E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbrosh tokën, është si të mbrosh atdheun

Titullin e shkrimit e kam përshtatur prej thënies së një shkencëtari amerikan në fillim të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, kohë kur Amerika përballej me humbje të mëdha të sipërfaqes së tokës për shkak të erozionit, i cili thoshte: “Mbrojtja e tokës është e barabartë me mbrojtjen e atdheut”. Të bësh alarm për diçka të rëndësishme që po dëmtohet e të përmendësh vazhdimisht shifra e fakte për ta bërë sa më të besueshëm këtë alarm, jo gjithherë do të thotë se po ndjell keq. Të thuash se, përse ne si komb duhet të jemi shumë më të kursyer në përdorimin e tokës bujqësore për qëllime të tjera sesa vendet e popujt e tjerë që na rrethojnë e më gjerë, asnjëherë nuk është e tepërt: Vetëm 25 për qind e territorit të vendit tonë është tokë bujqësore. Kuptohet, një çikë më pak është tokë arë dhe vetëm gjysma e kësaj sipërfaqeje konsiderohet si tokë bujqësore fushore me cilësi të mira, d.m.th., tokë e kategorizuar në cilësinë e parë deri në të katërt, sipas shkallëve që përdoren për këtë vlerësim.

Duke renditur faktorët që kanë çuar në humbjen e kësaj sasie të tokës bujqësore, pjesën më të madhe e kafshon erozioni. Pothuaj gjysma e sipërfaqes së dëmtuar ka si armik vrasës këtë fenomen, që në disa raste nuk është luftuar me masat e njohura dhe në raste të tjera ka për shkak dëmtimin në shkallë të gjerë të masiveve pyjore. “Tokës në kodër po i dalin brinjët, ndërsa në fusha tokës po i kalbet mishi”, - perifrazonte kohë më parë specialisti i njohur i bujqësisë, Ahmet Osja. Me fjalë të tjera, erozioni po çon në det me mijëra tonelata dhè e nga ana tjetër tokat fushore të pakulluara po vuajnë nga asfiksia e nuk po prodhojnë asgjë.

Duhet thënë se shifra e dhënë në krye të shkrimit, në të vërtetë i përket më tepër tokave jo me pjellshmëri të lartë, por gjithsesi tokës që dikur kanë qenë produktive. Ne jemi në atë fazë dhe kemi atë varfëri me tokë bujqësore, sa duhet të ruajmë edhe thërrimet. Nëse do të ishim të pasur me sipërfaqe të tokave bujqësore të klasifikuara në klasat e larta të pjellorisë, edhe shqetësimi ynë për humbje të sipërfaqeve të tilla do të ishte edhe më i pandjeshëm. Por, si duhet të gjykojmë, kur shifra 25 për qind ka në përbërje të saj çdo pëllëmbë tokë që shtrihet nga jugu në veriun e Shqipërisë, nga tokat malore të lindjes e deri tek ato fushore të perëndimit? Shqetësues mbetet fakti i dëmtimit të tokave prej gërryerjeve në brigjet e lumenjve, të cilat në vend që të ishin tokat më pjellore të vendit, për fat të keq, ato jo vetëm që nuk prodhojnë, por në një të ardhme të afërt ato do të jenë inekzistente. Po kështu, qindra ha të tjerë janë kthyer në zhavorishte, për shkak të mosfunksionimit të kanaleve që disiplinojnë ujërat e larta.

