E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, SHBA: Ballkani të përfshihet në Evropë

BRUKSEL- Bashkimi Evropian po përgatit një "mekanizëm" të ri për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në vjeshtë do të vërtetohet qartë se BE-ja nuk heq dorë nga ky synim.
Zyrtarë dhe diplomatë në Bruksel kanë thënë se të 27 vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor përsëri duhet të theksohet, ndoshta me një deklaratë politike të veçantë ose me konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së.
Këtë proces fuqishëm e mbështesin edhe Shtetet e Bashkuara, pasi në Uashington janë të bindur se kjo do t'i kontribuojë stabilitetit të të gjithë Evropës. (rel)
Një ditë më parë, Austria deklaroi përmes ministrit të Jashtëm se kërkon afrim të marrëdhënieve të vendit tonë me BE, ndërkohë që i dërguari me punë i KE në Shqipëri theksoi gatishmërinë e KE për liberalizim të vizave për shqiptarët, me kusht që më parë të plotësohen gjithë detyrat e lëna për këtë qëllim.


************
Austria pro Shqipërisë në BE
Ministri i Jashtëm i Austrisë ka deklaruar se pas Islandës edhe vendit tonë duhet t'i hapen dyert për anëtarësimin në familjen evropiane. Michael Spindelegger gjatë një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel tha se Bashkimi Europian nuk duhet të jetë diskriminues me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, pas procedurës së ndjekur për Islanën duhen parë mundësitë edhe për vendet e tjera. Ai ka theksuar se vendi që përfaqëson mbështet krijimin e marrëdhenieve shumë më të afërta mes Shqipërisë dhe BE-së.
Ndërkohë, gjatë një takimi zhvilluar në Tiranë për Migracionin, i ngarkuari me Punë i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, z Garrido Ruiz ka bërë apel për plotësimin e kushteve, duke shprehur përkushtimin e KE-së për procesin e liberalizimit. "Lidhja e qartë mes migracionit të rregullt dhe liberalizimit të vizave nuk mund të anashkalohet, dhe unë do të doja ta shfrytëzoja këtë rast për të rikonfirmuar përkushtimin e patundshëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë"- tha ai.
Sipas tij, nëse Shqipëria vazhdon të përparojë dhe nëse kushtet plotësohen, ajo do t'i bashkohet fqinjëve të saj së shpejti.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›