20 shkurti 91, zbardhet raporti sekret për sindikatën e pavarur
Nga Luan Shtëpani
-Ngjarjet e shkurtit 1991 dhe greva e përgjithshme e 16 majit-
Rezistenca përballë pushtetit të kohës
Solidaritet dhe sakrificë në emër të lirisë dhe demokracisë. Kështu mund të përkufizohen lëvizjet e para të punonjësve të udhëhequra nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare. Sipas historikut të BSPSH-së më 4 janar të vitit 1991, si rezultat i shtypjes së egër nga diktatura, kushtet e këqija të punës dhe të varfërisë ekstreme, në minierën Demokracia në Valias, filloi revolta e parë e punonjësve të kësaj miniere. Në ditën e parë të grevës, e cila ishte e para protestë në historinë e punonjësve shqiptarë gjatë 50 viteve të regjimit komunist, u kërkua: Të ngrihet paga 100 për qind; Shkatërrimi i plotë i ish Bashkimeve Profesionale, që ishin rripa transmensioni të partisë në pushtet.; përmirësimi i kushteve të punës; largimi i administratës komuniste. Në ditën e dytë u solidarizuan edhe minierat e tjera të Tiranës. E gjithë industria e nxjerrjes së qymyrit u paralizua. Përballë kësaj situate të rëndë, Qeveria u detyrua të realizojë kërkesat e minatorëve. Kjo grevë, tashmë, ka hyrë në historinë e artë të lëvizjes punëtore në Shqipëri. Ajo u mësoi për herë të parë punonjësve shqiptarë se çfarë është protesta dhe i dha kurrajon të ngrihen për të drejtat e tyre. Me themelimin e BSPSH, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH) bëhet shtylla e saj kryesore, gjë që influencoi fuqishëm në krijimin e federatave të tjera të profesioneve.
Ngjarjet e shkurtit
Viti 1991, dimër i ashpër në Shqipëri, e megjithatë shqiptarët nuk do të përkuleshin përpara vështirësive. Rrëzimi i murit të Berlinit dhe momenteve dramatike që kulmonin në vendet ish- komuniste transmetonin erën e lirisë dhe të demokracisë edhe në Shqipëri. Lëvizja studentore i dha impuls të paparë fillimit të pluralizmit politik në vend. Kjo lëvizje frymëzoi gjithë popullin, por shteti komunist nuk donte të dinte për asgjë. Ai e ndiente veten akoma të fortë. Kishte çdo gjë në dispozicion; pushtetin, ushtrinë, policinë dhe sigurimin e shtetit. Diku hapur e diku fshehur po vazhdohej me metoda të sofistikuara. Kishte ardhur momenti më delikat në historine e kombit shqiptar.
Raporti sekret
Sipas një raporti sekret drejtuar Komitetit Qendror të PPSH për ngjarjet e 20 shkurtit ndodhur në qytetin e Tiranës, drejtoria e Policisë informon se në mbrëmjen e 19 shkurtit 1991 në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës sapo kishte përfunduar mbledhja e sindikatës së pavarur ku u vendos që të nesërmen të ndërpritej puna në ndërmarrje në shenjë solidariteti me studentët grevistë, ku dhe do të shkohej në qytezën e tyre.
