E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të miratohet një rezolutë për çështjen çame”

24/06/2011  Kërkesa e Idrizit

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka kërkuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë miratimin e një rezolute për çështjen çame. “Parlamenti i 2011-s nuk është parlamenti i turpshëm i 2004-s, i cili nuk guxoi të miratonte një rezolutë që vetëm sa i kërkonte drejtësi evropiane fqinjit tonë verior për gjenocidin e kryer mbi popullsinë çame. Policia që rrethonte parlamentin sikur ata të mos ishin shqiptarë, mendoi të ngrinte dorë dhe të përgjakte ata pleq, që donin drejtësi nga Parlamenti i shqiptarëve. Po ja u kujtoj këtë sepse sot është ndryshe, sot ne përfaqësuesit e këtij komuniteti jemi në parlament, pjesë e koalicionit për qytetarin një koalicion vlerash dhe ku ne kemi kontributin tonë, e presim mbështetje nga ju si shqiptarë dhe partnerë në koalicion. Rezoluta nuk është ndonjë shpallje lufte, përkundrazi, afirmim i një bashkëjetese në paqe, që duhet të ekzistojë me fqinjët, bashkëjetesë që kalon nga e drejta. Është afirmim i dinjitetit tonë njerëzor dhe kombëtar. Rezoluta synon të jetë një dokument programatik, një vijë sjellje e pashmangshme nga asnjë qeveri. Ajo do t’i kërkojë qeverisë të ngrejë në takimet me palën greke respektimin e Traktatit të Miqësisë, të konventave evropiane. Rezoluta nuk do të kërkojë gjyq historie për fqinjin, por kërkim ndjese për të lehtësuar ndërgjegjen e të gjithëve.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›