E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë, larg duart nga Ushtria...

• PIRO HYSI *

Keqardhja për tragjedinë e Gërdecit ka
    qenë ndjenja kryesore që ka pushtuar zemrat e shqiptarëve, por një përjetim më të rëndë kanë pasur ushtarakët e këtij vendi. Bëj pjesë në ata shqiptarë që qysh në moshën...14-vjeçare i kam shërbyer “asaj rrobe” siç thotë populli. Si të gjithë kolegët e mi, me përkushtim, ndershmëri e gatishmëri për të dhënë edhe jetën. Këto ditë, në të gjitha mediat, njerëzit u bombarduan me informacione nga njerëz ekspertë të mirëfilltë, por më së shumti nga “kompetentët” që kurrë nuk mungojnë nëpër media. Të gjithë për çudi, me një zë, nëse përjashtojmë ekspertët e mirëfilltë, me në krye Mediun dhe Berishën thoshin një “avaz”, të cilin e kishin mësuar përmendësh: - Regjimi diktatorial na e la shtëpinë mbi mina, sepse i kishte repartet afër zonave të banuara!?! E vetmja gjë që s`është e vërtetë. Sepse ne që dimë mirë se ku i kishte depot e municioneve ushtria që patëm, themi se jo vetëm që s`ishin afër qendrave të banuara e brenda tyre, por ishin shumë larg dhe me masa të rrepta sigurie. Nëse kishte krim, ky është kryer prej pushtetarëve në këto 17 vjet. Pra, fakti që për të krijuar lehtësi për firmat e ndryshme që janë pasuruar pa skrupull, i transportuan municionet nga Skrapari, Kukësi e Mati në rrethinat e Tiranës, ka një dhe vetëm një fajtor; ministrat përkatës të Mbrojtjes së Shqipërisë. Kam ndjekur këto ditë “udhëheqësit” që patën ndër vite vulën e dikasterit të Mbrojtjes. Më bën përshtypje se të gjithë këta që folën, më kujtonin baballarët e tyre që gjithnjë fajin ia hidhnin “armikut” të jashtëm dhe atij të brendshëm. Këto të kujtojnë deklaratat e të gjithë ministrave të Mbrojtjes që nga viti 1992 që vepron firma “MEICO” le të hapen llogaritë ku shkuan paratë e armatimit. Ashtu siç shije jo të mirë të lenë deklaratat e zëvendësministrave aktualë që vijnë nga arsimi “kompetent” e kësaj katastrofe zotërinjtë zv.ministra karabina e Zhuka. Duket se po spikat më së miri solidariteti brenda llojit. Mbrojtje më e mirë nuk mund t`i bëhet ministrit të dorëhequr Mediu, nuk pranoi Z. Mediu, karabina Zhuka të na takonin neve që i shërbyem këtij armatimi pa vrarë njeri për një status se pensionin tonë duhet ta fitojnë manovratorët. Por e vërteta për ne që kemi ende në Mbrojtje njerëz që punojnë, është krejt ndryshe. E vërteta është e hidhur, jo vetëm për ushtarakët, por për vetë fatet e vendit. Të gjithë ministrat që partitë kanë emëruar në krye të atij dikasteri, kanë pasur si qëllim të parë e të fundit mënjanimin e ushtarakëve, deri edhe në injorimin total të tyre. Ata ndër vite kanë patur vasalët e tyre aty-këtu nëpër Forcat e Armatosura, vasalë të bindur që vetë ata i emëruan dhe kanë zhvilluar me ta procedura të drejtpërdrejta tenderimi duke mbushur xhepat. Thuajse e tërë pjesa civile e ministrisë ka shkuar në këto vite për të rrëmbyer ç`të mundë, por gjithnjë duke shmangur e duke injoruar institucionin e Shefit të Shtabit. Prandaj u desh që për të mbushur xhepat pushtetarët dhe të afërmit e tyre, t’ia afronin këtu rreth Tiranës me shpenzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe ajo me duar të njerëzve që s`shohin asnjë shpresë nën këtë diell e të pasiguruara, t’i çmontonte falas të paktat, për t`i shitur në shumicën dërrmuese të tyre të pa çmontuara në kontrabandën botërore të armëve me çmime fantastike. Në kuadrin e “kontrollit civil” të dikasterit, ata që nuk pyeten, janë ushtarakët. Si ushtarak, më lind e drejta të pyes: A do të kishte ndodhur një gjë e tillë nëse në krye të punës do të ishin ushtarakët? Janë me qindra specialistë armatimi e “Piro teknik” specialistë municionesh që janë pa punë, pse nuk i thërret apo duhet të ndodhte e papritura. A do kishim tragjedinë nëse