E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbetesh beqare për të mbajtur familjen

GJAKMARRJA/ Pas hasmërisë së lindur 8 vjet më parë, vajzat e familjes Delia nuk janë martuar. Ato duhet të punojnë për të mbajtur veten, por edhe meshkujt e familjes, të cilët duhet të qëndrojnë të fshehur për shkak të gjakmarrjes


SHKODËR - Gjakmarrja vazhdon të mbetet një plagë e thellë në veriun e Shqipërisë, ndonëse numri i familjeve të ngujuara ka pësuar zbritje këto vitet e fundit. Ky fenomen vazhdon të shkaktojë dhimbje në shoqëri, familje dhe individët e prekur.


Dhe të ngujuar nuk ka vetëm në zonat malore, por dhe në qytete, ndërsa vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet e tyre janë të mëdha.


Zojë Delia së bashku me dy vajzat e saj, prej tetë vitesh jetojnë të vetme dhe në kushte të vështira ekonomike. Kjo pasi meshkujt e shtëpisë janë larguar për t'u fshehur pasi janë të përfshirë në gjakmarrje.


Zojë Delia tregon se familja e saj ka ardhur nga Puka në Shkodër në vitin 1998, me shpresën e një jete më të mirë dhe atëherë është vendosur tek livadhet e ish-ndërmarrjes së zooteknikës në qytetin e Shkodrës, tek ish-stallat e kompleksit blegtorial.


Pesë vjet më vonë, në janar të vitit 2003, djali i saj, atëherë 13 vjeç, përfshihet në vrasjen e një komshiu të tij vetëm 9-vjeçar. Zojë Delia rrëfen fatkeqësinë që përfshiu dy familjet dhe që bëri që meshkujt e familjes së saj "të marrin arratinë", siç thotë ajo, ndërsa ajo me dy vajzat ndryshojnë shtëpi dhe përballen me vështirësitë e jetesës.


Rrëfimi


"Djali ishte vetëm 13 vjeç, duke hyrë për 14. Ne jemi ngujuar të gjithë. Babanë në atë kohë e kishte me punë në Fier.


Djali i madh kishte shkuar të merrte motrat që punonin në një fabrikë, sepse në atë kohë ishte frika se i merrnin vajzat me forcë nëpër makina, kurse djali i vogël ka qenë në oborr, duke luajtur, sepse gjithçka nisi si një lojë fëmijësh dhe përfundoi humë keq.


Ne nuk kemi pasur asnjëherë asgjë të keqe nga ajo familje. Ata nuk dinin çfarë bënin, punë fëmijësh që po luanin me çifte. Nuk janë nisë me qëllimin të bëjnë keq, por u ba puna.


Familja e viktimës, ajo e Ded Lulashit, kanë qenë dhe mbeten familje e mirë, nuk kemi pasur asnjëherë ngatërresë me ta, asnjeherë. Por rreziku i të dyja palëve dhe u bëmë kështu.


Atëherë im bir ishte 13 vjeç, sot ka hyrë për 21, është bërë burrë. Bashkëshorti im vjen nganjëherë e ka ikur tinëz, ndërsa djemtë nuk i kam parë asnjëherë që nga ajo ditë, nuk kanë ardhë kurrë. Nuk punojnë, nuk mund të dalin, sepse i shohin të tjerët dhe i padisin. Rrinë të fshehur tek të afërmit dhe i mbajmë ne me bukë.


Sepse askush s'të mban kaq shumë, po nuk punove. Dy vajzat i kam beqare. Nuk u martuan. Sepse punojnë kur kanë punë, për të mbajtur edhe babanë e vëllezërit. Po të martoheshin, ne do të vdisnim nga uria. Kështu, dhe mezi shtyjmë një ditë për tek tjetra", shprehet Zoja.


Ajo tregon dhe për përpjekjet për pajtim, të cilat deri tani kanë dështuar. Ndonëse dy familjet janë të krishtera, Zojë Delia tregon se ata e kanë pasur të rëndë për të dërguar priftin si ndërmjetës, pasi viktima ishte 9 vjeç dhe për familjen e tij është shumë e rëndë ajo që ka ndodhur.


"Lutemi dhe rrimë me shpresën se Zoti do paqtojë zemrën dhe mendjen e tij që të kuptojë se nuk i kemi pasur hile, ishte vetëm një fatkeqësi mes femijësh për të cilën dhe ne sot ndiejmë pikëllim", shton Zoja. Ngjarja që ka shkaktuar konfliktin mes këtyre dy familjeve ka ndodhur në janar të vitit 2003, ku E.Lulashi 9 vjeç, është ekzekutuar me armë gjahu çifte nga një 13-vjeçar, djali i familjes Delija.


Fëmijët kanë qenë duke gjuajtur peshk në liqenin e Shkodrës dhe viktima ka qenë bashkë me vëllanë e tij dhe dy shokë të lagjes. Vendi ku kanë qenë duke peshkuar, ishte vetëm 15 minuta larg shtëpive dhe teksa po peshkonin me rrjeta ka ndodhur dhe ngjarja ku 13-vjeçari ka marrë çiften që ka pasur me vete një shok i tij 17-vjeçar dhe me të është vrarë 9-vjeçari.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›