Të jetosh në saraf
Nisur nga parimi vetjak elementar për mbrojtjen e lirisë, të drejtës dhe privatësisë time, të cilat i konsideroj të pacenueshme, jam i shtrënguar ti përgjigjem kujtdo, që për një arsye a një tjetër përpiqet të më njollosë, të hedhë hije e të më përflasë pa argumente, qoftë edhe duke më përfshirë si ilustrim për skema diskursive. Një cenim të tillë e bëri publicisti Fatos Lubonja në shkrimin e tij të pardjeshëm tek Panorama me titull Partitë dhe intelektualët pranë tyre. Z. Lubonja ka peshkuar një temë të rëndësishme për shkrimin e tij (dhe njëmend e tillë është), nisur nga debati me shkas rastin Kongoli dhe polemikat rreth pastrimit të ndërgjegjes. Për ti funksionuar skema me intelektualë pranë partive të tyre, z. Lubonja më ka përfshirë, ndër të tjerë, dhe mua, si rast ilustrues në shkrimin e tij. E quaj thellësisht të padrejtë dhe të pandershme alibinë që ndërton z.Lubonja me mua, ndaj po provoj (pardon) me këtë shkrim, se unë skam vend e smë jetohet në skemën e burgut mendor ku ai më ka caktuar të ngrys ditët. Sepse, përveç diktaturave klasike që njohim, ekziston një tjetër diktaturë, tashmë nihiliste, që synon rrafshimin, totalizimin dhe përfshirjen në vlerë negative të individit, nëpërmjet atentatit që i bëhet imazhit të tij publik, pa fakte, pa argumente. Dhe kjo është diktatura e opinioneve arbitrare, të përftuara përmes shpifjeve, gojëdhënave e keqleximeve me dashje. Këtë shoh se bën Lubonja me mua në shkrimin e tij. Mbi çfakte vallë më ka përfshirë z. Lubonja për të ilustruar skemën e tij? Le ti shohim sipas radhës.
Lubonja merr si të mirëqena në polemikën time me A. Klosin gjuajtjet nën bark dhe akuzat e ndërsjella për tarafe intelektuale, për ti dhënë mandej të drejtë vetes të vendosë automatikisht shenjën e plotë të barazimit midis nesh si intelektualë pranë partive të tyre. Ndërsa mungesën e kritikës ndaj qoftë edhe një aspekti të politikave të Berishës, Lubonja ma faturon, ndër ta, edhe mua …si frikë se mos humbasin dashurinë e besimin e liderit apo të grupit me të cilin identifikohen e, bashkë me të, edhe privilegjet e përfitimet. Është paradoksale, se një mënyrë kaq banale e vulgare, tejet e politizuar e gjykimit, për çudi ngjit në popullin që nuk na njeh, përveçse nga shkrimet e gazetave. Është një arsyetim vulgar, i politizuar skajshëm, për të shpjeguar shumëkënd në kontekstin e gjatë socio-politik shqiptar dhe për ta varrosur këdo brenda kornizave të një imazhi të krijuar artificialisht. Atëherë çfarë mbetet? Duke ia bashkuar Lubonjën shpifjeve të Ardian Klosit ndaj meje, se gjoja privilegjet e mia rrokin nja 6-7 poste, atëherë duhen kërkuar njëmend këto privilegje, që mi paska dhuruar pushteti apo lideri i partisë pranë së cilës më vendos mua z. Lubonja. Dhe, nga gjithë ky kërkim, ballëdjersitur, ndalemi përpara vetëm njërit: mandati im në KD të RTSH, me vlerë prej dyzetë mijë lekësh të reja. Po, po, sall ky mandat! Në mos, bëjini apel kurajës suaj intelektuale dhe numërojini publikisht ku janë privilegjet! Përndryshe, ju mbetet gjithçka shpifje dhe shpifja nuk ia rrit askujt as reputacionin, as famën e luftëtarit për drejtësi. E, meqenëse në gjithë kambanat për privilegjet e mia, që janë përfolur (ndonëse kemi një Institut të Deklarimit të Pasurisë ku mund të merrte gjithkush mundimin të informohej), nuk del gjë tjetër veç mandatit në RTSH, atëherë është e udhës të sqarohet se ky privilegj më është bërë me zgjedhje nga Parlamenti, në mënyrë të ngjashme me të njëjtin mandat (të braktisur më vonë) të Lubonjës, i cili gjithashtu është votuar edhe nga deputetë të djathtë. Si shumëkush tjetër, edhe Lubonja e di se puna ime qendrore, prej së cilës nxjerr me djersë të ndershme bukën e përditshme për familjen time, ka qenë vazhdimisht puna e pedagogut në fakultet. Siç dihet gjerësisht, edhe në rastin tim, ndonëse me një shkollim që përfshin 3 universitete brenda e jashtë Shqipërisë, aty, që