E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi fuqinë e fortë, të butë dhe të mençur

REXHEP MEIDANI

Menjëherë pas zgjedhjeve vendore (ku në Tiranë spikatën dy teknologji fushate: njëra e fortë, tjetra e butë), unë mora pjesë si folës dhe panelist në simpoziumin ndërkombëtar me titull Fuqia e fortë  ndaj asaj…të butë në politikat lokale e globale (Hard Vs. Soft Power in Local and Global Politics- ICD-Berlin). Aty, me anë të internetit, ndoqa dhe mbarëvajtjen e procesit të numërimit. Disa gjëra më krijuan dyshime dhe nuk më lanë shije të mirë. Por edhe ngjarjet e mëvonshme nuk është se ma përmirësuan atë shije!…  Bllokimet e komanduara gjatë procesit të numërimit, ndryshimet e rezultatit në KQZ me një votë praktikisht partiake, pushtimi i hapësirës brenda tij për disa orë nga disa deputetë të PS-së, protestat e përditshme të opozitës jashtë tij dhe, së fundi, vendimi pa dorëza i Kolegjit Zgjedhor, më detyruan që të sistemojë edhe njëherë disa mendime të ekspozuara në Berlin mbi raportin e fuqisë së fortë ndaj asaj të butë në procese të ndryshme, përfshirë dhe ato zgjedhore. Natyrisht, për tia përcjellë pjesërisht lexuesit të gazetës, edhe pse YuoTube-istët do të bëjnë çmos që ta turbullojnë atë…
Fuqia e fortë dhe e ajo e butë
Format konkrete të organizimit, dominimit e varësisë së fuqisë mishërojnë në vetvete bazën e aktivitetit dhe ndërlidhjes së saj në rrafshin politik-ligjor, social-ekonomik, në marrëdhëniet ndërkombëtare etj. Në mënyrë të veçantë, përbërja dhe ndryshimet, pamjet konkrete potenciale dhe kinetike të fuqisë janë të lidhura ngushtë me politika apo skenarë të ndryshëm në realitete konkrete lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Sidoqoftë, arritja apo shtimi i çdo lloj fuqie nuk është pa kosto, përfshirë dhe fitimin e një fuqie të pamerituar, siç u konstatua në zgjedhjet e fundit vendore, në Tiranë! Kjo, me gjithë dëshirën e mirë, do të rrisë kujdesin demokratik deri duke frenuar deri diku vetë procesin e integrimit të Shqipërisë…
Nisur nga fakti që fuqia është pjesë inherente  e shtetit, mund të pohohet lehtë se nuk mund të ketë qeverisje pa fuqi. Kurse, në përgjithësi, roli i elementeve të ndryshme të fuqisë, koercitivë ose jo, nuk është i njëjtë: në një moment të dhënë, një element bëhet i dorës së parë, ndërsa në një moment tjetër ai rezulton gati-gati i parëndësishëm. E njëjta dinamikë pasqyrohet dhe në dallimin midis të ashtuquajturave fuqi e fortë (hard power) dhe fuqi e butë (soft power). Fuqia e butë ka të bëjë me atë lloj ndërveprimi që lidhet me diplomacinë, artin, kulturën, historinë etj. Ajo mund të realizohet, krahas qeverive, edhe nga vetë qytetarët. P.sh., në politikën e jashtme, ajo mund të realizohet edhe nga mjaft aktorë të tjerë (si struktura e institucione ndërkombëtare, OJQ të rëndësishme etj.). Në historinë njerëzore, personalitete të tilla si Gandi, Martin Luter King etj., janë të njohur si përfaqësues të përveçëm të fuqisë së butë. Në kontrast me fuqinë e butë, fuqia e fortë bazohet në imponim e detyrim, madje ajo shfaqet si një fuqi agresive, e realizuar nga kërcënime e trysni fizike-financiare, me anë sanksionesh e diplomaci koercitive, deri dhe me ndërhyrje ushtarake. Në mishërimin e pushtetit politik, fuqia e fortë shoqërohet me përdorim force e dhunë policore; po aq të rëndësishme janë sanksionet ekonomike në ushtrimin e trysnisë për marrjen dhe ruajtjen e këtij pushteti, apo, në përgjithësi, kontrolli e ndikimi mbi sjelljen e strukturave të tjera. Kjo është vënë re edhe tek ne, p.sh., në trysnitë politike mbi institucione të tilla si ai i Presidentit të Republikës, i prokurores së Përgjithshme etj., deri në përdorimin e armëve ndaj protestuesve. Gjithashtu, kohët e fundit, institucione të konsideruara si neutrale (KQZ, Kolegji Zgjedhor etj.), ligjërisht përfaqësuese të fuqisë së butë, janë shndërruar, nën këtë trysni, në struktura përfaqësuese të fuqisë së fortë…
Fuqia e mençur
