E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të migrosh nga Kukësi drejt Vlorës dhe Sarandës

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Zonat verilindore të vendit, posaçërisht Kukësi dhe Dibra vuajnë largimin jashtë vendit të banorëve të aftë për punë, ndërsa për ata që kanë mbetur në vendlindje shifrat e të ardhurave mujore dhe papunësia flasin për situata të vështira jetese. Nga ana tjetër, qytetet turistike sidomos Vlora dhe Saranda vuajnë nga mungesa e krahut të kualifikuar të punës gjatë sezonit turistik veror apo gjatë sezonit të vjeljes të agrumeve dhe ullinjve.

Ky paradoks ishte në qendër të forumit të Forumit të Komunitetit dhe Biznesit për Migracionin dhe Diasporën zhvilluar përgjatë dy ditëve në Kukës ku u promovuan veprime konkrete mbi qeverisjen e migracionit të brendshëm dhe angazhimin e diasporës për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.

Qytetarë të Kukësit, biznese, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve vendore diskutuan mënyrat se si mund arrihet frenimi i largimit të njerëzve nga Kukësi ndërkohë që u shkëmbyen ide se si kuksianët mund ta ndërtojnë jetën e tyre në vendlindje.

Forumi vjen në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve institucionale vendore për migracionin në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe u organizua nga IOM në Shqipëri. Pas Forumit të parë, të organizuar në korrik 2025 në Rabdisht, Dibër ku u sollën së bashku aktorë të rëndësishëm nga institucionet publike, sektori privat dhe komunitetet lokale, diskutimi u zhvendos tashmë në rajonin e Kukësit që po ashtu si Dibra vuan largimin masiv të krahut të punës jashtë vendit.

Paktet ndërbashkiake për punësim

Projekti që po zbatohet tashmë në Dibër dhe Kukës ka në qendër paktet ndërbashkiake për punësimin, ku institucionet vendore luajnë rolin lehtësues për lëvizshmërinë e brendshme të njerëzve drejt vendeve të punës. Kështu, IOM ka vendosur në dispozicion të bashkive pritëse, Vlorë, Sarandë një koordinator që vlerëson mundësitë e punësimit për fluksin e pritshëm nga bashkitë dërguese si Kukësi dhe Dibra.

Ky koordinator punon me specialistët e bashkive për gjetjen e mundësive të punësimit, për mundësitë e strehimit dhe kushteve të tjera të jetesës në rast se nënshkruhen kontrata punësimi.

Në Kukës janë të regjistruar në zyrat e punës rreth 4 mijë persona, ndërkohë që rajoni vuan rënie ekonomike për shkak të ndryshimit të profilit nga një rajon industrial në bujqësor, ku 72% e njerëzve varen nga bujqësia. Edhe bujqësia është sezonale, pasi rajoni ka klimë të ashpër gjatë stinës së dimrit.

Paktet ndërbashkiake për punësimin funksionojnë mbi bazën e ligjit ekzistues, bazuar tek ligji i qeverisjes vendore.

Ndërsa migrimi i brendshëm është realitet i prekshëm aktualisht ku shumë individë apo edhe familje zhvendosen për punë sezonale, pakti do të lehtësonte mjaft aspekte të këtij fenomeni, duke garantuar më shumë siguri, mbrojtjen e të drejtave të punonjësve si dhe lëvizje të koordinuar mes bashkive për sigurimin e kopshtit apo çerdhes për fëmijët, mbulimin e sigurimeve shoqërore, zbatimin e orareve të arsyeshme të punës etj.

Për migrimin sezonal ka hezitim, pasi pas ofertës në panairin e punës në Rabdisht, nuk janë lidhur ende kontrata pune me punëdhënës në Sarandë e Vlorë. Por, forume të tilla i shërbejnë njohjes dhe ndërgjegjësimit për mundësitë që sjell lëvizshmëria e brendshme për të ulur papunësinë dhe rritur të ardhurat familjare të cilat janë dy faktorët kyçë që përcaktojnë largimin e njerëzve nga vendlindja drejt vendeve të tjera.

