Financat: Kriza ka prekur edhe bashkitë e komunat
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se kriza ekonomike ka prekur edhe njësitë e pushtetit vendor sa i takon mbledhjes së taksave. Nuk janë vetëm tatimet dhe doganat në vështirësi, por edhe bashkitë e komunat, të cilat, në 6-mujorin e parë të vitit 2010, në shkallë kombëtare, kanë mbledhur të ardhura në masën rreth 7.5 miliardë lekë. Nga këto të ardhura 85.6 për qind apo 6.4 miliardë lekë janë arkëtime të realizuara nga mbledhja e taksave vendore, kurse diferenca prej gati 1.1 miliardë lekësh ose 14.4 për qind e tyre janë të ardhura jotatimore. “Të ardhurat në total për 6-mujorin 2010 janë 270 milionë lekë, ose gati 3.6 për qind më pak se vlera e të ardhurave të mbledhura për të njëjtën periudhë të vitit 2009, kurse realizimi i të ardhurave tatimore është në masën 531 milionë lekë, apo 7.7 për qind më pak se ai i realizuar për të njëjtën periudhë të vitit 2009”, deklaron Ministria e Financave, e cila për herë të parë ka përgatitur një analizë të detajuar kushtuar pushtetit vendor, në një kohë që nuk e ka realizuar për tatimet dhe doganat, të cilat edhe ato kanë të njëjtat probleme.
Ministria ka analizuar edhe pjesën e realizimit të shpenzimeve, duke nxjerrë në pah problematikat deri në detaje të pushtetit vendor, kryesisht të bashkive të mëdha, që drejtohen nga opozita. Konkretisht, shpenzimet e kryera nga njësitë e qeverisjes vendore në shkallë kombëtare për 6-mujorin e parë 2010 kapin shumën e rreth 14 miliardë lekëve, shifër kjo që është gati 1 miliard lekë ose afërsisht 7.1 për qind më e ulët se vlera e shpenzimeve të realizuara për të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Shpenzimet e buxhetit vendor janë realizuar në vlerën 1.2 miliardë lekë, më pak se vlera e planifikuar, ose janë realizuar në masën 92.12 për qind të vlerës së planifikuar. “Të ardhurat e mbledhura përbëjnë vetëm 52.6 për qind të vlerës së shpenzimeve të kryera në fakt, pjesën tjetër, 47.4 për qind, e përbëjnë transfertat e buxhetit të shtetit”, evidenton ministria.
#