Të gjithë e dinë emrin e opozitarit që po bllokon Shqipërinë për interesat e tij private
Po të blini më shumë se dy të përditshme të sotme do të konstatoni qartësisht se fokusimi i titujve dhe i shumë shkrimeve është mbi deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, për vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe për Partitë që nuk duhet të nxisin dhunën. Mirëpo një sy tjetër do të lexonte krejt deklaratën për të kuptuar një mesazh ndryshe, po aq të fortë sa thirrja për qetësi. E kam fjalën kur gazetari e pyet z. Kantrimen për përgjegjësinë e politikës shqiptare për zgjidhjen e një sërë problemesh madhore për vendin, si çështja e pronësisë, reforma e gjyqësorit, “rrjedhja e trurit”, e të tjera. Z. Kantrimen u përgjigjet: “Ne nuk kemi parë mjaft udhëheqës politikë që të kenë vullnetin për të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë para interesave të partive të caktuara. Zakonisht udhëheqësit politikë janë të bindur se fitorja e partisë së tyre është e njëjtë me interesin kombëtar”. Ndal! Pikërisht, këtu është epiqendra e çështjes së re shqiptare, i ngërçit politik, që ka dalë sheshit, që disa politikanë kanë prioritet interesat ngushta vetjake përpara aspiratave madhore të një vendi.
Sakaq është e kuptueshme se kujt i drejtohet indirekt mesazhi. Jo vetëm për mbrojtjen që Z. Kantrimen i bën Kolegjit, por më e qartë është kur u drejtohet atyre që nxisin dhunën me revolta e demonstrata. Dhe i vetmi njeri që i ka rënë hasha interesit kombëtar për qëllime kutie është kreu i Partisë Socialiste, që në disa raste është treguar shpërfillës ndaj aspiratave legjitime të qytetarëve të kombit shqiptar. Kështu ne kemi pasur qëndrime pështjelluese të krijuar posaçërisht nga opozita e kryesuar nga Edi Rama sa herë vendi është gjendur në qendër të interesave të mëdha. Mbahet mend shumë mirë protesta e opozitës socialiste kundër qeverisë, në momentin e anëtarësimit në NATO, protestuesit e nxitur digjnin flamurin e Aleancës. Edi Rama dhe disa prej ndihmësve të tij kanë lobuar në Bruksel e gjetkë nëpër Ballkan kundër procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Kanë qenë përpjekje të pareshtura të dërgatave socialiste në Strasburg për të dezinformuar partnerët tanë. Sikurse bënte në Tiranë numri dy i PS-së Gramoz Ruçi dhe deputeti Taulant Balla, të cilët pa asnjë fakt hidhnin hije dyshimi mbi Kartat e Identitetit. Edhe ky doli të ishte jo vetëm një mashtrim për konsum ditor politik, por edhe një strategji apatride. Po kaq të turpshme kanë qenë për shembull deklaratat e znj.Leskaj se po të hiqeshin vizat, shqiptarët do të dyndeshin nëpër Europë, duke krijuar një sindromë emigracioni të paligjshëm, çka përkthehej në frikë ndaj shqiptarëve. Por koha vërtetoi të vërtetën e gjallë, që vizat u hoqën dhe që shqiptarët nderuan rregullat, duke respektuar afatet. Paragjykimi i socialistëve ndaj arritjeve të qeverisë Berisha ka prodhuar situata të rrezikshme për fatet e kombit.
Kujtojmë këtu se Rama është dhe mbetet përgjegjësi kryesor për cënimin e sigurisë dhe qetësisë në demonstratat e dhunshme më 21 janar, ku për fat të keq humbën jetën 4 qytetarë të pafajshëm. Për këtë gjullurdi antikushtetuese të krijuar nga të premtet e zeza të Ramës, shpagimi erdhi më qartë se kurrë. Ndërsa Rama ndihmonte kryetarët e bashkive të qyteteve të mëdha të mbanin postin e tyre, ishte ai në Tiranë që u gjykua më shumë se të tjerët. Qytetarët e Tiranës e ndëshkuan me votë me 8 maj. Sepse askush nuk ia kishte për borxh Atij ato skena barbarie dhe rikthimin e ankthit për jetën, pronën dhe pasurinë e tyre.
Sidoqoftë 8 maji, si e vetmja rrugë për Edi Ramën pësoi kthesën më të fortë për autobusin e drejtuar që ka të shkruar për pasagjerët pa i folur shoferit. Vendimmarrja personale politike kreu të PS-së për të zgjedhur të gjithë kandidatët i solli atij, më shumë humbje sesa fitore. Është e vërtetë që mbrojti shumë bashki të mëdha, por humbi shumë komuna dhe territore të tjera elektoralë, si këshillat bashkiakë të qyteteve të mëdha. Brenda Partisë Socialiste është e vështirë të flitet për fitore, e aq më pak për humbje, ata kanë vegjetuar politikisht. E ardhmja politike e Partisë Socialiste do të vendosen në ditën në vazhdim ku është thirrur Asambleja e PS-së dhe tryeza e opozitës për të vendosur përballjen politike për të dy vitet e ardhshme. Edhe kësaj radhe Asambleja tek “Xibraku” do të jetë sa për të konstatuar “krizën e dytë të krijuar nga zgjedhjet” dhe jo për të bërë një analizë të ftohtë të situatës së partisë. Sa për krerët e “Aleancës për të Ardhmen”, është e kuptueshme që janë vetëm për dekor demokratik, sepse Edi Rama në zgjedhjet që lamë pasi “kanibalizoi” votat e partive të vogla, duke mos u lënë atyre hapësira kandidimi. Marrëdhënia e pasinqertë e Ramës me krerët e opozitës do të diskutohet aq sa u diskutua për dhe mbi kandidatët e përbashkët, pra aspak.