Të krijosh nga hiçi
Magazina të vjetra, vagonë të ndryshkur, balta e rrugës të shkon deri në kërci… Ku jemi? Shumë afër dhe shumë larg Tiranës. Në këtë zonë nuk ka banorë, por në fakt jemi vetëm disa qindra metra larg Bulevardit të Tiranës, në hapësirën që shtrihet pasi kalon Stacionin e Trenit.
Gjithçka përreth flet për braktisje. Duket sikur je në mes të hiçit. Por kjo vlen vetëm për ditën. Natën është komplet tjetër histori… Dhe kjo falë disa të rinjve, që morën një nga këto magazina dhe e kanë kthyer pa shpenzime në një qendër të pazakontë arti dhe argëtimi. Kur e hodhën idenë të gjithë menduan se thjesht…ishin çmendur!
Një gjë pa emër…
Nuk di as si tja vesh emrin.. Nuk është as lokal, nuk është as ambienti i zakonshëm i muzeve apo qendrave të artit. Kur hyn brenda magazinës së shndërruar në këtë gjënë pa emër, duket se ke hyrë në një haur lopësh. Ka mure të thjeshtë e gjysëm të zhvoshkur, tavan që gati po rrëzohet, vrima nga mund të hyjë edhe shiu dhe era nëse dëshirojnë…
E vërtetë, këtu nuk kemi kolltukë lëkure, as karrige moderne apo perde të bukura. Ky është një vend ndryshe nga të tjerët. Kështu e kemi dashur që në fillim: një vend të cilin nuk mund ta gjesh në Tiranë, - tregon për Shekullin Zhujeta Çima, që merret me administrimin e kësaj godine të çuditshme të shndërruar me 5 lekë në një qendër argëtimi për të rinjtë. Dhe çfarë argëtimi se… ditën pikëpjekje me artin, natën shpërthen muzika dhe kërcimi.

Magazina e braktisur
Muzikë…
Në darkë është ora e këngëtarëve.. Gjithçka e bazuar në parimin: larg VIP-ave, dhe me pak para. Vijnë këngëtarë dhe grupe jo shumë të njohura, por shumë gazmorë. E ndezin mbrëmjen në këtë godinë të çuditshme në mes të baltës. Qëllimi është që ti dhurojmë shoqërisë diçka ndryshe nga normalja. Diçka që mund të jetë shumë e veçantë dhe e bukur njëkohësisht. Muzika është ndryshe nga ajo çka ofrohet npër pube apo lokalet e jetës së natës.
Dhe jo vetëm muzika me sa duket… Kur vjen në darkë shef që të gjithë pinë shumë me pak para. Ka vetëm një banak të sajuar dhe një frigorifer ku sheh vetëm pije të lira vendi.
…dhe art

Ambientet e brendshme te magazines
Ditën është komplet një tjetër histori. Ne organizojme edhe evente të ndryshme në këtë godinë, kryesisht ekspozita arti dhe prezantime librash. Mund të përmendim Ardjan Isufin, pedagog në Akademinë e Arteve bashkë me Genc Përmetin që kanë performuar këtu, gjithashtu Hans Peter Joh, i cili ka bërë një libër me fotografi për Shqipërinë. Kanë ardhur edhe artistë të tjerë nga Suedia, Zvicra etj, -tregon Zhujeta.
A është paraja e vetmja gjë që sjell sukses?
Me sa duket JO. Ose më saktë, nuk është e vetmja mënyrë për të filluar. Këta djem e vajza kanë marrë një magazinë të vjetër e të braktisur të Hekurudhës dhe e kanë shndërruar në diçka që u sjell kënaqësi dhe të ardhura.
Katër mure, paleta treni dhe shumë pasion
Magazina të cilin kemi marrë si shembull në këtë artikull ka rilindur në qershorin e vitit të kaluar. Një grup të rinjsh, të cilët kërkonin të arratiseshin nga stili i kryeqytetit tentuan që muzgun e qetësisë ta gjenin pikërisht në magazinat e harruara të stacionit të trenit.
Këto magazina ishin nën pronësinë e hekurudhës. Ishin totalisht të harruara dhe të lëna djerr. Përveçse katër mureve nuk kishte asgjë tjetër. Por ne vendosëm që ti jepnim një pamje më miqësore. Vendosëm një banak nga ku do të shërbeheshin pije të ndryshme për të ftuarit. Krijuam një ambient i cili është krejtësisht ndryshe nga të tjerët. Na u desh plot një muaj për të krijuar këtë që kemi sot, tregon Zhujeta.
Të bësh shumë gjëra, me shumë pak para
Ndërtesat mbetet po e njëjtë. Mure të vjetra, të një magazine të krijuar vite më parë. Ngjitur me ambientet ndodhen edhe vagonët e ndryshkur të një treni, të lashtësisë komuniste. Brenga muret janë të vjetër. Edhe vetë banaku është ndërtuar me tulla dhe me dërrasa të paletave që përdoren për të transportuar mall. Paleta të cilat nga të rinjtë janë përdorur edhe për të ndërtuar divanet dhe tavolinat për të ftuarit. Përjashta qëndrojnë divanet rezervë.
Në fund të sallës ndodhej edhe një vend i ngritur ku qëndronin aparaturat për një DJ dhe vendi i cili mund të transformohej për këngëtarët. Me fjalë të tejra, gjithçka e krijuar shumë thjesht, ku rolin kryesor nuk e ka paraja, por pasioni.
Rasti Rene Rexhepi

Rene Rexhepi ne kopertinen e revistes TIME
Kopenhagë, 1 maj Revista e specializuar britanike “Restaurant Magazine” sërish e ka zgjedhur restorantin e Rene Rexhepit në Kopenhagë si më të mirin në botë. Duket e pabesueshme, por për të tretin vit me radhë, restoranti “Noma”, pronë e kuzhinierit, Rene Rexhepit, një shqiptari nga Danimarka, me prejardhje tetovare, kryeson listën e 50 restoranteve më të mira në botë.
Restoranti ndodhet në Kopenhagë dhe është i vendosur në një kantier të vjetër të shekullit 18, të rinovuar të anijeve. Në këtë restorant të shqiptarit Rexhepi shërbehen kryesisht specialitete nordike të klasit superior. TIME shkruan se Rene Rexhepi di të përgatit çudira të vërteta duke bërë ushqime nga bimët e egra, lulet dhe gjethet me shije të hidhur të cilat servilen me fryte të freskëta deti.
Nuk dua të jem njeri i një suksesi të vetëm. Nuk është keq kështu, ka thënë Rexhepi pak ditë para se restoranti i tij të ri-konfirmohej për më të mirin në botë Babai i Rexhepit është shqiptar nga Maqedonia, kurse nëna e tij është daneze.
Prestigjozja TIME, e ka vendosur Rexhepin edhe në listën e 100 personave më influentë të botës për vitin që lamë pas. Ekzaltuese, apo jo?
“Lexuesit tanë të kontinentit të Evropës dhe të Pacifikut të Veriut do të kenë mundësi të lexojnë për kuzhinierin më të mirë të botës për disa vite me radhë, Rene Rexhepin”. – Kështu e paralajmëron numrin e ri revista me e njohur e botës Time e cila për ballinë ka zgjedhur kuzhinierin nga Xhepçishti
