Të gjitha ligjet për biznesin, tani në një portal online
Zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, me mbështetjen e projektit të Bankës Botërore, prezantoi dje në mjediset e Hotel Tirana International portalin “Regjistri Elektronik për Legjislacionin e Biznesit”, me adresë zyrtare: http://www.rlb.gov.al. Portali në fjalë është çelur në kuadër të rritjes së shkallës së transparencës, konsultimit, lehtësimit dhe informimit të biznesit. Gjatë prezantimit të këtij saiti, u informua komuniteti i biznesit për shërbimet që ofron portali, strukturën, përdorimin e bazës së dhënave mbi aktet ligjore dhe nënligjore për fusha të ndryshme të biznesit, tërheqjen e mendimit për projekt-aktet, institucionet e përfshira etj. Zv.ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, u shpreh se portali elektronik i biznesit nxit transparencën për të siguruar politika sa më të mira, për të tërhequr mendimin e kualifikuar të shoqërisë civile, të komunitetit të biznesit, dhe, mbi të gjitha, për të siguruar në të njëjtën kohë cilësinë e legjislacionit të propozuar nga qeveria shqiptare. Ai shpjegoi se ky portal do të mundësojë publikimin on-line të të gjitha iniciativave ligjore të administratës qendrore, të cilat prekin drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë biznesin. “Këtu do të gjeni të publikuara ligje, VKM, Urdhra të ministrave, por edhe Projektligjet, Projekt-VKM dhe Projekt-Urdhrat e ministrave përpara se ato t`i nënshtrohen procedurave zyrtare të miratimit!”-tha Bozdo. Në një rubrikë të veçantë përfaqësuesit e biznesit dhe të shoqërisë civile do të kenë mundësi të shprehin opinionin e tyre në lidhje me projektaktet, duke mundësuar një proces të mirëfilltë të konsultimit on-line me të gjitha palët e interesuara. Përfaqësuesit e biznesit, mund të shprehin opinionet e tyre për të gjitha pjesët e legjislacionit, për të cilat kanë vërejtje apo sugjerime. Sipas Bozdos, ky portal është veçanërisht i vlefshëm përsa i përket urdhrave të ministrave, akte juridike të “detajimit të imët”, ku përcaktohen në imtësi detajet dhe procedurat. Për të mirëmbajtur këtë portal, është miratuar një Urdhër i Kryeministrit, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë për ministritë e linjës në përditësimin e informacionit, por edhe AKSHI ka detyrën e vet në mirëmbajtjen e kësaj faqeje.