Të nxehtit e madh shkakton zjarre dhe dëmton prodhimet bujqësore
Një valë e re të nxehti ka përfshirë sërish të gjithë kontinentin europian, duke shkaktuar pasoja të rënda edhe në zona që janë shquar për temperatura të larta edhe në verë. Temperatura përvëluese dhe një thatësirë e rrallë kanë pllakosur në Rusi së bashku me zjarret, që kanë djegur deri më tani mijëra hektarë tokë dhe kanë marrë jetën e dhjetëra njerëzve. Dëme të mëdha u janë shkaktuar edhe të korrave në Francë dhe në Itali. Ministri rus i Bujqësisë deklaroi se prodhimi i grurit për këtë vit nuk do të jetë ai i parashikuari, por shumë më i ulët për shkak të thatësirës që ka shkatërruar prodhimet e pritshme. Edhe parashikimet nuk janë aspak premtuese për një përmirësim të afërt të kohës në Rusi, ku temperatura si rrallë ndonjëherë ka kapur shifrën e 40 gradëve. Edhe Europa Perëndimore do të përballet në ditët e ardhshme me një verë shumë të nxehtë, që do të ndikojë jo vetëm në rënien e prodhimit të drithërave, por edhe të frutave dhe kulturave të tjera bujqësore. Thatësira është një tjetër rrezik i madh me të cilin po përballet Europa Perëndimore, por gjithsesi jo në përmasat e Rusisë. Sipas specialistëve, kjo verë, për sa i përket thatësirës, është më e thata e regjistruar këto 30 vitet e fundit në Europë. Në këtë stinë, një thatësirë e tillë është shkatërrimtare për prodhimet bujqësore. Sipas parashikimeve, moti për javën e ardhshme pritet të jetë shumë i nxehtë. Me këtë situatë po përballet edhe Gjermania, Polonia dhe Holanda, që të gjitha po shënojnë rekorde për sa i përket temperaturave të larta dhe thatësirës. Tendenca për thatësirën e kësaj vere nisi që në muajt e qershorit dhe të korrikut. Në disa zona ka më se tre muaj që nuk bie pikë shiu dhe që të gjitha prodhimet bujqësore janë shkatërruar. Kjo ka bërë që edhe niveli i ujërave të ulet ndjeshëm dhe si pasojë të ketë probleme edhe me prodhimin e energjisë elektrike. Pasojat e para të kësaj thatësire do të ndihen në tregun e drithërave dhe prodhimeve të tyre. Kështu pritet rritje e çmimeve të prodhimeve të drithërave gjatë stinës së vjeshtës. Si pasojë e situatës së rëndë, veçanërisht e zjarreve në Rusi, Presidenti i vendit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Në këtë vend janë shkatërruar dhjetëra fshatra dhe zjarret vazhdojnë që të djegin çfarë u del përpara.
#