E Diel, 1 Nëntor 2026

Të kuqtë në korr: Me Shkumbinin bëjmë kthesën

PARTIZANI - "Është koha të bëjmë kthesën". Ky është mesazhi i lëshuar nga mesfushori sulmues i Partizanit e Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, 24 orë përpara ndeshjes me Shkumbinin. Partizani renditet i fundit pas 8 javëve kampionat, ndërsa rivali i tij i ditës së shtunë, Shkumbini, ka shtatë pikë më shumë (12).

DURO - Në prezantimin e tij si trajneri i ri i Partizanit (në fakt është në një rikthim pas gjashtë vitesh), Shpëtim Duro tha qartë: "Ky Partizan nuk e meriton vendin e fundit dhe se grupi ka forcë për të dalë nga gjendja aktuale". Tani pas pesë ditësh në krye të 15-herë kampioneve, ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, kroatit Oto Bariç, ka krijuar përfytyrimin e tij për skuadrën. Fitorja në Tepelenë e ka ngrohur Duron, por "Shpëtimi" i Partizanit pret nga skuadra reagimin e parë serioz në Kampionat.

"Kam parë impenjim maksimal të skuadrës në stërvitje dhe tashmë pres reagimin të shtunën kundër Shkumbinit, sepse ai është një test i rëndësishëm për vetë situatën e skuadrës. Pres nga skuadra seriozitet dhe të luajë futboll". Nëse Partizani është ekipi i vetëm që nuk ka mundur të fitojë në shtëpi gjatë tetë javëve të para, Shkumbini, së bashku edhe me Bylisin, janë dy skuadrat e vetme që nuk kanë fituar në transfertë.

BAKAJ - Ndeshja e fituar thellësisht në Tepelenë (5-1) për Kupën e Shqipërisë e ka ngrohur ambientin në shtëpinë e kuqe. "Jemi të gjithë të mobilizuar, - u shpreh Bakaj për 'Metropol Sport', - unë kam besim se do të bëmë kthesën e madhe këtë javë për të marrë trepikëshin". Bakaj pati një dëmtim të lehtë dje dhe fizioterapisti i njohur Perli Rusi po kujdeset në mënyrë të posaçme për ta rikthyer në gjendjen optimale Bakaj, i cili është në kërkim të golit të parë në Superligë për këtë edicion.

BRAZILIANËT - Bruno është i vetmi nga tre futbollistët brazilianë që ka shënuar në kampionat (1 gol kundër Tiranës), por në Kupën e Shqipërisë, Roma realizoi dy të tillë (kundër Tepelenës). Treshja braziliane: Roma, Bruno e Kastelani, duket se e ka rigjetur veten në kondicionin fizik, e për ta fjalë të mira ka thënë edhe trajneri i ri Shpëtim Duro.

MUNGESAT - Në takimin kundër Shkumbinit, Partizani do të ketë dy mungesa të rëndësishme, mbrojtësit Fatjon Tafaj e Viktor Gjyla. Gjithsesi, edhë një lajm i mirë vjen nga kampi i "demave". Mbrojtësi i krahut të majtë Rrahman Hallaçi do të jëtë në fushë kundër Shkumbinit.

TIFOZËT - Edhe pse në ndeshjet e fundit tifozët e kuq e kanë braktisur skuadrën, debutimi i Shpëtim Duros në bankinë është edhe një sinjal për ta. Priten të jenë të shumtë e të zjarrtë në mbështetje të skuadrës.

E Premte, 31 Tetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›