Sipas Joseph Nye, në administratën Bush, theksi kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare vendosej mbi fuqinë e fortë. Pavarësisht një perceptimi të kundërt, edhe administrata Obama nuk mund të konsiderohet si e butë, në kuptimin e rolit të saj ndërkombëtar. Në fakt, ajo sintetizon atë që quhet sot fuqi e mençur (smart power) – një përzierje të fuqisë së fortë dhe asaj të butë. E tillë, p.sh., ajo pasqyrohet në trajtimin e krizës libiane, apo, në përgjithësi, të pranverës arabe; sidomos me shmangien e përfshirjes së saj të drejtpërdrejtë në Libi, si vend të tretë (krahas Irakut dhe Afganistanit) me popullsi myslimane. Bile, ndryshe nga administrata Bush që, pa arritur në miratimin e një rezolute të dytë, ndërmori ndërhyrjen në Irak. Veçse një gjë e tillë prodhoi në botë një kosto të lartë për fuqinë e butë amerikane, për shtrirjen e lirisë dhe demokracisë amerikane! Konkretisht, administrata Obama nuk hezitoi të përdorë fuqinë e fortë për eliminimin e Bin Ladenit në territorin pakistanez; pra, nga njëra anë, shfrytëzohet fuqia e fortë për raste të domosdoshme dhe, nga ana tjetër, bëhet gjithçka për të bashkëpunuar, për të gjetur mbështetje në popullsinë myslimane, për të respektuar fenë e saj, mënyrën e jetesës, kulturën, traditat etj. Aq më tepër që jo gjithçka mund të fitohet me fuqinë e armëve!… Kjo, edhe pse me anë të armëve mund të garantohet e realizohet mbrojtje dhe liri (si në rastin e popullit shqiptar të Kosovës)…
Deri tani, BE-ja ka mishëruar më shumë një fuqi të butë, ndryshe nga NATO-ja, që në shumicën e rasteve ka ushtruar fuqinë e fortë (por nuk kanë munguar rastet e një manifestimi të fuqisë së butë si p.sh. gjatë administrimit të kampeve të refugjatëve apo ndihmave humanitare në krizën kosovare). Parë në këtë kuptim, Europa duhet ta shfrytëzojë më mirë asistencën ekonomike jo vetëm si shprehje të fuqisë të butë, por dhe si variant të fuqisë së fortë. Ajo duhet të përmirësojë, nga ana tjetër, edhe kapacitetin e saj të përdorimit të forcës së sigurisë. E thënë ndryshe, përveç fuqisë së saj të dukshme si fuqi e butë, ajo duhet të rrisë edhe fuqinë e saj të fortë, për ta kombinuar më mirë me të parën, për të arritur te fuqia e mençur. Njëlloj, edhe për parti politike, gjetja e një raporti të drejtë midis fuqisë së fortë dhe asaj të butë, përzierja e duhur e tyre përbën thelbin e fuqisë së mençur, të realizuar prej kësaj partie, në qeverisje apo opozitë. Kjo duhet pasur parasysh, p.sh., për vetë PS-në në aksionin e mëtejshëm politik pas zgjedhjeve.
Fuqia e butë mund të jetë e fortë dhe fuqia e fortë mund të jetë e butë
Në marrëdhëniet diplomatike, fuqia e fortë mund të shfaqet kur gjatë bisedimeve përfshihet presioni e kërcënimi. Në këtë kuptim, në situata të ndryshme, fuqia e butë mund të jetë e fortë dhe fuqia e fortë mund të jetë e butë. Kështu, p.sh., në kap. V dhe VI të Kartës së OKB-së, çdo rekomandim i dhënë aty mund të klasifikohet si i butë. Problemi ndryshon kur i referohemi kap. VII. Aty, neni 39 i këtij kapitulli mund të konsiderohet vetëm si pikënisje zhvendosjeje nga fuqia e butë tek ajo e fortë; ndryshe nga neni 41, ku masat e ndryshme të theksuara në këtë nen fitojnë një përmbajtje koercitive, por, ama, jo ushtarake. Në mënyrë të qartë, ndërhyrja ushtarake dhe përdorimi i forcës përfshihet në nenin 42 (konkretisht, aty, nëse Këshilli i Sigurimit arrin në përfundimin se masat e parashikuara në nenin 41 rezultojnë të papërshtatshme apo provohen si të tilla, ai mund të vendosë që të ndërmarrë veprime me anë të forcave ajrore, detare e tokësore, si të gjykohet e nevojshme, për të ruajtur apo rivendosur paqen e sigurinë ndërkombëtare. Aksione të tilla mund të jenë demonstrime force, bllokadat apo operacione me anë të forcave ajrore, detare e tokësore të shteteve-anëtare të OKB-së). Hollësitë për këto të fundit, përfshirë ndërhyrjen ushtarake, përmbahen në nenet pa

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›