Te kjo jetesë e botës në rrjet
Perandoria e mjeteve të mëdha të informacionit, që spikati me sensin e saj unik, solli një shpërhapje të panjohur më parë të informacionit. Ndërkohë që shoqëria në rrjet është diçka krejt e ndryshme, ajo thekson vlerat e lidhjeve, bashkëndarjes, komunitetit, në krahasim me konceptin e kulluar të informacionit apo njohjes. Pra, kemi të drejtë të mendojmë vërtet për një ekonomi të re të lindur prej internetit dhe rrjeteve? Në fillimet e veta bëhej fjalë për një fenomen kompleks, turbulent, në pjesën më të madhe të paparashikueshëm, por me një identitet të saktë. Me kalimin e viteve, një përkufizim i tillë ska arritur dot të qëndrojë. Aq më tepër që edhe në këtë rast pozicionimi nuk na ndihmon e analiza do të qe më pak e pështjelluar nëse nuk do të bëhej një krahasim midis ekonomisë së re dhe asaj të vjetër, sikur të kishim përballë dy humanitete të ndryshme: njëra që e imagjinon veten të iluminuar dhe moderne, novatore e teknologjike, e tjetra që konsiderohet më e mençur dhe më konkrete, e mbështetur te gjykimi i shëndoshë.
Edhe pse shumë sociologë flasin për pikënisje të rëndësishme (siç janë lindja e inteligjencës kolektive), përsëri ende nuk është realizuar kalimi i gjithë shoqërisë në një stad më të lartë, në zinxhirin e saj logjik të përparimit, prej informacionit kah njohjes, e në fund kah inteligjencës. Po njëlloj mund të themi edhe për ndryshimet e mundshme të ekonomisë, ku theksohet se ajo që është e përsëritshme, sekuenciale, një kopje a një automatizim, do të priret gjithnjë e më shumë drejt të qenit falas, ndërkohë që do të fitojnë më shumë vlerë inovacioni, origjinaliteti dhe fantazia.
Gjithsesi, nuk jemi aspak në pragjet e një fantazie, shumë kahe e premisa po ravijëzohen dalëngadalë, por që ato të bëhen një realitet i jetuar dhe i shpërndarë në të gjithë botën, duhet kohë, durim e, mbi të gjitha, fitimi i një kulture të drejtë të së resë. Forca më e madhe e kësaj hipoteze qëndron në faktin se nuk kemi të bëjmë me një ekonomi thelbësisht të re, por me një ekonomi që bazohet në vlera dhe përvoja të rrënjosura thellë në historinë e njerëzimit. Sistemet e reja të komunikimit nuk krijojnë një kulturë të re njerëzore, një ekonomi të re apo dhe një shoqërie të re. Ato bëjnë të mundur vetëm zhvillimin e prirjeve, sjelljeve dhe marrëdhënieve që na lejojnë të krijojmë një pasuri të re. Ja se si shprehet Kevin Kelly, njëri nga të parët që pat profetizuar kapërcimin e shoqërisë së informacionit në atë të njohjes, që në vitin 1997. Evolucioni dixhital sot është në gojën e të gjithëve. Por, nën turbulencën e rrjedhës kah së ardhmes, që shtyn pareshtur vorbullën e buxheteve teknologjike dhe gjërave që lipset të kihen patjetër, po lëviz ngadalë një evolucion ende dhe më i thellë: ekonomia e rrjetit, e lidhjeve. Kjo ekonomi emergjente përfaqëson në vetvete një tronditje tektonike të të gjithë komunitetit njerëzor, një ndryshim social që riorganizon gjithë jetën tonë shumë më tepër se sa mund ta bëjë thjesht përdorimi i teknologjive. Ajo afron mundësi të shumta e ka rregulla të reja, krejt të vetat. Kush do të dijë të luajë sipas këtyre rregullave të reja, do të ketë sukses; kush nuk do të dijë ta bëjë një gjë të tillë, do të dështojë.
