Të pastrehët tani mund të blejnë banesa me koston e ndërtimit
Vendimi i qeverisë lejon ndërhyrje që banesat të blihen minimalisht. Rastet emergjente për të pastrehët përcaktohen nga bashkitë
Erald Kapri
Qeveria ka hapur rrugën me anë të një vendimi që të pastrehët mund të blejnë, me ndërhyrjen e shtetit, banesa me koston e ndërtimit. Sipas vendimit, të pastrehët që janë të regjistruar si të tillë në organet e pushtetit lokal mund të përfitojnë shtëpi sa kostoja e ndërtimit dhe pjesën tjetër e subvencionon shteti. Kështu, çdo i pastrehë që ka pak mundësi financiare mund të blejë shtëpi. Blerja e një banese mund të bëhet me kredi ose me këste. Qeveria ka përcaktuar se blerja e banesave me kosto të ulët në treg do të bëhet në bazë të çmimit kufi, të përcaktuar si mesatare e çmimit me të cilin janë shitur banesat në tregun e lirë. Banesat me kosto të ulët, si rregull, blihen në qytete ku çmimi і shitblerjes së tyre në treg është më і ulët ose і barabartë me koston e ndërtimit të banesave nga shteti. Në qytete të tjera, banesa me kosto të ulët mund të blihet për zgjidhjen e rasteve emergjente të strehimit. Miratimi і rasteve emergjente, kur programi zbatohet nga bashkitë, bëhet me vendim të këshillit bashkiak, ndërsa kur programi zbatohet nga Enti Kombëtar і Banesave miratimi bëhet nga ministri і Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me kërkesë, të motivuar dhe të miratuar, të këshillit bashkiak, vetëm për ato raste kur në ato bashki nuk ka banesa shtetërore në ndërtim.
Kostot e banesave
Për llogaritjen e çmimit mesatar, bashkitë і referohen çmimit mesatar të shitblerjeve të banesave në treg që miratohet çdo vit me udhëzim të qeverisë, sipas llogaritjeve të Entit Kombëtar të Banesave. Brenda kufirit të përcaktuar në udhëzim, çdo bashki miraton një çmim mesatar për zona të ndryshme të qytetit, sipas metodologjisë së miratuar prej tyre. Me disponimin e fondeve për blerjen e banesave me kosto të ulët në treg, ndërtuesi që zbaton programin përcakton numrin dhe strukturën e apartamenteve që mund të blihen, si dhe njofton personat e miratuar me vendim të këshillit bashkiak për t’u trajtuar me banesë me kosto të ulët, për ta gjetur banesën në treg, sipas çmimit kufi.
Afatet dhe përfituesit
Personit të pastrehë i njoftohet afati kur mund të blejë banesë me kosto të ulët dhe і lihen jo më shumë se 3 muaj kohë për të gjetur banesën në treg. Për arsye të motivuara, ky afat mund të shtyhet edhe tre muaj të tjerë. Pas skadimit të këtij afati, strukturat që zbatojnë programin shpallin njoftim publik për blerjen e apartamenteve në treg. Njoftimi bëhet nëpërmjet mjeteve të informimit publik të paktën në dy prej të përditshmeve, me tirazh më të lartë, për 15 ditë kalendarike. Banesat, e identifikuara për blerje, inspektohen përpara fillimit të procedurave për të parë nëse plotësojnë kushtet teknike dhe higjienike nga inspektorë të higjienës dhe inxhinierë civilë. Kur banesa do të blihet për një person me aftësi të kufizuar, ajo duhet të plotësojë normat në fuqi për personat me aftësi të kufizuara, shmangien e barrierave arkitektonike, edhe pse me fonde publike në këto raste mund të përballohen shpenzimet për realizimin e ndërhyrjeve minimale, si prishja e shkallës hyrëse dhe zëvendësimi me rampe, vendosja e korrimanos në shkallë, zgjerimi і hapësirës së derës hyrëse të apartamentit dhe vendosja e korrimanove në banjë. Edhe bashkitë e vogla dhe të mesme ndihmohen me financime nga buxheti і shtetit për përshtatjen e banesave në bazë të projekteve dhe preventivave. Banesa mbetet në pronësi të subjektit financues deri në shlyerjen e plotë të vlerës së saj nga përfituesi. Mënyra e shlyerjes së vlerës së banesës përcaktohet nga subjekti që ka financuar blerjen e banesave në treg. Në rast se banesat janë blerë nga Enti Kombëtar і Banesave, mënyra e shlyerjes së vlerës përcaktohet me udhëzim të ministrit të Transporteve. Qeveria ka ngarkuar me përgjegjësi ligjore bashkitë, Entin Kombëtar të Banesave dhe subjektet e tjera që financojnë për zbatimin e programeve të blerjes së banesave me kosto të ulët, për zbatimin e këtij vendimi.
14 Shkurt 2008