E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre arsyet pse Klosi vrau veten

Share

Kozara Kati, një emër i njohur i shoqërisë civile në Shqipëri dhe mikeshë fëmijërie e Ardian Klosit, në një intervistë të gjatë për Panorama, ka rrëfyer problemet që kishte publicisti përpara se të shkonte drejt aktit ekstrem. Kati thotë se nuk ishte në varrim sepse nuk e përballonte dot humbjen, ndërkohë që akuzon se për Danin nuk u bë aq sa duhej. Më poshtë pjesë nga intervista.

Çfarë natyre kishte Klosi?

Në vogëli Dani ka qenë një fëmijë i brishtë, por që mbante në fytyrë gjithnjë një buzëqeshje, çka e bënte simpatik. Kur fliste, kishte një zë shumë të ëmbël dhe nuk shprehte asnjëherë zemërim dhe agresivitet. Ishte shumë i afruar me motrat e tij, Emirën dhe Etlevën, siç edhe i deshi deri në fund të jetës. Po ashtu edhe më nënën e tij, Jolandën. I rritur në një familje me vlera dhe me produkt impakti në shoqëri. Dani nuk mund të ishte veçse një pasues modest i gjyshit të tij.

Gjyshi i tij ishte…?

Gjyshi i tij ishte i madhi Aleksandër Xhuvani. Për çudinë e të gjithëve, ai nuk e përdori kurrë emrin e gjyshit, edhe pse ishte pasues i denjë i tij.

A keni dalluar tek ai ndonjë gjë që nuk shkonte?

Po. Në fakt ai ishte i shqetësuar dhe këtë ma shprehu. Më tha që nuk kishte më as zyrë dhe as rrogë. Më tha: Kur të kesh ti ndonjë përkthim për të bërë, më thuaj. Ti e di që jam shumë mirë me përkthimet. Pa merak, ia ktheva, ti e ke kur të duash zyrën time. Megjithatë, shqetësimi nuk e linte.

Pse nuk kishte më as zyrë dhe as rrogë?

Sepse e kishin përzënë nga puna. Pas shumë vitesh kontribut në atë institucion, e hoqën në momentin më të vështirë të jetës.

Për çfarë institucioni e keni fjalën?

Për institucionin Gëte. Dani punonte aty si drejtor ekzekutiv i shoqatës kulturore shqiptaro- gjermane Robert Shvarc. Ai personifikonte marrëdhëniet kulturore, si edhe bashkëpunonte ngushtë me institutet Gëte në Greqi dhe Gjermani.

Para sa kohësh e hoqën dhe me çfarë shkaku?

E hoqën nga puna në momentin më të vështirë të jetës së tij. Pasi kishte humbur nënën e tij, me të cilën ishte shumë i lidhur dhe ndërkohë kishte tentuar ti jepte fund jetës. Pra bëhet fjalë për në janar.

Tju ndërpres për një saktësim. Pezullimi nga puna ishte pas tentativës së parë apo të dy për vetëvrasje?

Pas tentativës së parë. Dani ishte në spital duke u kuruar kur një funksionare e re pranë institutit i kishte bërë gati librat dhe të gjithë dokumentacionin. Kut pas daljes nga spitali, Dani u paraqit sërish në punë, u përball me shkarkimin. Motivi që i kishte dhënë zonja në fjalë kishte qenë: menduam se nuk do të vije për një kohë të gjatë në punë. Nuk na shkoi në mendje se do të ktheheshe shpejt…

Po Klosi a reagoi në lidhje me pezullimin nga puna. Mesa dimë nuk e ka denoncuar këtë fakt?

Jo, nuk e denoncoi. As e diskutoi nëpër tavolina. U tregoi vetëm disa miqve shumë të ngushtë, përfshirë mua. Dani nuk ishte tipi që krijonte debate për problemet personale. Ato i mbante brenda. Dani si Dani, pa bërë zë, pa bujë, pa bërë debat, ishte larguar. Me sa më tregoi gjatë bisedës, kishte marrë librat dhe gjithçka kishte pasur aty ndër vite dhe ishte larguar. Gjatë gjithë këtyre muajve pa punë, nuk akuzoi njeri, nuk shfryu, siç ndodh zakonisht, por vetëm ndër miq të mirë qau problemin e vajzave.

Çfarë problemi kishin vajzat?

Vajzat nuk kishin asnjë problem, por çështja ishte se duhej të shkolloheshin. E madhja ndodhej në Paris, ku priste ti dilte e drejta e studimit. Ndërsa vajza e vogël, e cila është shumë e talentuar në muzikë, shkonte në kurse private. I kishte pikë të dobët të dyja vajzat dhe kërkonte më të mirën për to. Edhe kur më tha për çështjen e pezullimit nga puna, vetëm vajzat mendonte. Kur punonim tek Aleanca Kundër Importit të Plehrave, kur ndodhte që puna zgjaste me orë të tëra, Dani kërkonte leje gjysëm ore ose një orë, në mënyrë që ti merrte nga shkolla apo ti çonte në kurset përkatëse. Ishte i çmendur pas tyre.

Gjatë intervistës ju përmendni vajzat e Klosit, nënën, motrat, e deri tek kunata. Po për bashkëshorten e tij, Jutën, a ju fliste ai?

Bisedat për Jutën janë krejt private, shumë konfidenciale dhe nuk mundem që ti tregoj. Më pati thënë që ka pasur probleme në familje, por për këto askush më mirë se Juta nuk e di. Ndaj kur pyetjet përmbajnë emrin e saj, duhet pyetur ajo dhe jo unë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›