nga viti 2002 nuk më ka emëruar partia, aq më pak Partia Demokratike. Ku pra qenka privilegji? Po frika se mos e humbas këtë privilegj? Unë mendoj, se nëse ka ndonjë goditje nën bark, është pikërisht kjo histori banale me fantazma privilegjesh. Prandaj, duke i konsideruar fyerje të rënda shpifjet e papranueshme, se gjoja privilegjet e mia rrokin 6-7 poste, mbeten dy mundësi: ose gjejini dhe të vërtetohen tezat tuaja me skema e unë mbyll gojën, ose nëse ato janë sajesa, të paqena, bie vetvetiu edhe frika, edhe varësia nga këto farë privilegjesh dhe, në këtë histori, kam luksin dhe kurajën të vështroj gjithkënd në sy, sikundërse e kam mbarë gojën për ta shqiptuar të padeformuar mendimin tim, jashtë varësisë nga rrethana, persona apo parti, pavarësisht se nuk kam privilegje lehtësuese në sfond në trajtë shtëpish jashtë Tirane, makinash, pushimesh të zgjatura në rivierat e huaja, shtëpish botuese, fondacionesh private a shtetërore etj, etj. Është maksimalisht e thjeshtë: unë firmos në një bordero të caktuar, në një punë të caktuar, që është Universiteti Publik Shtetëror, i pavarur, me autonomi (jo i kohës së Ramiz Alisë). Kaq. Po ju? Madje ta marrësh hollë-hollë, edhe këto shkrime nuk i shkruaj për honorarë dhe nuk e kam këtë frikë apo varësi nga shtypi i lirë, siç mund ta ketë vetë z. Lubonja varësinë ekzistenciale prej po këtij shtypi, të cilin e quan regjim mediatik, pa ngurruar të jetë vetë ndër protagonistët e tij qendrorë. Mbase në këtë truall të begatë mediatik do tia vlente ti kërkonte privilegjet z. Lubonja, madje privilegje partiake që rrokin shuma astronomike. Mua nuk më kanë ardhur ndonjëherë zotërinj me çanta plot dhe oferta të kushtëzuara për kontrata të majme mediatike, ndërsa Lubonjës po. Atëherë, për çfarë privilegjesh partiake më akuzon mua z. Lubonja? Ndaj, kam kënaqësinë të shpall, përkundër çdo shpifjeje e përkundër çdo skeme, më saktë, përtej z. Lubonja, se ekzistenca ime nuk ka gjalluar kurrë prej parash të dyshimta apo të fituara me servilizëm, andaj nuk ia kam për borxh askujt të hedhë baltë, të më përflasë pa fakte, të më përfshijë në skema për diskutim gjithëpopullor, të jem viktimë e perversionit mendor që më përlyen me çdo kusht në shkrime, të cilat, përveçse denigrojnë, kanë të garantuar me kontratë honorarin. Ky qenka mendimi i lirë? Pozicioni asnjanës?
Atëherë, jashtë alibive banale të përfitimeve, privilegjeve dhe frikërave nga lideri e pro-pushteti, mbetet veçse mendimi, shqetësimi real i shprehur në pajtim të plotë me pikëpamjet e mia dhe lirinë time individuale. Të paktën unë kurrë nuk kam qenë kontradiktor me veten dhe idetë e mia përgjatë këtyre 20 vjetëve. Kam pasur të ngulitur po atë botëkuptim të djathtë, po atë ndjeshmëri, se në këtë vend, pas përvojës gjysmëshekullore të stalinizmit shqiptar, njëlloj si pas Aushvicit, nuk kam parë as moral, as arsye për të qenë i majtë. Nëse dikush ka arsye, përpiqem ta kuptoj e mirëkuptoj arsyen e tij. Atëherë, pse kihet frikë të diskutohet pikërisht me idetë dhe vizionin dhe pse gjithë ky zell për ta shmangur e çaktivizuar problemin e madh të ndërgjegjes sonë të gërbulur në krime? Jam munduar tu qasem problemeve të ndërgjegjes dhe trashëgimisë komuniste në shkrimet e mia edhe nëpërmjet kritikave, edhe nëpërmjet përvojës europiane, brenda vizionit botëkuptimor të së djathtës, shpesh duke kritikuar edhe pushtetet e djathta. Pse bën sikur nuk e di z. Lubonja? Sigurisht, unë nuk e kam luksin dhe mundësitë e tij për ta shtruar problemin nga shumë plane nëpër studiot e shumta ku ai merr pjesë çdo natë. Nuk e kam as përvojën e tij martire dhe unikale, para së cilës përulem me respekt dhe jam munduar ta dëshmoj konkretisht, me aq sa kam mundur. Por ajo që e bën inkoherent me veten Lubonjën ndër vite, brenda vizionit të tij, nuk ka ngjarë asnjëherë me mua.
Prandaj, nëse z. Lubonja do të duhej të merrej seriozisht në polemikën time me A. Klosin,
