E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të paanshmit e rrezikshëm

Të parët tanë, ata që kemi mbi krye, dhe jo ata që na kanë bërë kokën - sa për t‘u kuptuar mirë që në fillim - mburren me faktin kur më pak se gjysma e popullsisë e aftë për votë merr pjesë në votime. Në Republikën e Shqipërisë, tash së fundi edhe në Kosovë, por edhe ndër vende që me demokracinë kanë pasur shansin të kenë më shumë lidhje se sa ne, politikanët e të gjitha ngjyrave brohorasin fort kur marrin vesh se në votime kanë marrë pjesë diçka më pak se 40 për qind. Duket sikur askush nuk e vret më mendjen për atë 60 përqindëshin që nuk ka denjuar të shkojë në mbledhje. Ata janë të harruar, nuk meritojnë të merren në konsideratë, janë indiferentët, mosbesuesit, egocentrikët, kryengritësit, njerëzit që mendojnë sipas mendjes së tyre dhe jo sipas atyre që u thotë partia. Në njëfarë kuptimi duket, sikur vetë partitë tek e fundit nuk janë më të interesuara se kush i fitoi zgjedhjet, por se sa këto janë legjitime. Dhe për të arritur këtë, kanë shpikur lloj-lloj pragjesh që jo vetëm në rastin tonë e përjashtojnë një pjesë të madhe nga vendimmarrja. Ata që mungojnë në zgjedhje nuk është se nuk mbajnë qëndrim politik. Përkundrazi, qëndrimi i tyre i heshtur, mosbesues, zhgënjyes që është një qëndrim për të cilin politikanët duhet t‘i vënë fort gishtin kokës, por kjo nuk ndodh.
Që në fillim të demokracisë sonë të brishtë e deri në zgjedhjet e fundit të së dielës që shkoi, ka funksionuar slogani: Nuk deshe të votoje? Tani hesht edhe për katër vjet të tjera. Të tjerët, ata që votuan kanë votuar për ty. Ti nuk ke të drejtë të flasësh. Njësoj sikur ky 60 përqindësh i të munguarve të ekzistojë diku në një planet tjetër dhe jo në shkallën e pallatit tonë. Njësoj sikur të mos thithë të njëjtin ajër, me ne, njësoj sikur të mos i hedhë plehrat në të njëjtin kosh.
Partitë e kuptojnë shumë mirë kundërshtarin, madje edhe e respektojnë atë deri në palcë. Tek e fundit e kanë ndjerë që ndajnë të njëjtin profesion. Që të jesh kundër, ata e kuptojnë fort mirë. Njëra palë apo tjetra e bën këtë gjë përditë. Po si t‘ia bëjnë atij që nuk është me asnjërën prej palëve. Ky është problem. Nëse shkoni në çdo zyrë partiake, majtas apo djathtas, nëse uleni të pini një kafe me ndonjë drejtues hijerëndë vendor, nëse uleni qoftë edhe me ndonjë militant që nuk e di edhe vetë se përse duhet të jetë me X apo Y parti, atëherë nuk do ta kini të vështirë të kuptoni se pa ndarjen e famshme: ne dhe ata, askush nuk mund të mbijetojë gjatë. Dhe ky askush, sipas gjasave zë shumicën e popullit shqiptar, të paktën brenda kufijve të sotëm shtetërorë. "Me kë je vëlla?", kjo pyetje, dashamirëse në dukje, është nga më vdekjeprurëset për demokracinë tonë të brishtë. Ajo e bjerr individin, e çon në llogore duke pritur një betejë që nuk do të ndodhë, njësoj si qëmoti, e detyron të mendojë me trutë e të tjerëve dhe në fund të fundit, e shpie deri atje sa të shesë hijen e vet. A mund të mendohet një njeri që nuk lëshon hije që në mëngjes? Nëse do të pranojmë formulën e ndarjes, të cilën partitë e kanë fort për zemër, ne dhe ata, atëherë të gjithë do të bëhemi njerëz pa hije, apo më keq akoma, hije pa njerëz.
