E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, 60 dëshmitarë për të faktuar 11 akuzat ndaj Aldo Bares

Akuza Prokuroria lexon kërkesën për gjykim ndaj kreut të Bandës së Lushnjës. Akuzohet për vrasje, shkatërrim varresh e krijim bande

Prokuroria ka lexuar akuzat ndaj Aldo Bares, njeriut më të rrezikshëm gjatë dekadës së fundit në qytetin e Lushnjës, i cili kishte ngritur një organizatë kriminale. Dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi dhe Gentian Trenova, kanë renditur akuzat njëra pas tjetrës, nga vrasje, shkatërrim prone, dhunim varresh e deri tek armëmbajtje pa leje. Për të faktuar 11 akuzat ndaj shefit, prokuroria do të thërrasë për të dëshmuar rreth 60 dëshmitarë. Prokuroria për Krime të Rënda në datë 7 shkurt 2006 ka regjistruar procedimin penal në emër të shtetasve Aldo Bare, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Ilir Stergu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina etj. Objekti i procedimit penal bën fjalë se në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja. Kur janë afruar disa metra i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim te lokalit ku ndodhej Artur Daja. Edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit. Pas shkëmbimit të zjarrit Bare, së bashku me shtetasin e plagosur Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur Ramadan Shkurti, vëllai i të pandehurit Aldo Bare, dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin Rabija e Shkurti dhe i qëllon me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Sipas dy prokurorëve, ndërmjet Artur Dajës dhe Aldo Bares ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait, Bare ka akuzuar Artur Dajës. Për këtë arsye së bashku me grupin e tij ai ka tentuar disa herë për të vrarë Artur Dajën. Pas vrasjes së vëllait të tij, Aldo Bare krijoi të ashtuquajturën Bandën e Lushnjës.

Sipas prokurorëve, në datë 3 gusht 1997 në Lushnjë është vrarë shqiptaro-maqedonasi Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të Demirit. Në datë 13 shkurt 1998 në vendin e quajtur Kolonjë është vrarë Nimet Zeneli. Arben Boriçi, Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë pritë fuoristradës së tij dhe i kanë qëlluar. Personat që ndodheshin në automjet janë larguar me vrap, por janë ndjekur nga Borici e Stergu. Gjatë ndjekjes Nimet Zeneli është plagosur dhe nuk ka mundur të largohej. Stergu dhe Boriçi i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij duke i shkaktuar edhe vdekjen. Dy shtetasit e tjerë Gramoz Selmani dhe Masar Aliu kanë mundur t’i shpëtonin ekzekutimit.

Disa ditë më vonë, më datë 22 shkurt 1998 në rrugën Kolonjë–Bitaj të pandehurit i kanë zënë pritë Masar Aliut. Ata kanë qëlluar në drejtim të tij duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet. Një tjetër ngjarje ku akuzohet banda dhe më konkretisht numri një i saj, është edhe episodi që mban datën 18 gusht 1998. Në këtë datë, në periferi të Lushnjës, është gjetur i vrarë me armë zjarri Luan Bilbili. Ndërkohë që në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Edhe për këtë ngjarje akuzohen të gjithë pjesëtarët e bandës. Në datën 21 tetor 1998, në fshatin Grabian të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, është gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor i shpërndarë. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të Artur Dajës, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e Aldo Bares. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›