E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, projekti i ri për ndërtimin e banesave sociale

banesa sociale per te pastrehetQeveria miraton truallin për ndërtimin e banesave sociale, përfitojnë edhe ushtarakët
Familjet e pastreha në Tiranë, por jo vetëm do të mund të përfitojnë nga projektet e qeverisë por ndërtimin e banesave sociale. Duke qenë se numri i të pastrehëve në të gjithë vendin është rritur shumë vit pas viti, Qeveria ka ndërmarrë një tjetër vendim për tiu ardhur në ndihmë kësaj kategorie. Në mbledhjen e djeshme Qeveria ka miratuar truallin për ndërtimin e banesave për të pastrehët e sistemuar në godinat e Institutit Bujqësor dhe ish Institutit të Kërkimeve Biologjike.
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për Entin Kombëtar të Banesave, të sipërfaqes 10 mijë metra katror truall, pjesë e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky truall do të përdoret për ndërtimin e banesave për qytetarët e pastrehë, të sistemuar aktualisht në godinat e Institutit Bujqësor dhe në godinën e ish Institutit të Kërkimeve Biologjike, në Tiranë. Përfituesit e këtyre banesave do të jenë qytetarët e pastrehë të sistemuar në këto godina dhe 10 për qind e banesave të ndërtuara, për ushtarakët e pastrehë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Aplikimi
Tirana, është një prej qyteteve me numrin më të lartë të të pastrehëve, me më shumë se 5 mijë aplikime. Për këtë në Bashkinë e Tiranës prej vitesh ka nisur aplikimi nëpërmjet një formulari që tërhiqet në njësinë bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular plotësohet me vërtetësi dhe më pas noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën e të dhënave elektronike të drejtorisë. Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës ka mundësuar lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar qytetarëve të Tiranës, me anën e të cilit mund të menaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ.
Arkivimi
Në veçanti, programi bën të mundur arkivimin e të dhënave duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximin individual dhe të përbashkët të të dhënave, menaxhimin e dokumenteve plotësuese, aplikimin e sistemit të pikëzimit, formimin e listave të përfituesve. Bashkia e Tiranës është në fazën e grumbullimit, administrimit dhe regjistrimit të këtyre formularëve të strehimit me qëllim rikategorizimin e të pastrehëve në qytetin e Tiranës. Bazuar në kuadrin ligjor të mësipërm, me vendim të Këshillit Bashkiak pranë Bashkisë Tiranë është ngritur një Komision Strehimi si organ këshillimor për të gjitha problemet dhe veçantitë që paraqet kjo fushë.
Kosto e ndërtimit
Pak ditë më parë Qeveria ka miratuar edhe kostot e ndërtimit për banesat sociale. Këshilli i Ministrave vendosi koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave. Në shkallë republike për vitin 2013, ajo do të jetë 37 806 lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. Qeveria ka përcaktuar gjithashtu edhe koston në qytete të ndryshme. Për qytetet, për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, të merren vlerat e kostos së ndërtimit të qytetit më të afërt. Vlerat mesatare të banesave në tregun e lirë nuk mund të përdoren për t’iu referuar zonave të afërta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›