Rënia e të ardhurave, Financat dy skenarë për buxhetin 2011
Mosrealizimi i planit edhe pas shkurtimit të buxhetit në muajin korrik, pritet të vërë buxhetin e shtetit për periudhën e mbetur përballë dy skenarëve, sipas burimeve në Ministrinë e Financave. Skenari i parë do të jetë një tejkalim i deficitit buxhetor përtej parashikimeve ligjore 3.5 për qind dhe skenari i dytë do të jetë shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike. Me ecurinë e deritanishme të ritmeve të mbledhjes së të ardhurave, zbatimi njërit prej skenarëve është i pashmangshëm. Mirëpo, sipas burimeve në Ministrinë e Financave, qeveria pritet të marrë në konsideratë një mosrealizim tjetër të shpenzimeve publike, se sa të rrisë kufirin e deficitit, pasi, për shkak të krizës që po kalon eurozona, ky do të ishte varianti i palejueshëm. Mirëpo burimet nga Ministria e Financave dhe ekspertë të mazhorancës në komisionin Parlamentar të Ekonomisë sugjerojnë se qeverisë i duhet të mbyllë këtë vit buxhetor me mosrealizim të ardhurash dhe shpenzimesh në të njëjtën kohë. Deficiti buxhetor këtë vit është 3.5% ose 46 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani qeveria ka konsumuar nga kjo shumë mbi 30 miliardë lekë. Mirëpo mosrealizimi i të ardhurave nga ana tjetër e zgjeron edhe më tej deficitin, nëse qeveria vijon të realizojë shpenzimet sipas buxhetit të rishikuar. Me gjithë problematikën që vijon të shoqërojë zhvillimet në buxhet, ndryshimet e pritshme nuk kanë më gjasa të kalojnë në Parlament. Por thjesht buxheti i vitit 2011 mbyllet me një mosrealizim të planit të të ardhurave. Sipas të dhënave të tetëmujorit, mosrealizimi i të ardhurave ka krijuar një boshllëk prej rreth 32 milionë dollarë. Sipas buxhetit të rishikuar shpenzimet publike ulen me 18.4 miliardë lekë dhe të ardhurat me 14 miliardë lekë. Në këtë shumë investimet u ulën me 8.6 miliardë lekë. Duke iu referuar buxhetit suplementar të korrikut, fondi prej 500 milionë lekësh, i cili ishte parashikuar për të kompensuar çmimin e energjisë për familjet në nevojë, u hoq. Kurse fondi i rritjes së pagave u ul me 33 për qind nga buxheti i fillimvitit. Fondi për rritjen e pensioneve ulet me 20 për qind. Deficiti buxhetor, mbetet i pandryshuar në nivelin fillestar, prej 46.8 miliardë lekësh ose 3,5 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke ruajtur dhe objektivin bazë që kemi për ruajtjen e stokut të borxhit në nivelin 60 për qind. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat në buxhet për këtë periudhë rezultojnë rreth 210,6 miliardë lekë. Të ardhurat tatimore, dhe kryesisht ato nga pushteti vendor, kanë sjellë edhe boshllëkun më të ndjeshëm në buxhet. Ndërkohë, shpenzimet arritën në vlerën 241 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor në mbi 30 miliardë lekë. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave dhe nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin, e shtynë Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin e vitit 2011 për pjesën e dytë të vitit. Fondi i kontigjencës për ruajtjen e deficitit, i planifikuar në rreth 3.65 miliardë lekë, deri në fund të muaji korrik është përdorur në rreth 1.31 miliardë lekë në formën e subvencionit, për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël, të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, te njësitë e qeverisjes vendore.