E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq i gatshëm për dialog, por 'pa njohje'

(E plotësuar) Beogradi është i gatshëm për dialog politik dhe teknik me Prishtinën, por nuk mund të pranojë kushtet që nënkuptojnë njohje të pavarësisë së Kosovës, ka thënë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai i ka bërë këto komente në Beograd, pas takimit me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule.

“Komisionari për zgjerim më tha se nuk ka kushte të reja për vazhdimin e bisedimeve dhe anëtarësimin e Serbisë në BE dhe se dialogu, nëse Serbia merr pjesë në të, do të jetë neutral ndaj statusit (të Kosovës)”, ka thënë Daçiq para gazetarëve.

Ai ka thënë se pret mirëkuptim nga BE-ja për problemet specifike me të cilat përballet Serbia, të ngjashme me Kosovën.

Në një dokument të Komisionit Evropian, të publikuar të enjten, është theksuar nevoja që Serbia të respektojë integritetin territorial të Kosovës.

Daçiqi ka thënë se kërkesa e tillë kërcënon vazhdimin e dialogut.

BE nuk do ndarje të Kosovës

Përmendja e integritetit territorial nuk ka të bëjë asgjë me statusin e Kosovës dhe Komisioni Evropian, në raportin e tij, e ka bërë të qartë se mbetet neutral ndaj statusit, ka thënë komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule.

“Kërkesa jonë do të thotë se nuk duam ndarje të Kosovës”, ka sqaruar diplomati evropian për mediat serbe, siç transmeton Evropa e Lire.

Komentet e tij pasojnë deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se kërkesa e dokumentit të Komisionit Evropian, që Serbia të respektojë integritetin territorial të Kosovës, kërcënon dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Fule ka thënë se përmendja e integritetit territorial nuk do të duhej të ishte befasi, sepse parimin e mosndryshimit të kufijve, sipas tij, e ka theksuar Grupi i Kontaktit qysh në negociatat për statusin e Kosovës në vitin 2005.

Komisionari evropian po ashtu ka theksuar se përkufizimi për normalizimin e marrëdhënieve nënkupton sigurimin e mundësisë që të dyja palët të lëvizin drejt Bashkimit Evropian, pa bllokuar njëra-tjetrën në këtë rrugë.

Brukseli ka publikuar të mërkurën raportin për përparimin e Serbisë drejt BE-së, duke mos i rekomanduar Beogradit datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, por normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›