atje do të ishin çmontuar vetëm fishekë? Kush e hoqi repartin e Gërdecit nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura? Po kontratën e dytë për municionet e rënda kush e bëri dhe a u pyetën ushtarakët? Mirëpo, për fat të keq në dikasterin e Mbrojtjes shkohet me logjikën: ju duhet të firmosni ato ç`ka shkruajmë ne, “udhëheqja” civile. Ky fenomen i shëmtuar, dua të besoj unikal, për fat të keq ka plot gjashtëmbëdhjetë vjet që është institucionalizuar, pra është vulosur me Ligj nga qeveritë e këtyre viteve. Jemi i vetmi vend ku urdhrat e ministrit të Mbrojtjes në shumicën dërrmuese të tyre nuk kalojnë nga zyra e Shefit të Shtabit, që edhe ata shefa shtabi duhet ta ngrinin zërin para kohe. Por edhe ato pak që shkojnë në zyrën e tij, kanë shënimin: Për veprim. Me ç`të drejtë, cilido ministër qoftë ai, me përjashtim të Strategjisë së Mbrojtjes të cilën e ka miratuar shteti, mund t`i imponohet Shefit të Shtabit me këtë shënim, i cili më së pari diskrediton përpiluesin? Në të gjitha vendet demokratike është siguruar kontrolli civil në Ministrinë e Mbrojtjes, por më thoni ju lutem, në cilin vend dhe cili ministër i drejtohet në këtë mënyrë Shefit të Shtabit? Kjo ndodh vetëm te “civilët” e pacivilizuar shqiptarë. Kështu që Shtabi i Përgjithshëm është katandisur në një apendicit e për fatin e keq të vendit, nuk llogaritet fare nga segmentet vendimmarrës të shtetit shqiptar. Pra, Shqipëria është i vetmi vend ku civilë të panjohur dhe interesa të dyshimta i sjellin në krye të Mbrojtjes, vendosin për fatin e ushtrisë dhe të pasurive të saj pa pyetur drejtuesit e saj. Mësova se para ca muajsh, një ekip malazez kërkoi dhe me sa duket realizoi mundësinë për të shkatërruar municionet e Malit të Zi në Uzinën Ushtarake të Mjekësit në Elbasan. Gjithë shqiptarët e dinë se ky vend kishte tri uzina të mëdha të industrisë ushtarake. Por, po të pyeteshin ushtarakët, “do t`i hapnin telashe” të ashtuquajturit kontroll civil me ca kritere si elementet e sigurisë, korrektësia në kontroll etj. Por ushtarakët që në shumicën dërrmuese të tyre nuk mund të familjarizohen me tenderët, do të kërkonin që municionet të demontoheshin në uzinat e industrisë ushtarake. Si ushtarak që “isha” uroj që për të mirën e këtij vendi, le të ngelen ushtarakët “injorantë” sa u takon mekanizmave të tenderëve. Megjithatë neve edhe pse të përbuzur nga Ministria e Mbrojtjes, e Financave, ISSH, Qeveria, jemi gati edhe natën të japim specializimin dhe nga jeta jonë për të shpëtuar fëmijët tanë.
Të gjithë ata që kanë ngritur skemat, që kanë shtruar linjat e aferave deri matanë Atlantikut, t‘i kemi sërish në tribunë, ministra, kryetarë partish, deputetë, shtetarë të këtij “shteti” që vetëm yni e për ne nuk ka qenë deri më sot. Këto më shkonin ndërmend, ndërsa po ndiqja konferencën për shtyp të zëdhënëses së ministrit pa... ministër?!? Sidoqoftë, nepsi i shtetarëve shqiptarë plasi, e mos më thoni se ishin predhat ato që shpërthyen e tronditën botën mbarë. Ishte nepsi ai që plasi, ashtu siç nepsi ishte ai që nisi vitin e kaluar vaporin me dhjetëra kontenierë municione në drejtim të armenëve për të vrarë me to ushtarë turq. Por ushtria turk, e kapi vaporin në ngushticën e Bosforit, dhe... “i bëri dalje” ministrisë sonë të Mbrojtjes, e për ironi të fatit, vapori ende sot qëndron i ngarkuar në portin e Durrësit. Shumë-shumë do të dënohet Delijorgji që ishte aq i dashur për ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë (i cili mund ta “vuaj dënimin” në “patridhë”, në Greqi), do “të ndëshkohet” edhe ndonjëri nga “MEICO”, që është i “krimbur” në dollarë, por për të ardhmen e këtij vendi, të fëmijëve tanë, drejtësia (nëse ka) të ndëshkojë rreptë të gjithë spekulantët që u pasuruan me djersën dhe jetën e paraardhësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›