon sa herë të përfitojë kapital politik mbi oficerët e lartë të Policisë së Shtetit të vrarë nga dora e zezë e kriminelëve të përgjakshëm.
Ai deklaron në konferenca për shtyp se policët i vret qeveria. Padyshim Edi Rama për motive të dobëta politike po kthehet në spekulantin e pandjeshëm që i kthen dhimbjet njerëzore në vajtime politike. Kështu ka ndodhur në rastin e vrasjes kriminale të Shefit të Komisariati të Shijakut, Adem Tahiraj dhe shefit të komisarit të Burrelit, Musa Skura, si dhe po sajon ndërlidhje mes krimit dhe qeverisë.
Por krimi i organizuar në funksion të politikës u pa mirë në ngjarjet e 21 janarit, ku njerëzit e thirrur nga Edi Rama sulmuan policët, gardistët dhe kryeministrinë. Ndërkohë ditët e fundit ka arritur të deklarojë se Policia e Shtetit është organizata më e madhe krimit në vend dhe kjo gjë është e papranueshme. Mbrëmë deklaroi se të dy punonjësit e ShIK-ut të vrarë në rebelimin komunist të 1997 dhe të shpallur dëshmorë të Kombit ishin pjesë të një farse. Si do që të jetë, Edi Rama po dëshmon një papërgjegjshmëri të pakufishme për të sulmuar institucionet e Sigurisë Kombëtare. E ka filluar me Forcat e Armatosura, më pas me Shërbimin Informativ Kombëtar dhe Shërbimin Informativ Ushtarak, si dhe së fundmi me Policinë e Shtetit për të goditur në themel institucionet e sigurisë duke instaluar një klime frike. E gjitha kjo për të dalë shpëtimtar i kësaj situate të nxitur dhe nxirë më së miri prej tij. Edi Rama i ka hyrë një loje të rrezikshme antagoniste me shtetin.
Dhe këtë lojë mund vetëm ta humbë.