E Diel, 1 Nëntor 2026

Në stanin e dështimit edvinist, rikthehet në modë slogani “gju më gju me popullin”

04-07-2012 / Nga Sejdi Peka

Dhe më në fund edhe gënjeshtrave ju vjen fundi. Nuk mundet të besoj se ka një shqiptar që është sot jashtë politikës në Shqipëri. Bile për të kuptuar një socialist të bindur apo enverist të sëmurë,mjafton të dëgjosh kur deklaron se “unë nuk jam me asnjë parti”. Këto deklarata që i dëgjon në çdo ambient, nuk do të thotë se me të vërtetë socialistët apo komunistët e bindur po largohen nga “tifozllëku” i sëmurë për të majtën ish-komuniste, por në një farë mënyre po u vjen turp nga aventurat donkishoteske të Edi Ramës. Sigurisht, kjo është një fatkeqësi jo vetëm për Partinë Socialiste, por për gjithë popullin shqiptarë në përgjithësi. Pa u ndikuar nga komplekse të natyrës politike, mendoj se shumica e shqiptarëve besojnë se të paktën në këto 20 vite të pas rënies së komunizmit, politika shqiptare ose më saktë Partia Socialiste të ketë patur në krye të sajë një politikan si Rama, pa asnjë vizion politik, që si i thonë fjalës “i numëron hapat si kaprollja dhe e zë gjahtari”, që “si dreqit ja lëshojnë litarin e gjatë dhe ndërthuret me këmbët e tij”. Të shkojmë në imagjinatën tonë dhe të besojmë se Edi Rama gjatë këtyre afro 8 vite në opozitë, ka bërë eksperimente si të një “shkencëtari” që kuturu kërkon të zbulojë një sistem politik të ndryshëm me demokracinë, si slogani i paradokohshëm “përtej të majtës e të djathtës”. Të gjithë socialistët që aspirojnë për një parti socialiste të modelit europian mbetën të shastisur se nuk kishin dëgjuar një teori të tillë të funksionimit të demokracisë. Pikërisht me këtë slogan pa asnjë motiv, PS e demoralizuar në të gjitha pikëpamjet, i humbi edhe zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Marrëzitë e tij nuk kanë të sosur dhe asnjë pësim nuk i është bërë mësim. I deklaroi “si njerëz të komprementuar nga Berisha” më shumë se 20 mijë komisionerë të PS në qendrat e votimit dhe numërimit të votave, në fakt duke i dhënë një grusht dërrmues formacionit më të besueshëm të kësaj force politike. Përpjekjet për të rikuperuar aventurën e tij, duke afruar në stanin enverist pinjollët e diktaturës dhe të bllokmenëve, më shumë e diskriminuan PS në sytë e opinionit, si një forcë politike që asgjë nuk kishte ndryshuar si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Partisë Komuniste. Ai dështoi në tentativat e tij të vazhduara të marrjes së pushtetit me anën e një revolucioni të tipit leninist, me bojkotin në Parlament, me qindra dhe mijëra demonstrata pa asnjë motiv, që për fatin e keq të Shqipërisë, ndikuan dukshëm negativisht në përshpejtimin e reformave që kërkon BE dhe institucionet demokratike, që Shqipëria të zërë sa të jetë e mundur më parë vendin e saj në familjen europiane. Në vizionin e tij politik, Edi Rama gjithnjë ka menduar se duke penguar Shqipërinë në rrugën e demokracisë do të fitojë terren me sloganin “fajet i ka Saliu”. Por janë këta shqiptarët more z.Rama që nuk i hanë më “trutë e gomarit” si në kohën e Enverit tënd. Thonë se kur Rama kalon ndonjëherë në Autostradën e KOMBIT, “në rrugën që të çon asgjëkundi” sipas deklaratave të tij publike, është në ditën e tij më të zezë.
Në zgjedhjen e Presidentit, në përpjekjet për të zgjedhur një President konsensual, edhe një herë tjetër Rama demonstroi përpara të gjithë socialistëve që aspirojnë për këtë forcë politike, por edhe përpara opinionit shqiptar e atij ndërkombëtar, se është një politikan miop, tejet i dështuar, arrogant dhe pa të ardhme. Edhe me Gramoz Ruçin në krah, paterica e tij më e besueshme që vjen nga analet më të zeza të diktaturës komuniste, nuk mundi të ndikonte as tek enveristët më të spikatur që përbëjnë elitën e Partisë Socialiste. Duke u bërë gjithnjë dhe më i pabesueshëm për elektoratin e majtë, tani Rama, i mjerë në vetminë e tij, përsëri shpëtimin e gjykon në teorinë e antiberishizmit. Nuk është për t’u çuditur se ata që lehin më shumë në stanin enverist si Tahiri, Gjoni, Bushati, Braçe, Kodheli, Beqja e co, kundër Berishës, janë më të preferuarit e z.Rama.
Duke qenë i dështuar tërësisht në politikën e tij qorre dhe pa asnjë alternativë qeverisëse që normalisht në një demokraci funksionale një opozitë i ofron popullit, tani përsëri z.Rama si gjithnjë i zhytur në batakun enverist, u jep urdhër deputetëve të PS, “të zbresin në bazë për të parë hallet e popullit” ose sipas versionit gjysmë shekullor enverist “gju më gju me popullin”. Se çfarë mundet t’u thonë shqiptarëve këta deputetë të PS, një gjë është e sigurtë, fajet i ka Saliu. Po sa shqiptarë do t’i dëgjojnë gënjeshtrat e Edi Ramës, një gjë është e sigurtë; gjithnjë e më pak. Në zgjedhjet parlamentare të vitit që po afron, asnjëherë Berisha nuk e ka patur më të lehtë fitoren, kundër një kundërshtari me një formacion politik të shpartalluar, një opozitë e ekspozuar që gjithnjë ka punuar kundër interesave kombëtare, një opozitë me komplekse leniniste, një anije me një “kapiten” megaloman “që nuk e njeh detin” dhe po e dërgon në një rrugë “që nuk të çon asgjëkundi”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›