E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar pjesëmarrës, Kam kënaqësinë të përshëndes Konferencën për Promovimin e Draft-strategjisë dhjetëvjeçare të Zhvillimit të Sistemit Shëndetësor Shqiptar. Qeveria Shqiptare

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë të përshëndes Konferencën për Promovimin e Draft-strategjisë dhjetëvjeçare të Zhvillimit të Sistemit Shëndetësor Shqiptar. Qeveria Shqiptare është duke përpunuar apo zbatuar strategji kombëtare të zhvillimit për të gjithë sektorët e jetës politike, ekonomike dhe sociale të vendit, si rruga më e sigurtë drejt modernizimit dhe integrimit evropian. Për 35 muajt e ardhëshëm deri në fund të mandatit Qeveria ka programuar 500 objektiva që nxisin zhvillimin dhe modernizimin e vendit duke përshpejtuar integrimin tonë në Evropë. Ndër këto objektiva, një vend të rëndësishëm zë reforma e shëndetit publik të cilën ju po e përmblidhni në një Strategjinë Kombëtare të dëkadës në vijim.

Gjatë këtyre viteve të tranzicionit ju jeni protagonistë të shumë zhvillimeve dhe reforma vepozitive, që kanë transformuar dhe përshtatur institucionet, tregun dhe kujdesin për shëndetin publik drejt kushteve dhe kërkesave të një shteti dhe shoqërie në zhvillim, modernizim dhe integrim.
Qeveria që unë drejtoj e vlerëson shëndetësinë si një prej sektorëve prioritarë në vargun e sfidave me të cilët përballet. Prandaj financimet publike për shëndetësinë kanë ritmin më të lartë të rritjes për 3 vitet e ardhëshme sepse synohet të kalohet nga praktikat kuruese në programe parandaluese që ju mjekët i quani "profilaksia e shëndeti publik" dhe unë do të bashkohem me angazhimin e profilaksisë qeveritare në këtë fushë. Jemi të ndërgjegjshëm se reforma transformuese e shërbimit shëndetësor që i garanton shtetasve një kujdes profesional, të lirë ekonomikisht, por dhe të zhveshur nga praktikat e derisotme të abuzimit dhe korrupsionit kërkon një koncept dhe mekanizma të një menaxhimi të ri të të gjithë sistemit, pra dhe rritjen e përgjegjësisë nga të gjitha strukturat drejtuese, që nga Ministria deri në strukturat vendore.

Unë vlerësoj, ashtu si dhe ju, që suksesi i kësaj reforme që sot përmblidhet në një strategji kërkon gjithashtu një konsensus të gjerë ekonomik e social, natyrisht duke vënë në bilanc mundësitë me nevojat që ka vendi dhe sistemi shëndetësor. Për arsye objektive dhe subjektive reforma në këtë fushë deri më sot ka mbetur e pjesshme, herë pas here madje refraktare e ngadalësuar apo dhe e ndalur.

Unë vlerësoj që me stabilitetin politik të krijuar, reformat në këtë fushë duhet të zhvillohen gjithashtu si një proces i strukturuar mirë, i pandalshëm me objektiva afatgjatë dhe pa kthim mbrapa. Jam i bindur që këtij objektivi do t'i shërbejë dokumenti i strategjisë që ju diskutoni sot.

Prandaj gjej gjithashtu rastin të falenderoj organizmat ndërkombëtare si: Organizata Botërore e Shëndetësisë, Banka Botërore, UNICEF etj., që me praninë, bashkëpunimin dhe me kontributin e tyre aktiv, në vlerësimin tonë, jo vetëm kanë qënë kanë qënë dhe do të mbeten pjesë integrale e proçesit të programimit dhe implementimit të strategjisë kombëtare të zhvillimi të shëndetësisë.

Më lejoni gjithashtu me këtë rast të sjell në vëmëndjen tuaj disa nga problemet që Qeveria vlerëson se kërkojnë zgjidhje prioritare në sektorin e shëndetit publik:
Në programin tonë trevjeçar, janë ndërmarrë për herë të parë objektiva më të guximshme në fushën e sigurimeve shëndetësore, si pikë kyçe për realizimin në gjithë reformat në shëndetësi, si pjesë integrale e strategjisë suaj.
Kështu pra brënda vitit 2004, skema e sigurimeve duhet të shtrihet në të gjithë sistemin shëndetësor parësor dhe në vitin 2005 edhe në atë spitalor. Kjo duket se përbën thelbin e reformës sonë shëndetësore, por dhe parakushtin që e përqas këtë shërbim me standartet perëndimore. Me këtë reformë shëndetësia jonë shkëputet një herë e përgjithmonë nga sistemi aktual, ku ndërthurja e shërbimit publik me atë privat mbeten, ashtu si dhe në sektorët e tjerë, në kufijtë e informalitetit, por dhe të paligjshmes. Me atributet e Kryeministrit më lejoni të shpreh vendosmërinë time për ta mbështetur fuqimisht këtë stad të ri duke shqyrtuar me kujdes dhe prioritet kërkesat dhe nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institucioneve te sigurimeve shëndetësore që kjo sfidë të përballohet me sukses.