E gjitha kjo mund të duket enfatike, pasi autori që i shkruan këto radhë bën pjesë në një komunitet kulturor (i ashtuquajtur Silicon Valley), që prej dekadash lëviz nëpër rrjete si në shtëpinë e tij dhe e konsideron interaktivitetin elektronik si një sjellje të zakonshme dhe natyrale. Gjithsesi, te kjo jetesë e botës në rrjet, është bota kah së cilës po drejtohemi dhe pragu i kulturës që po kërkojmë të kultivojmë. Veçse krahasuar me gjithë këtë vizion, pengesa e parë që duhet rrëzuar është braktisja e nostalgjisë për të shkuarën, ose, e thënë ndryshe, kuptimi i një gabimi që nuk është vetëm i një komuniteti të caktuar, por një simptomë e padijes mbizotëruese të nomenklaturës sonë kulturore. Shumica vazhdojnë ta shohin internetin ende dhe sot si një tjetër mjet më masiv informacioni për ta përdorur si ata që njohin, ose si një tjetër mjet publiciteti mbarëbotëror. Një mënyrë, në dukje e thjeshtë, për të shmangur të menduarin dhe të mësuarin, ose për ta sjellë të renë brenda skemave të së vjetrës. Një tjetër treg ku mund të nxirren fitime, pa vrarë kohën për të kuptuar diversitetin e tij. Mirëpo e vërteta nuk është aspak kështu. Kjo mënyrë e të arsyetuarit nuk është gjë tjetër veçse transferimi i logjikave të vjetra mbi internetin dhe rrjetet: e ky ka qenë njëri nga shkaqet themelore të moskapacitetit të bizneseve, institucioneve dhe sektorëve të tërë të shoqërisë, për të kuptuar se si duhet ta përdorin rrjetin për të bërë një hop cilësor e për të përmirësuar konkurrueshmërinë. Për rrjedhim, hapi i parë i volitshëm do të qe kuptimi se interneti, ashtu siç nuk është një botë më vete, nuk është as edhe një rutinë më shumë për të bërë të njëjtat gjëra. Ndërsa hapi i menjëhershëm që duhet të vijojë gjendjen e sheshuar nga braktisja e nostalgjisë, do të qe mosmbërthimi nga frika apo paniku.
Rreziku më i madh është të mos përballesh me asnjë rrezik, mëson David Ogilvy, një autor i njohur i rrjetit. Nuk ka pasur ndërmarrje të suksesshme, në politikë e në kulturë, në shkencë, ashtu si dhe në ekonomi, që të mos jetë përballur me një rrezik të frikshëm në një çast të caktuar të historisë së vet. Vetëm se rreziqet që përballen, sepse ke zgjedhur ti përballësh, afrojnë shumë më tepër mundësi suksesi se sa ato të kryera nga perceptimi i mosmbylljes në taktika mbrojtëse ndaj zhvillimeve të tregut ose kur për ti shpëtuar kësaj frike, bie në probleme të reja që nuk i kishe më parë. Nëse ke frikë, do të thotë të ruhesh nga rreziqet, personat më të guximshëm të të gjitha kohërave na mësojnë se kjo është e nevojshme. Por, nëse të kesh frikë do të thotë të ngurrosh, të shmangësh përgjegjshmërinë e të vendosurit, të kërkosh zgjidhje qetësuese në vend të atyre që nevojiten vërtet, atëherë mund të arrish të kuptosh shpejt se rruga e rrezikut kalon nëpër mundësitë e parrokura. Shumica e studiuesve të teknologjive të reja tregojnë se gabimi më i madh i ndërmarrjeve publike dhe private konsiston në blerjen e kompjuterëve dhe sistemeve të papërshtatshme për kërkesat, qëllimet dhe mundësitë e tyre të brendshme, njerëzore dhe organizative, pikërisht falë udhëheqjes së vendimeve nga frika. E kjo frikë mund të ketë domethënie të ndryshme: frikë nga të mbeturit prapa në garën e teknologjisë, frikë nga të qenit i përjashtuar nga diçka që ende se kupton thellësisht se çështë, por së cilës nuk mund ti shmangesh; frikë nga të mosditurit se cilat zgjidhje teknike të përshtaten, duke bërë kështu një zgjidhje të përgjithshme, por që shpesh mund të rezultojë e gabuar; apo frikë e të marrit të përgjegjësive mbi vete, në mënyrë që, nëse gjërat nuk funksionojnë, faji të mos jetë yti.
Të gjitha këto rrethana e situata, që në praktikë mund të pjellin shumë raste të tjera, dëshmojnë se sa e rëndësishme është që çdo ndërmarrje private apo institucion publik të mos bëjë kurrë zgjidhje të diktuara nga frika, por nga strategjia e mirëstudiuar. Aq më tepër që nuk janë të rralla mundësitë që në këto zhvillime të reja, me një evolucion kaq turbulent, të fundit të bëhen të parët. Ja, një situatë të tillë nuk ka pse të mos ta synojë Shqipëria, e cila, krahasuar me vitin 2005, kur mund të quhej e fundit e Europës, sot ka bërë hope vendimtare në rrugëtimin dixhital. E rëndësishme në këtë fazë është të kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për një zhvillim teknologjik, por për një evolucion të raporteve njerëzore, që nuk realizohet vetëm brenda një mjedisi (si interneti), por më thellësisht, në shoqëri dhe ekonomi, në mentalitet dhe kulture pune.
Njëri nga rrjedhimet kryesore të këtij parimi është se pasuria në këtë fazë të re t
