E Diel, 1 Nëntor 2026

Me pranverën arabe na u rrit optimizmi se në fund të fundit, demokracia fiton gjithmonë

27-06-2011 / Nga Frencis Fukuyama (Global View Point Network)

Shumë rrallë mendimi oksidental mbi evolucionin politik ka ditur të njohë rolin zbulues të Kinës. Problemi, në një pjesë të saj është se historia e Kinës është aq e gjatë dhe komplekse që duket se është e vështirë ta kuptosh në gjithësinë e vet. Në Oksident dihet shumë pak për atë çka ndodhur në Kinë përpara shekullit XX. Dihet pak a shumë mbi dinastinë Qing, dinastia e fundit e rrëzuar nga revolucioni nacionalist i fillimit të Nëntëqindës. Kur oksidentalët mendojnë Kinën historike, njohuritë e tyre nuk shkojnë përtej 300 viteve të fundit.
Kjo paraqet një problem të madh sepse dinastia Qing, në atë moment të veçantë historik, ishte tashmë e rënë dhe e fosilizuar. Natyrisht, Kina ka njohur një dekadencë jo vetëm përgjatë dinastisë Qing, por edhe periodikisht në 2500 vjet të historisë së saj. Pra, kur bëhen deklarata të qëndrueshmërisë së institucioneve të saj nevojitet të përcaktohet se cilës periudhë të veçantë historike i referohesh. Në total kishte të drejtë prof. Samuel Huntigton kur thoshte se Oksidenti ka shumë për të mësuar nga qytetërimet e tjera, dhe se, edhe pse s’kanë një ekonomi të zhvilluar, vende si Kina dhe India kishin prapëseprapë diçka të rëndësishme për të na mësuar. Për shembull, kinezët kanë ditur të organizojnë një burokraci qeverisëse të një shkalle të lartë, më të lartë sesa ajo oksidentale.
Të mësosh nga eksperienca të tilla bëhet një ekzigjencë në momentin kur këto vende shndërrohen në fuqi globale dhe nevojitet të kuptojmë më thellë pikat e fuqisë dhe dobësive të tyre. Midis problemeve që prekin SHBA-të është edhe ajo që nevojitet të kuptohet nga pjesa tjetër e botës, pikërisht pse Amerika ishte fuqia dominante dhe anglishtja gjuha pothuajse universale. Bota ka ndryshuar, por amerikanët kanë ende vështirësi për të rikuperuar kohën e humbur. Duke folur për SHBA-të kam dëshirë të ndaloj në konceptin e “neo-konservatorëve”. 
Mbi të gjitha, nuk ekziston një lëvizje e identifikuar dhe e krahasueshme, për shembull, me lëvizjen komuniste. Nuk ka qenë kurrë e strukturuar. Bëhej fjalë për një grup intelektualësh që ndanin një vizion të caktuar të botës. Nuk ekzistonte një vizion neo-konservator mbi ekonominë. Përkundrazi, Irving Kristol, që ishte babai i neo-konservatorëve, shkroi një libër të titulluar “Dy duartrokitje për kapitalizmin” në të cilën argumentonte se kapitalizmi kishte disa ide të mira, por pa mohuar që moralisht ishin të diskutueshme. Megjithatë nuk duhet të përziejmë neo-konservatorizmin me liberizimin ose reganizmin, sepse nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Lëvizja doli në dritë në vitet ‘30-të, kur u prodhua një çarje mes komunistëve dhe simpatizantëve të saj, nga një anë, dhe në anën tjetër gjendeshin ata besonin në ekzistencën e vlerave demokratike universale. Unë në këto vlera besoj ende sot. Kritika ime themelore bazohet në mënyrën sesi neo-konservatorizmi është evoluuar, duke filluar që nga viti 2000 e këndej pari, fuqia amerikane bazohet kryekëput vetëm tek fuqia ushtarake, që sipas meje është një instrument i kufizuar dhe nuk është përdorur më së miri në Irak dhe në luftën kundër terrorit.
Megjithatë mbetet një mendim imi, i palëkundur, se demokracia paraqet një vlerë universale dhe se fuqia amerikane mund të ketë efekte pozitive, nëse përdoret me qetësi. Deri më tani të gjithë pyesin nëse Amerika ka fituar ndonjë gjë nga eliminimi i Bin Laden. Nuk besoj se Al-Kaeda ka pasur ndonjë herë një rol politik të qenësishëm edhe përpara se të vritej Bin Laden.
