E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjitha në një vend

Në Frankfurt është hapur Panairi tradicional i Librit. Pritet që panairi, që konsiderohet më i madhi në botë, të ketë mbi 300,000 vizitorë, por edhe një numër të madh mysafirësh – yje letrare. Do të ketë edhe shumë biseda për ardhmërinë e librit të shtypur.

Kur në një vend dhe për disa ditë të mblidhen 7,300 botues nga më shumë se 100 shtete të botës, kjo gjë sigurisht që tregon se bëhet fjalë për një ngjarje që premton shumë, por edhe që ofron një rast të mirë për të parë se ç’po ngjet aktualisht në fushën e letërsisë botërore. Gjithashtu, ky është një rast i mirë që të diskutohet për shumë tema që ndërlidhen me letërsinë, botimin, planet, etj.

Sivjet, duket se temë e veçantë e panairit do të jetë zona e brishtë e shitjes së librave të shtypur. Në panairin e sivjetmë të librit, në Frankfurt, që mbahet nga data 10 deri më 14 tetor, priten mbi 300,000 vizitorë. Përkundër epokës së digjitalizimit, ky manifestim edhe tutje mbetet më i madhi i këtij lloji në botë. ka kohë që shumëkush e cilëso si panair medial, dhe ngjarje të madhe kulturore. Megjithatë, dhe përkundër faktit të një digjitalizimi të dukshëm në Panair, libri i shtypur ende mbetet në qendër të vëmendjes.

Por, shitja e librit ka parë edhe kohë shumë të mira se këto të sotmet. Viteve të fundit në tregun gjerman të librit është vërejtur një rënie e shitjes për 10 miliardë euro. Ishte kjo hera e parë që në Gjermani shënohet një rënie kaq e menjëhershme e shitjes së librit. Libraritë klasike ende mbeten të popullarizuara, edhe pse gjermanët gjithnjë e më tepër blejnë përmes internetit. Shumë botues janë në presion. Konkurrentët kryesorë të librave të shtypur janë librat elektronikë (e-book). Shumë autorë tekstet e veta i botojnë në internet; vetë-produksioni duket se është fjala magjike e ditëve të sotme.

Të gjitha këto çështje janë tema për të cilat d të flitet sivjet në Panairin e Frankfurtit. Në fakt, nuk ka asnjë dyshim se kjo fushë ndodhet para ndryshimeve të paevitueshme, megjithëse mendimet se nga duhet të shkohet ndryshojnë. Por, disa fakte dihen që tani: numri i librarive në Gjermani duhet të ulet; Amazon.com dhe web-faqet e ngjashme do të zhvillohen edhe më tej, dhe do të bëhen gjithnjë e më të popullarizuara; librat elektronikë do të përfitojnë një përqindje gjithnjë e më të madhe të tregut. Gjithçka tjetër është vetëm supozim ose spekulim. Kështu, të paktën, thonë ekspertët.

DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›