Berisha-Thaçi: Kosova ecën e sigurt drejt objektivit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare
Zhvillimet aktuale në Kosovë e Shqipëri si dhe përpjekjet drejt perspektivës evropiane e dy vendeve ishin pjesë e bisedimeve mes Kryeministri Berisha dhe homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi. Kështu, gjatë ditës së sotme, kreu i qeverisë shqiptare prit në një takim Kryeministrin Thaçi, ku u theksua bindja se tashmë Kosova ecën e sigurt drejt objektivit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Nga ana e tij, Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej tij për organizimin e një procesi zgjedhor dinjitoz dhe të denjë për shqiptarët. “E informova kryeministrin Thaçi për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe dinjitoz si dhe për vendosmërinë e qeverisë për një proces të civilizuar dhe të denjë. Gjithashtu e njoha me reformat që po ndërmerr qeveria në mënyrë që të përballojë krizën dhe të garantojë rritje ekonomike dhe punësimin e qytetarëve”, vuri në dukje Berisha. Por ndërkohë, ja si do t’i komentonte pritshmëritë e dialogut Prishtinë – Beograd, Kryeministri Berisha. “Paragjykimi nuk shërben, bisedimet dhe marrëveshjet që arrihen mendoj se kanë për ndërmjetës fuqinë politike të Bashkimit Europian. Nuk kam ndonjë arsye që të vihet në dyshim vendosmëria e BE për të parë këto marrëveshje të zbatuara. Që të mund të injorohet se faktorë të shumtë kanë ndikimin e tyre në këtë zbatim, por unë jam optimist. Ajo që mund të arrihet në Bruksel do të bëhet e prekshme nga qytetarët e të dy vendeve. Çështjet për të cilat është rënë dakord janë shumë të rëndësishme”, u shpreh Berisha. Për Thaçin, dialogu është e vetmja alternativë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. “Sot ajo që ka qenë e paimagjinueshme para dy vitesh po bëhet realitet. Jemi në fazë të rëndësishme të demokratizimit të rajonit. Zgjedhje për herë të parë të lira në katër komuna, OSBE do i vëzhgojë, ne do iu shërbejmë qytetarëve. Procesi i stabilizimit të marrëdhënieve ka mbështetjen e plotë të BE. Baronesha Ashton po bën punë brilante”, deklaroi kryeministri kosovar. Gjithashtu, në këtë konferencë të përbashkët është sqaruar dhe një tjetër moment, ai i lëvizjes së shtetasve kosovare në hapësirën “Schengen”. “Konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve dhe nuk mund të mendohet të bëjmë një by pass, këtej të negociohet me Brukselin për vizat e këtej të them unë hajde se ua zgjidh këtë punë. Por lidhur me vizat, për qytetarët kosovarë qëndrimi im ka qenë se do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në kohën e përshtatshme”, vlerësoi Berisha. Por nga ana tjetër, erdhi dhe një shpjegim mbi qëndrimet nacionaliste. “E kam theksuar jemi një komb dy vende dy administrata dhe do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen një kudo që janë. Do bëjmë gjithçka që të bashkohemi me Europën. Një shembull, kur filloi Kryeministri filloi autostradën thanë është nacionalizëm, kur e filluam në Kosovë është nacionalizëm. Kush e kupton kështu nacionalizimin e ka gabim. E ardhmja jonë europiane është autostrada evropiane”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. Ndërkohë që nuk u la jashtë vëmendjes dhe ftesa e kreut të PS-se Edi Rama për një përballje me Kryeministrin dhe përgjigjja e Berishës ishte: “Nuk e mora vesh më ftoi mua apo zëdhënësen time Laura Vorpsin”.
...