Siç kemi parë kohët e fundit, sot vendet arabe kanë nisur një rrugë drejt demokracisë dhe luftojnë kundër regjimeve diktatoriale. Në një farë mënyre, vrasja e Bin Ladenit doli të ishte më e pëlqyeshme për amerikanët sesa për çdo njeri tjetër në Lindjen e Mesme. Ajo që sot rrezikon të korruptojë dhe të degradojë vetë institucionet është mënyrë për të përballuar krizat kritike financiare. Kriza e borxhit sovran tashmë ka destabilizuar  Bashkimin Europian. Përveç kësaj, kriza financiare nuk është vetëm një problem themelor për Europën, por edhe për Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. 
E vetmja mënyrë për t’i dhënë drejtim krizës është që të rishikohet kontrata sociale mbi të cilën mbështetet bota moderne demokratike, sepse modeli i vjetër nuk është më i qëndrueshëm. Kjo kontratë është lidhur kur jetëgjatësia ka qenë shumë më e ulët dhe lindshmëria ka qenë në nivele shumë më të larta sesa nivelet e aktuale. Sot, megjithatë, ne jemi përballë një zhvendosje demografike që filloi gjatë brezit të fundit, që do të thotë se nuk ka më shumë punëtorë të rinj, që të jenë në gjendje të mbajnë pensionistët me standardin e jetesës që janë mësuar dhe që janë garantuar deri më tani. Prandaj është e nevojshme një rinegocim. Nga ana tjetër, ka shumë vende, si Greqia, e cila nuk është angazhuar kurrë me të vërtetë në liberalizimin e tregut të punës, dhe as ka bërë reformat e  nevojshme për të përmirësuar produktivitetin. Rënia e konkurrencës duhet të trajtohet së bashku me miratimin e masave të rrepta për çështjet e taksave. Kriza në Europë është e thelluar nga fakti se nuk ndjehet një ndjenjë solidariteti europian. Gjermania ngurron të marrë një rol udhëheqës. Shpesh një nivel i lartë i besimit brenda një shoqërie përkthehet në një nivel më të ulët besimi ndaj atyre që shihen si të huaj për të. Mund të jetë ky rasti Gjermanisë.
Gjermanët ishin në gjendje për të përballuar nevojën për reforma të suksesshme ekonomike. Kam liberalizuar tregun e punës dhe në 10-15 vitet e fundit konkurrenca e tyre ekonomike është rritur ndjeshëm. Sot ata presin që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kur kjo gjë nuk ndodh, ata nuk ndihen për të demonstruar solidaritetin e tyre. Kjo konfirmon tezën time se sigurisht ekziston solidariteti në aspektin kombëtar, por jo në një kontekst të gjerë europian.
Duke shqyrtuar evolucionin politik në një periudhë të gjatë kohe ndjehet qartësisht lindja e institucioneve, dhe shpesh është rezultati i rrethanave aksidentale. Në një kuptim, në shekullin XI, Kisha e Romës themeloi një perandori të kohës, në mënyrë që të ruante kështu pavarësinë e vet, ndërsa në Angli, lindja e demokracisë erdhi për shkak të mbijetesës së institucioneve feudale: qeveria parlamentare u zhvillua nga nevoja për të balancuar kompetencat e forcave të vjetra dhe të reja.
Në studimin e historisë duhet ta bëjmë të qartë se institucionet janë edhe rezultat i disa rastësive të lumtura. Por jam i bindur se, kur një formë institucionale dëshmohet si e qëndrueshme e efektive dhe konsiderohet legjitime, ajo tenton përhapjen. Kjo ndodhi me demokracinë në vitet e fundit. Revoltat e fundit arabe, të cilat kanë zgjeruar demokracinë në mënyrë "organike", duhet të jenë një mësim për ne amerikanët dhe të kuptojmë se çfarë kufijsh hasim kur ne propozojmë të eksportojmë demokraci në vendet e tjera dhe për të vendosur institucione demokratike në shoqëri të tjera.
Pastaj është çështja e parave dhe e marrëdhënieve të saj me demokracitë. Unë nuk jam i sigurt nëse ka pasur ndryshimet në këtë kuptim, sepse politika dhe të hollat kanë qenë gjithmonë të lidhura ngushtësisht. Në shoqëritë më pak të zhvilluara, ekziston sistemi i patronazhit klientelist, e cila është një fenomen universal në politikë. Për disa mënyra, në shumë shoqëri europiane dhe të Amerikës së Veriut sot politika është shumë më pak e korruptuar sesa njëqind vjet më parë.
