E Diel, 1 Nëntor 2026

Të majtët europianë: Gati të negociojmë për zgjidhjen e krizës

Grupi i aleancës së socialistëve dhe demokratëve në PE: Zgjidhni urgjent situatën

Europarlamentarët e majtë ofrojnë një mundësi ndërmjetësimi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Përmes një deklarate të posaçme të bërë publike dje zyrtarisht nga selia rozë, udhëheqësit e grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian kanë shprehur gatishmërinë për një rinegocim së bashku me eurodeputetët e djathtë.

“Zëvendëspresidentët e grupit, Severin dhe Swoboda, përsëritën vullnetin e tyre që, nëse është e mundur, së bashku me kolegët e tyre nga Grupi PPE të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për krizën që po kalon vendi, mbi bazat e një zgjidhjeje të ekuilibruar”, thuhet në deklaratën e të majtëve europianë. Propozimi i ardhur nga të majtët europianë u jep palëve në konfliktin aktual një alternativë komunikimi, duke nxitur minimalisht uljen në tavolinë dhe normalizimin e jetës institucionale. Teknikisht ai sugjeron rikrijimin e një delegacioni të përbashkët të mandatuar nga PE, funksioni i të cilit do të ishte në fund të fundit asistenca dhe presimi për marrëveshje ndaj dy partive kryesore. Megjithatë, qoftë edhe duke iu referuar gjuhës së deklaratës, është e qartë se PE, apo edhe palët brenda tij, rikonfirmojnë qëndrimin e mbajtur deri më tani për një “zgjidhje shqiptare” të krizës. Ndërmjetësimi ofrohet kështu si shenjë e një vullneti të mirë për të ndihmuar në kapërcimin e një faze që ka pushuar së qeni politike dhe është mbërthyer pas absurdit të argumenteve të pafundme juridike. Pikërisht në leximin e përgjegjësive institucionale, mesazhi i europarlamentarëve të majtë u bën jehonë qëndrimeve të opozitës shqiptare që prej kohësh e kërkon zgjidhjen në kontekstin e mirëfilltë politik. “Grupi i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian u bën apel të gjitha forcave politike që të arrijnë transparencën e plotë të procesit elektoral si një bazë e qëndrueshme për përmirësime të rëndësishme në mënyrën se si do të organizohen zgjedhjet në të ardhmen...”, vijon deklarata. Nuk dihet sesa mund të ndikojë ky interferim i ri i faktorëve politikë nga Brukseli në nxitjen e palëve për të përafruar qëndrimet e veta, por duhet thënë se deklarimet e herëpashershme nënkuptojnë se mundësia e kompromisit është reale. Dhe ky nëntekst e bën të qartë se për komunitetin europian kriza nuk është kapërcyer. Krijimi i komisionit hetimor nuk ka prodhuar asgjë dhe nuk ka shërbyer për ta qetësuar situatën, e cila nuk mund të mbahet nën kontroll jashtë vullnetit politik dhe me shpresën e zbatimit rigoroz të procedurave. Nuk dihet ende edhe se cili do të jetë qëndrimi i europarlamentarëve të djathtë rreth propozimit në fjalë, për sa kohë që për situatën në Shqipëri është miratuar një rezolutë e përbashkët, që ofron një tekst referues për palët. Ajo që po përvijohet dhe i përmbahet traditës së 20 viteve është fakti se palët, ose të paktën opozita, po kërkon asistencën e huaj, presionin ndërkombëtar, si palë të tretë në negocimin e një krize që po e mban Shqipërinë prej 9 muajsh të mbërthyer në ritualin e protestave dhe të bojkotit parlamentar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›