E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale, Bode nënshkruan marrëveshjen e kredisë me 8 bashki

Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi në emër të qeverisë marrëveshjen për një kredi prej 25.3 milionë eurosh që do t’i jepen 8 bashkive për zbatimin e projektit “Ndërtimi i banesave me qëllim social”. Kredia është dhënë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe nënhuazohet për bashkitë nga qeveria shqiptare. Në ceremoni morën pjesë drejtuesit më të lartë të Bashkisë së Tiranës, të Durrësit, Korçës, Elbasanit, Peshkopisë, Beratit dhe Kavajës, që janë dhe përfituesit e kredisë. Ministri i Financave Bode falënderoi Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës që mundësoi dhënien e kësaj kredie dhe kryebashkiakët përfitues të saj për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në përgatitjen e këtij projekti. “Në kuadër të thellimit të decentralizimit që ka ndërmarrë qeveria, ky projekt prej 25.3 milionë euro do të menaxhohet nga bashkitë duke filluar që nga ky vit për ndërtimin e banesave sociale”, - tha ministri Bode, i cili njoftoi se me këtë fond do të ndërtohen 1150 banesa. Në emër të bashkive ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Bashkive, Refik Rugia, kryetar i Bashkisë së Kavajës, i cili e quajti kredinë “një hap konkret të decentralizimit të pushtetit vendor”. Kushtet me të cilat jepen fondet janë mjaft lehtësuese për bashkitë, të cilat marrin përsipër të shlyejnë vetëm principalin e kredisë. Interesat dhe komisionet e tjera të përcaktuara në marrëveshjen e kredisë do të përballohen nga Ministria e Financave. Për disa bashki, të cilat janë me aftësi të pamjaftueshme financiare, si Bashkia e Elbasanit, Fierit, Kavajës, Beratit dhe Peshkopisë, qeveria financon edhe koston lokale të projektit (përjashtuar TVSH-në).

Kredia

CEBD ka akorduar një kredi 15,18 milionë euro

Bashkitë pjesëmarrëse, 8,92 milionë euro

Qeveria qendrore, 1,2 milionë euro (pa përfshirë TVSH-në dhe interesat e kredisë).

Totali, 25,3 milionë euro

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›