Shifrat që pasqyrojnë dëmtimet e tokave bujqësore, qoftë edhe kaq sa pranohen si dëmtime të paligjshme, janë alarmante, edhe pse këto shifra të larta nuk i përkasin kategorive të tokave të pjellshme. Por, nëse alarmohemi për këto kategori të tokave dhe nga ana tjetër nuk lëvizim as gishtin kur na dëmtohen tokat më të mira fushore, pjesë e asaj shifre që përbën vetëm 10-12 për qind të sipërfaqes së territorit të vendit, do të thotë se tregohemi të shtrenjtë në krunde e të lirë në miell. Ne në fakt nuk kemi një shifër të saktë të asaj sipërfaqeje toke që kemi humbur si rezultat i ndërtimeve pa leje dhe të legalizuara, por sigurisht që kjo shifër nuk është e ulët. Kur numërohen rreth 400 ha të zënë me ndërtime të paligjshme vetëm në kaq pak kohë, pasi ka përfunduar veprimi i ligjit “Për Legalizimin”, kuptohet që shifra e parë është shumë më e lartë se e dyta. Po kështu, ne nuk pasqyrojmë dhe nuk kemi një shifër në shkallë kombëtare që të na krijojë një ide sesa tokë bujqësore e cilësisë së lartë është tjetërsuar, jo në mënyrë ilegale, por legalisht. Shuma e këtyre dy shifrave, edhe pse do të jetë disa herë më e vogël se sa 15 mijë hektarë, ajo, në vlerë reale, në të vërtetë është më e madhe. Kjo argumentohet vetëm me pjellorinë e lartë që kanë tokat e cenuara prej këtyre veprimeve të përmendura.

Nuk mund të mbrohet toka bujqësore, nëse vetë organizma të larta shtetërore vënë dorë mbi të në mënyrë të pashpirt. Ligji “Për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore”, në fakt kallzohet i rreptë, por kjo vetëm në nenet e shkruara. Ai pothuaj e pezullon veprimtarinë ndërtimore në të gjitha tipet e tokave bujqësore dhe e ndalon në mënyrë kategorike këtë aktivitet në toka bujqësore të cilësisë së lartë. Por, vendime të herëpashershme në vite të KRRTRSH kanë treguar se ky organizëm nuk e ka përgjegjësinë dhe as mendjen për të mbrojtur tokën bujqësore të kategorisë së lartë. Po të kemi parasysh vendime të tilla si ai i lejimit të ndërtimit të një fabrike çimentoje në fushat e Lezhës, (përveç ndikimeve të tjera negative), ku tjetërsohen në truall më shumë se 60 ha tokë nga më e mira, tregon se mbrojtja e tokës vazhdon të mbetet e rrezikuar. Nëse është ngritur dhe funksionon një Komitet Shtetëror për mbrojtjen e tokës, “ai nuk duhet bërë prift dhe t’i rruhet mjekra”. Komiteti Shtetëror apo ministri i Bujqësisë duhet të jetë “dora që mban hanxharin”, që të presë çdo tendencë që shfaqet apo kërkon që të tjetërsohet toka bujqësore, kryesisht ajo me cilësi të larta bujqësore. Megjithatë, vetë përbërja e këtij komiteti, me përjashtim të kryetarit, që është ministri i Bujqësisë, me anëtarë të tjerë, zyrtarë të rangjeve të ulëta të ministrive apo institucioneve të tjera qendrore, tregon se “nuk është me gjithë mend” shqetësimi për të mbrojtur tokën bujqësore. Toka bujqësore nuk duhet të mbetet në dorë të këshillave të rregullimit të territorit, të çdo rangu qofshin, sepse ato kanë provuar me vepra se nuk i thonë “ndal” asnjë kërkese për të ndërtuar. Boll me parulla të tilla, se “tokën duhet ta mbrojnë të gjithë”, kur në fakt e shpërdorojnë të gjithë. Kur bëhet fjalë për tjetërsim të tokës arë, kryesisht të kategorisë së lartë, firma e ministrit të Bujqësisë, o sot, o kurrë duhet të ketë forcën ligjore për të ndalur çdo tendencë abuzive me tokën. Nesër do të jetë vonë.

Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës, të gjithë faktorët që kanë vepruar gjatë këtyre viteve në dëm të tokave dhe na kanë paksuar me një sasi të konsiderueshme fondin e tokës bujqësore, janë të pranishëm edhe sot. Megjithatë, këtë konstatim e vë re gjithkush. Thirrjet e herëpashershme për mbrojtjen e tokës kanë marrë trajtën e paralajmërimeve kineze dhe askush nuk duket se po iua vë veshin. Ne jemi mësuar që tragjeditë veç t’i vajtojmë, pasi të ndodhin. Edhe humbja e tokës është një “tragjedi”. Ne ngrohemi me atë se këtë “tragjedi” nuk e jeton brezi ynë. Po të vazhdojë të humbasë toka me këto ritme, ne në fakt kemi ndihmuar që “të humbasë” atdheu i nesërm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›