Nga ana tjetër, politika e bazuar sipas grupeve të interesit ka zëvendësuar format e mëparshme të patronazhit klientelist, duke i shkaktuar dëme të mëdha në legjitimitetin e sistemit demokratik. Unë jam i bindur se në këtë drejtim sot demokracia me të vërtetë po përballet me një problem të madh.
Tani jam duke parë çfarë po ndodh në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Më kujtohet përvoja ime me Kolonel Gedafin. Nuk është e vërtetë, siç kanë thënë, se unë kisha detyrë për të dhënë këshilla. Ai donte të më takonte, sepse ai kishte lexuar librat e mi dhe kemi patur disa takime. Në atë periudhë, të gjithë shpresonin për një liberalizim të mundshëm të shoqërisë libiane, kështu që kam menduar se Gedafi do mund të mësonte diçka nga debatet tona, por që herët kuptova se ai ishte armiqësor ndaj çdo forme evolucioni. Ai nuk është i hapur ndaj çfarëdo ideje të re. Pika e kthesës është kjo: ekziston shpresa që një autokrat të kthehet në një lider demokratik?
Kjo ka ndodhur aty ku sundimtarët autoritarë kanë hequr dorë vullnetarisht nga pushteti ose kanë nisur një hapje të habitshme. Mendoj për Afrikën e Jugut, për Turqinë. E përgjatë viteve kemi parë të zhvillohen në këtë drejtim shumë vende, nga Europa Lindore tek ish-Bashkimit Sovjetik, ku askush nuk priste të aktualizohej një liberalizim.
Nuk dihet paraprakisht, kur kjo do të ndodhë, nëse nuk je drejtpërdrejt me këto vende për të vlerësuar nëse ekziston një interes për të ndryshuar kurs. Drejt gjysmës së dekadës së parë të këtij shekulli, Gedafi hoqi dorë nga programi i armëve atomike. Shtetet e Bashkuara e hoqën nga lista e vendeve mashtrues sepse kishte kohë që ai e kishte braktisur garën për armë bërthamore. Vlen për t’u eksploruar çfarë kufijsh kanë këto reforma.
Pyes veten shpesh mbi të ardhmen e demokracive, dhe kam një optimizëm që kur kam shkruar librin “Fundi i historisë”. E gjitha varet nga konteksti i përkohshëm. Pyetja themelore që pyesja veten atëherë ishte: “ekziston një proces modernizimi që të çon në demokraci, duke kontribuar kështu në përmirësimin e jetës? A jetohet më mirë në demokraci? Për mua, përgjigja e kësaj pyetje është gjithmonë po. Në një periudhë afat shkurtër, d.m.th mbi pesë-dhjetë vitet e ardhshme, gjërat mund të marrin një kthesë shqetësuese. Sigurisht, pas 11 shtatorit, ekstremizmi fetar i ka shkaktuar goditje të panumërta demokracisë. Por sot Pranvera arabe mund ta kthejë erën, ose për të marrë një mënyrë krejt të ndryshme, pyetja mbetet: “Në periudhë të gjatë kohore, a ka progres në histori?”. Mbi këtë pikë unë mbetem i pandryshuar dhe gjithë optimizëm. Por është mbi kontekste më të gjera, që ne duhet të pyesim ku do të shkojë qenia njerëzore. Në sprovën “Post-Njeriu” kam shkruar se nuk mund të ketë një fund të historisë pa fundin e shkencave të natyrës moderne dhe të teknologjisë. Por nuk ishte një skenar all-Frankenstein. Ajo çfarë do të ndodhë në të ardhmen do të jetë i ngadalshëm; grumbullimi i njohurive në fushën e bio-mjekësisë, do të na lejojë për të manipuluar sjelljen e njeriut në mënyra krejtësisht të reja. Sfida qëndron pikërisht këtu. Duhet thënë se shkencat bio-mjekësore do të adresohen veçanërisht për qëllime terapeutike, dhe këtu ne jemi të gjithë  dakord. Por zgjedhjet politike duhet të diktohen nga konsiderata të veçanta mbi rrezikun që këto teknologji, duke u përdorur për qëllime të pahijshme, nëpërmjet inxhinierisë gjenetike, me abuzimin e klonimit dhe kështu me radhë. Unë nuk jam domosdoshmërisht optimist kur bëhet fjalë për teknologjinë. Jam i bindur se ajo duhet të rregullohet, por sot në veçanti në Shtetet e Bashkuara preferohet të mos ketë ndonjë detyrim. Megjithatë jam i bindur se ne duhet t’i bëjmë.
Përgatiti: Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›