Sherif Merdanit i vjedhin makinën: E kisha blerë me lekët e burgut
Atij i është dashur që me lekët e dëmshpërblimit të burgut, të blejë makinën e tij që e ka përdorur për shumë vite, por disa ditë më parë ajo është vjedhur nga persona të cilët policia ende nuk i ka identifikuar. Bëhet fjalë për këngëtarin e njohur të muzikës së lehtë Sherif Merdani. Sipas të dhënave të policisë dy ditë më parë është vjedhur makina e këngëtarit të njohur Sherif Merdani ndërsa lajmi është konfirmuar edhe nga vetë këngëtari i cili ka denoncuar vjedhjen e makinës së tij tip Citroen Pikaso me ngjyrë të zezë me targë, TR2824U, me vlerë prej 20 mijë euro. Këngëtari ka bërë kallëzimin në Komisariatin Numër 2. Këngëtari i prekur, në një prononcim për mediat i bëri thirrje personave që ja kanë vjedhur makinën që tja kthejnë atë pasi e ka blerë me shpërblimin e viteve të burgut të kryer gjatë diktaturës. Makina ndodhej në zonën e shkollës Dëshmorët e Lirisë, ku unë banoj. Një ditë para vjedhjes i kanë thyer xhamin e parë, sepse djali kishte harruar çelësat rezervë brenda në makinë. Këtë gjë e dinim vetëm unë dhe djali dhe punëtorët e lavazhit. Unë xhamin e vura sërish dhe të nesërmen ika me gruan në kishën e Shën Ndoit (Laç) dhe pas ceremonisë e parkuam makinën ne territorin e shtëpisë dhe në mëngjes nuk e gjetëm më. Kjo ndodhi natën e së shtunës, (më 18.05.2013). Menjëherë vajta në Komisariatin numër 2, ku unë bëra denoncimin. Deri tani ka vetëm dyshimi. Dua të bëj një thirrje, atyre që e kanë marrë. Duhet të dinë se Sherif Merdani i ka shlyer Zotit të gjitha dhe Zoti ia fali jetën. Kam punuar 11 vjet në minierë dhe shteti më dha 20 mijë euro shpërblim për vitet e burgut, më kanë vjedhur rininë time. Diktatura po vazhdon të më vrasë. Ju bëj thirrje të më sjellin makinën dhe të më kërkojnë të falur janë të falur nga unë, deklaroi Merdani i prekur për ngjarjen e ndodhur. Vjedhja është kryer më datë 18.05.2013, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.