Në politikën tonë, kur e djathta shumë herë është më shumë e majtë se vetë e majta dhe kur e majta bën shumë herë të djathtën, duket se ndarjet ideologjike janë fare të kota. Partitë janë si ushtritë ku individi duhet të zbatojë urdhrin. Pastaj vjen togeri, kapiteni, koloneli deri te shtabi i përgjithshëm, të cilit i vënë emra miklonjës si KKP, KPD, KKK, sidoqoftë të tërë emra që fillojnë me germën "K", por që fshehin në vetvete idenë e shtabit të përgjithshëm. Pas këtij vjen sekretariati, pleqësia, e kështu me radhë, një tufë njerëzish të zgjedhur për besnikërinë e tyre ndaj partisë dhe jo për pavarësinë e mendjes së tyre. Kulmi arrin me liderin, që është njeriu i adhuruar prej të gjithëve. Ai i vendos pikat mbi "i", por edhe mbi ndonjë tjetër zanore nëse ka mbetur pa pika. Të gjitha këto struktura ngazëllehen edhe në qoftë se humbasin votimet. Për ta ka rëndësi nëse fitojnë, por më shumë rëndësi ka nëse votimet janë të rregullta, të paktën nga pjesëmarrja në zgjedhje. Edhe nëse humbasin shtabet, sekretarët, komandantët, prapë do të jenë brenda tavës së politikës dhe brenda saj do të thotë të jenë bashkë me kundërshtarët e tyre. Opozitë dhe pozitë, të dyja bashkë përbëjnë pushtetin dhe kjo ka për ta më shumë rëndësi se çdo gjë. Po ajo tufa e indiferentëve të paanshëm që nuk shkoi në votime? Ah, po janë edhe ata… Po ata kanë dalë tashmë nga skema "ne dhe ata", kështu që, megjithëse përbëjnë shumicën nuk i duhen askujt, meqë preferojnë të heshtin në zhgënjimin e tyre. Kjo temë nuk është vetëm problem i demokracisë tonë, por në një vend si i yni, qëndrimi i tyre pa zë, mbase duhej marrë më shumë në konsideratë. Në këtë rast partitë ngazëllyese duhej ta kishin pyetur më shumë veten: Çfarë kanë këta njerëz që nuk kanë besim te ne? Po kjo duhet të jetë një detyrë shumë e vështirë për njerëzit që mundohen si e si të ruajnë privilegjet e tyre. Kjo histori mund të vazhdojë shumë gjatë, por më mirë le t‘i kthehemi ndonjë shembulli që na vjen nga vende të tjera.
Oriana Fallaci, gazetarja e ndjerë italiane, kohë më parë duke trajtuar pikërisht temën e njerëzve aktivistë të heshtur pat hedhur në letër një histori që pak a shumë është kështu: Rip van Uinkle ishte një holandez. Ëndrra për një jetë më të mirë e dërgoi në Amerikë. Këtu jetoi duke bërë punë të rënda dhe duke u përleshur fytafyt me indianët lëkurëkuq. Si kaluan do kohë, Ripi dhe familja e tij, tashmë e shtuar në numër, vendosën të ngulen në qytet. Dhe zgjodhën një grumbull godinash prej druri, bash e në vendin ku sot ngrihet Nju Jorku. Ripi i ngratë u mahnit nga ndërtesat. Ishte mësuar të jetonte në kasollen e tij prej lëvoresh peme. Brodhi sa brodhi duke kthyer ndonjë kriko birrë, por u frikësua nga disa njerëz që mbanin fjalime dhe që shanin njëri-tjetrin. Ishe fillimi i shekullit XIX. Amerika po niste rrugën parlamentare. Po Ripi ynë nuk kishte se si ta dinte këtë. Vonë, shumë vonë, njëri nga oratorët e vuri re këtë njeri që nuk i vinte veshin as tij dhe as debatonjësit. "Më ke je ti, se nuk po të marrim vesh?", e pyeti politikani i egërsuar gjuetarin e lodhur. "Unë? Me familjen time", është përgjigjur i paanshmi. Kaq ka mjaftuar. Të dyja palët i dhanë një dajak të mirë atij që denjoi të mos ua vinte veshin. Që t‘i shpëtonte drurit Ripi duhej të ishte "o me ne, o me ata". Vetëm kështu do të fitonte një fije dinjitet.
Sigurisht që kohët kanë ndryshuar. Tani nuk të rreh njeri meqë nuk je me asnjërin. Por gjithsesi duart u hanë të dyja palëve sa kohë që nuk je as "ne" dhe as "ata" dhe je vetëm "një mistrec i padëgjueshëm". Atëherë bëhesh fort i rrezikshëm. Dajakut mund t‘i shpëtosh, por vendin e punës harroje. Partitë, ose njerëzit me mend brenda tyre, bëjnë mirë të kujtohen se përse gjithnjë e më shumë njerëz e ndjejnë të kotë të votojnë, përse për shumë prej tyre është njësoj si të jetë e majta në pushtet, si të jetë e djathta? Përse politika po bëhet një botë gjithnjë e më e largët nga kjo e tokësorëve shqiptarë? Po të kenë dëshirë e gjejnë përgjigjen. Por vështirë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›