Tuberkulozi, çdo vit rreth 500 raste të reja në vend

Nëse ndokush mendon se tuberkulozi është zhdukur një herë e mirë nga vendi ynë, gabohet. Mjekët, statistikat dhe specialistët e shëndetësisë raportojnë se numri i shqiptarëve të prekur nga tuberkulozi është në ulje, por jo në zhdukje. Ndërkohë që bashkëshoqërues i kësaj sëmundjeje dhe njëri prej faktorëve që duhet “kuruar” bashkë me të mbetet varfëria. Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Tuberkulozit, mjekët e spitalit universitar të sëmundjeve të mushkërive kanë raportuar se janë mbi 400 raste të reja që zbulohen çdo vit me tuberkuloz. Ndërkohë që statistikat raportojnë se janë rreth 500 raste, kjo duke e llogaritur me numrin e lindjeve. Sipas enciklopedisë, janë 15 të sëmurë për 100 mijë banorë. Zonat më problematike, ku evidentohet edhe numri më i madh i rasteve të prekura nga tuberkulozi, mbeten Dibra, Shkodra, Kukësi. “Prej disa vitesh ne jemi të kënaqur me ecurinë e sëmundjes në vend, pasi shohim se rastet janë ulur ndjeshëm, por ka ardhur koha që programet mjekësore të ndërthuren me ato sociale”, sqaroi drejtori i Programit Kombëtar për Parandalimin e Tuberkulozit, Hasan Hafizi. Sipas tij, kategoritë më të prekura janë po ato që janë trajtuar edhe vitet e kaluara, të pastrehët, personat me HIV, grupet e margjinalizuara siç janë komuniteti rom dhe egjiptian.
TuberkuloziZonat verilindore, ku numri i të prekurve është edhe më i madh, vazhdojnë të tregojnë rezistencë ndaj sëmundjes infektive.
Në Ditën Botërore të Tuberkulozit, mjekët specialistë të spitalit të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”, bënë apel për rritjen e programeve sociale në këto zona, pasi dhe niveli i varfërisë është shumë më i lartë se në zonat e tjera.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që për pacientët e prekur me tuberkuloz, përveç mjekimit falas që marrin në spital të përfitojnë dhe mbështetje ekonomike. Në bazë të programit kombëtar për parandalimin e sëmundjes së tuberkulozit, mjekimi për pacientët e prekur është bashkëkohor, por problem sipas mjekëve, mbetet sensibilizimi i të sëmurëve për të vazhduar mjekimin. “Problemi thelbësor që na shqetëson aktualisht është mjekimi korrekt i pacientëve të prekur me tuberkuloz, pasi nëse ata e refuzojnë, rrezikojnë veten nga vdekja, por mund të bëhen dhe rezistentë ndaj mjekimit. Në këtë ditë i bëj apel gjithë popullatës që të informohen për sëmundjen e tuberkulozit, pasi ai sot është komplet i shërueshëm”, tha Hafizi. Sipas tij, edhe pse mjekimi zgjat gati 6 muaj, pacientët duhet ta vazhdojnë atë edhe në rastet kur nuk kanë asnjë shqetësim.
KategoritëSipas spitalit të sanatoriumit, pacientët, të cilët i janë drejtuar për ndihmë qendrës “Shefqet Ndroqi” janë kryesisht banorët e zonave verilindore. Rreth 70 për qind e rasteve të paraqitura janë nga qyteti i Dibrës, Shkodrës dhe Kukësit. Por të prekurit nga tuberkulozi nuk janë vetëm në këto qytete. Sipas mjekëve, në trevjeçarin e fundit, sëmundja e tuberkulozit është shfaqur edhe në zona ku më parë nuk janë evidentuar raste të prekura. Sipas specialistëve të mushkërive, kushtet sociale ekonomike, gjendja shëndetësore e përkeqësuar çdo vit e më shumë, si dhe ambienti ku jeton, janë faktorët e vërtetë të infektimit nga tuberkulozi. Shumica e të sëmurëve që paraqiten në sanatorium janë persona që banojnë në ambiente të ngushta, pa higjienën përkatëse. Apartamentet apo shtëpitë me lagështi janë ambiente të cilat favorizojnë në masë sëmundjen e tuberkulozit.
#