Në fazën e parë, brenda dy viteve, sigurimet shëndetësore do të rimbursojnë 100% të medikamenteve që qarkullojnë në Shqipëri. Po ashtu do të rimbursohen një varg shërbimesh të shtrenjta në spitale siç janë: Rezonanca Magnetike, Koronarografia, Skaneri etj. Pra dukshëm Qeveria vihet më mirë në shërbim të shtresave sociale në nevojë si pensionistët, nxënësit, studentët, veteranët dhe shtetasit e tjerë me të ardhura të ulëta.

Kjo strategji gjithashtu duhet të përfshijë ofrimin e shërbimeve shëndetësore për zonat rurale, me qëndra shëndetësore, shërbimet farmaceitike, kujdesin dentar e deri në përmirësimin e kushteve fizike, cilësore e menaxheriale për sistemin parësor e spitalor në qytet.
Sot sektori publik i shëndetësisë ka një rival që është sektori privat. Në disa sektorë, sektori privat ka ecur më përpara, në të tjerë është në fazë embrionale. Nuk është, besoj, e tepërt të vihet re se në disa sektorë siç është stomatologjia apo ndonjë tjetër, për shkak të pavëmendjes së duhur, të krijohet përshtypja se shteti i ka hequr dorë apo i ka "shitur" shërbimet duke shmangur kujdesin ndaj tyre dhe unë nuk besoj mund të vazhdohet më kështu. Konkurenca mes sektorit publik dhe atij privat nuk duhet kuptuar si një përjashtim dhe e keqe, por si një alternativë e cila duhet të sjellë zhvillim, konkurim dhe shërbim më të mirë vecanërisht për masën e gjërë të popullsisë. Në këtë kuadër duhet mbështetur çdo inisiativë për t'i dhënë frymëmarrje më të gjerë privatizimit si shërbim komplementar i shëndetit publik, por duhet të rrisim kujdesin që ai të garantohet nga shteti dhe Urdhëri i Mjekut me masa kontrolli të rrepta për të garantuar humanizëm dhe profesionalizëm.

Qeveria e Shqipërisë tashmë është përfshirë në një luftë pa kompromis kundër trafiqeve, krimit të organizuar, abuzimit dhe korrupsionit. Ne jemi të vendosur që këtë luftë, e cila i shërben shëndoshjes së institucioneve demokratike dhe të një ardhme të garantuar europiane të vendit, ta vazhdojmë pa ndërprerje. Sot të gjithë jemi dëshmitarë se abuzimi apo korrupsioni zënë vend të ndjeshëm në sensebilitetet dhe realitet publike edhe në shëndetësi. Shkaqe dhe arsye mund të gjenden mjaft, por ne duhet të jeni të ndërgjegjshëm se shtetasit ndiejnë më shumë se sëmundja cdo lloj praktike korruptive, por kjo ndjeshmëri rritet vecanërisht kur kemi të bëjmë me sistemin e shërbimeve publike për shëndetin. Për këtë arsye në zbatimin e reformës lufta kundër korrupsionit mbetet një një komponent i rëndësishëm i strategjisë që ju programoni, për të rritur rolin kontrollues të Ministrisë dhe të institucioneve në vartësi të saj duke ristrukturuar kontrollin instrumental dhe masat ndëshkimore ligjore dhe praktikave jo të rregullta të korrupsionit aktiv apo pasiv, sidomos në sektorin farmaceutik dhe atë klinik.
Une besoj se kjo kërkon domosdoshmërisht forcimin e Institucionit të Urdhrit të Mjekut, veprimatria e të cilit sot lë shumë për të dëshiruar. Efektiviteti i këtij organizmi do të rriste përgjegjësinë e mjekut dhe cilësinë e mjekimit nëpërmjet futjes së mekanizmave kompensues dhe ndëshkues për trajtime mjekësore të gabuara.

Në një fushë tjetër, pothuajse vepron i njëjti angazhim shtetëror dhe politik, ligjor dhe institucional, ndaj korrupsionit dhe praktikave abuzive, është ajo e drejtësisë. Kini kujdes të nderuar kolegë, në fushën e shëndetësisë korrupsioni dhe abuzimi mund të sjellë humbjen e jetës, në fushën e drejtësisë mund të vijë humbja e kredibilitetit të institucioneve. Por ju duhet të luftoni me prioritet ilegjimitetin në fushën e sitemit të shëndetit publik sepse humbasin jetë njerëzish dhe jo vetëm aspirata për të ardhmen.

Pra të jemi të qartë: roli i strukturave shtetërore mbetet përcaktues, përmes fuqizimit të strukturave publike në reformën që programojmë.
Strategjia juaj nuk besoj se është e ngurtë, por fleksibël dhe në përshtatje me kërkesat për një shërbim modern, professional, efektiv nga pikpamja ekonomike dhe konkurues me sistemin e shendetësisë private që duhet të zgjerohet. Ajo kërkon konvertimin e rolit të Ministrisë së Shëndetësisë në politikëbërëse e kontrolluese duke hequr dorë nga mjaft praktika te konceptimit dhe funksionimit të saj si qendra e trajtimit të sëmundjeve deri më sot.
Sfida që kemi ndërmarrë nuk është e lehtë, por ne jemi të bindur se me kualitete dhe njerëz të përgjegjshëm si ju do të kemi suksese në përballimin e kësaj.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›