Drejtues të sindikatës, për këtë ditë, kanë pohuar se kjo mbledhje u organizua për ti dhënë karakter mbarëpopullor, ku morën pjesë prindër dhe të afërm të studentëve të cilët me diskutimet e tyre elektrizuan sallën. Të gjithë ishin të preokupuar për fatin e studentëve, sepse ato nuk i përkasin vetëm familjes së tyre, por gjithë popullit dhe kombit shqiptar. Ato do të ishin politikanët dhe qeveritarët e së nesërmes, të zhvillimit të vendit dhe bashkimit të kombit. Në këto momente u bë thirrja që të gjithë të mblidhen tek studentët me slloganin do ti shpëtojmë ata, se nuk ka forcë për të ndaluar ecjen përpara. Pasi kanë vëzhguar me kujdes situatën (sipas raportit), mblidhen menjëherë drejtuesit e ministrisë së Brendshme dhe të policisë së Tiranës. Raportohet se punëtorët mund të linin punën, dhe se gjendja bëhej më serioze nëse nuk do të punonin ndërmarrje të tilla si ajo e miellit, e bukës, qumështit etj. Në raport shkruhet se grumbullimet e mëparshme në qytetin studenti ishin shqetësuese dhe se mund të ndodhte që të bëheshin thirrje për të bërë manifestime para Presidencës, Kuvendit dhe Kryeministrisë. Për këtë policia kishte vendosur të mbylleshin me forca të përqendruara, të gjithë rrugët që lidhnin rrugën Labinoti me bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe sheshin Skenderbej. Kalimi do të lejohej vetëm për individë dhe grupe të vogla njerëzish. Ndërsa punëtorët që do të largoheshin nga puna për të shkuar tek studentët që ishin në grevë, të lëviznin në mënyrë të detyruar në drejtime të caktuara, pa u dhënë mundësi të përqendroheshin në sheshin Skënderbej dhe pranë objekteve të përmendura me lart. Po sipas këtij raporti, punonjësit që braktisën punën filluan të lëviznin qetësisht drejt qytezës së studentëve me përjashtim të punëtorëve të Valiasit të cilët hidhnin parrulla politike me përmbajtje fyese dhe shpifëse. Sheshi u tejmbush, ndërsa kolonat e njerëzve që vinin nga ndërmarrjet vazhdonin të ngjiteshin për tek ky shesh. U hodhën parrulla politike, ku folësit shprehën solidaritet me studentët, kritikuan Qeverinë dhe kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sipas policisë, në ballkonin e konviktit pas thirrjeve për qetësi dhe që të ruheshin nga provokacionet u shfaq një banderolë ku shkruhej Drejt sheshit Skenderbej. Policia raporton me detaje të gjithë itinerarin e protestuesve, përplasjet me policinë, deri në mbërritjen e qytetarëve para Muzeut Historik Kombetar. Tregohen veprimet e policisë dhe tubuesve deri në rrëzimin e bustit të E. Hoxhës. Policia për tu justifikuar, shprehet se shtatorja kishte kohë që mbrohej me shërbim për të evituar shkatërrimin me dinamit ose rrëzimin me tërheqje me automjete të tonazhit të madh. Edhe më 20 shkurt qëndronte i gatshëm veç forcave dhe një oficer xhenier, ndërsa hyrja e automjeteve ishte bllokuar. Për policinë ishin shumë faktorë që ajo dështoi në mbrojtjen e bustit.
Mbledhja e 22 shkurtit 1991
Në procesverbalin e mbledhjes së këshillit të ministrave e 22 shkurtit 1991 që drejtohej nga ish -presidenti i ndjerë R. Alia shkruhet se do të krijohej këshilli presidencial dhe një qeveri e punës. Këshilli presidencial do të ishte një këshill konstruktiv pranë kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, por në të njëjtën kohë ka nevojë që të formohet edhe një qeveri e re pune deri në zgjedhje. Pranohet se në këtë situatë do të shkelen disa norma dhe rregulla. Këshilli presidencial nuk është parashikuar në Kushtetutë megjithëse është një organ konstruktiv pranë kryetarit të presidiumit të kuvendit popullor, pra nuk ka karakter normativ dhe legjislativ. Po kështu, bie ndesh me kushtetutën edhe çështja e qeverisë.
E kështu do të vazhdonin ditët me tension. Tashmë fatet e ndryshimeve do ti merrnin në dorë sindikatat. Faktet treguan se sa e vështirë do të ishte për përfaqësuesen e punonjësve e cila survejohej në çdo hap deri në detaje(raporti sekret). Por asgjë nuk e ndali BSPSH -në deri në dorëheqjen e qeverisë.
Greva e përgjithshme
Më 16 Maj 1991 u shpall greva e përgjithshme, që nga përmasat ishte greva e parë më e madhe në historinë e popullit tonë, si edhe nga më të rrallat në botë me këtë shtrirje dhe kohëzgjatje. Nga kjo grevë iu drejtuan qeverisë 17 kërkesa. Këto kërkesa iu drejtuan për dijeni edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në deklaratën e botuar nga BSPSH lidhur me grevën e përgjithshme thuhet: Burokracia në pushtet duke mbuluar paaftësin