"Çifti i përkryer", filmi më i mirë i 48-orëshit

Realizimi i Genti Bejkos do të përfaqësohet në Festivalin e filmit 48 orësh në Los Anxheles
"Perfect couple" i grupit "Albartist" dhe me regji të Genti Bejkos shpallet filmi më i mirë Tirana-48 Hour Film Project 2010. Juria e përbërë nga Robert Aliaj president, Veton Nurkollari, President i Dokufest dhe Bland Ashiku e shpallën fitues të edicionit të parë të këtij festivali mbrëmjen e së shtunës në Teatrin Kombëtar u zhvillua nata finale e festivalit Tirana-48 Hour Film Project 2010.
Filmi i Bejkos përfaqëson Shqipërinë në "Best 48 hour Film of the Year 2010" duke përfaqësuar Shqipërinë dhe Tiranën në Konkursin Ndërkombëtar "Best 48 hour Film of the Year 2010" në Los Anxhelos, për të konkurruar për çmimin e lartë Filmapalooza, i cili zhvillohet në NAB Shoë.
E njëjta juri vlerësoi të shtunën: regjia më e mirë - Neritan Muskaj me filmin "Don't hate the game, but the player"; skenari më i mirë - Gjergj Kalaja me filmin "Romance"; aktrimi më i mirë i realizuar nga Xheni Hallulli në filmin "Perfect couple"; kinematografia më e mirë u fitua nga Elis Puka, Ilir Kllojka, Marin Marika në filmin "Krehëri"; montazhi më i mirë u fitua nga Ervin Çoba me filmin "Judge" të grupit "Karrotat me kollare".
Ndërsa dje, në Amfiteatrin e Akademisë së Arteve u shpall dhe Çmimi i Publikut për filmi "Krehëri" me regji te Renato Aliçkollit dhe Elis Gjonit.
Më 18-19 qershor u shpallën për publikun të gjithë filmat që u realizuan brenda 48 orësh 11-13 qershor nga të rinjtë pjesëmarrës 22-40 vjeç.
Tirana 48 Hour Film Project falë Robert Aliajt u bë për herë të parë këtë vit pjesë e "48 Hour Film Project" në Los Anxheles.
Ky është një institucion ndërkombëtar që organizohet në 81 qytete të botës duke ju ofruar kineastëve të rinj mundësinë për t'u shprehur në fushën e kinematografisë.
Fituesit në shkallë ndërkombëtare prezantohen në një seksion të veçantë në Festivalin e Kanës.
Filmit të Genti Bejkos, aktor me aktivitet kryesisht në teatër, do t'i jepet mundësia për një fazë të dytë konkurrimi.