Sipas përfaqësuesve të IOM Shqipëri, qëllimi kryesor i projektit është pikërisht që forca e kualifikuar e punës, eksperienca dhe talenti i vendasve të mos largohet jashtë Shqipërisë por të mbetet brenda saj duke ndihmuar ekonominë dhe perspektivën për rritjen e standardeve të jetesës.

Por, ndërkohë, migrimi sezonal apo dhe i përhershëm brenda vendit duket zgjidhje e mirë përballë pasigurisë dhe rreziqeve që sjell emigracioni i paligjshëm.

Po ashtu, projekti vendos në fokus edhe emigrantët e rikthyer, mbështetjen e tyre për integrim me mundësi punësimi, sikundër edhe thithjen e investimeve nga diaspora. Në Kukës, emigrantët janë mjaft të lidhur me vendlindjen dhe sjellin remitanca për familjet e tyre që kryesisht investohen në shtëpi apo konsum.

Kukësi, qyteti verilindor me resurse të pamatshme

Pika më e nxehtë e debatit në forum ishte përse duhet të largohen kuksianët drejt Vlorës dhe Sarandës kur rajoni ka burime që nëse vihen në shfrytëzim krijojnë vende pune dhe pasuri për banorët e tij.

Kukësi është ndër ato pak qytete që është prekur pak nga ndërtimet e reja shumëkatëshe dhe zgjerimi i periferive me zona informale. Qyteti ka mbetur në planin e vet urbanistik, ndërsa të bën përshtypje si qytet me rrugë të gjera e të sistemuara.

Kukësi vuan rënie popullsie prej 24,7%, kryesisht nga largimet jashtë vendit por edhe nga rënia e numrit të lindjeve.

Dikur rajon industrial, sot në Kukës nuk ka pothuajse fare sipërmarrje të mëdha, ndërsa fokusi po u jepet investimeve familjare ku spikasin disa të tilla të ndërtuara nga familje dhe individë të rikthyer nga emigracioni.

Liqeni, fshatrat përrallorë që shtrihen në këmbë dhe në faqe të maleve, nëntoka e pasur, bimët medicianale, arrat, gështenjat, boronicat janë disa nga asetet e rajonit që mbeten për t’u shfrytëzuar për të krijuar ekonomi për banorët.

Këto vunë në dukje banorë të Kukësit në forum duke kërkuar më shumë investime në rajon, por ndërkohë nga ana tjetër, edhe pse ka hezitim për punësimin sezonal në jug, mjaft banorë punësohen në Prizren apo në qytete të tjera të afërta në Kosovë.

Projekti i IOM ndërkaq, do të vijojë me panair pune edhe në Kukës si mënyrë për të lidhur punëkërkuesit me punëdhënësit në bashkitë me fluks turistik si Vlora dhe Saranda.

Migrimi i brendshëm i shqiptarëve

Migrimi brenda vendit është fenomen i konstatuar vazhdimisht në histori, duke nisur me largimet e njerëzve nga vendlindja për shkak të pushtimit të territorit, zhvendosjet pas konflikteve, migracioni për kushte më të mira jetese dhe strehimi.

Pas viteve ’90 migrimi i brendshëm u shoqërua me largime masive nga zonat verilindore drejt atyre qendrore kryesisht drejt Tiranës dhe Durrësit, sikundër edhe zhvendosje nga fshati në zonat urbane.

Sipas INSTAT, në vitin 2020, në nivel qarku, vetëm Tirana dhe Durrësi kishin një migrim të brendshëm pozitiv.

Durrësi dhe Tirana janë qarqet e vetme me një koeficient bruto të migrimit të brendshëm pozitiv, përkatësisht me një shtesë prej 8,4 për Durrësin dhe 6,7 për Tiranën (persona për një mijë banorë).

Kjo do të thotë se vetëm këto dy qarqe kanë rritje të popullsisë, ndërsa qarqet e tjera si në veri ashtu edhe në jug vuajnë largime të njerëzve.

Qarqet e Dibrës dhe Kukësit kanë nivelet më të ulëta të koeficientit bruto të migracionit të brendshëm neto, përkatësisht me -16,1 dhe -11,7 persona për një mijë banorë.

1 nga 10

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›