E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrojmë vetë pisllëkun e votave

Nga Bashkim Kopliku

Ky pranim masiv i grabitjes së votës së Tiranës (janë së paku 25% të votuesve që e pranojnë si të drejtë këtë grabitje, ku më të ndoturit janë janë juristët), na ndot të gjithë ne shqiptarët.  Ndërrohen rregullat e zgjedhjeve pasi kanë mbaruar zgjedhjet, dhe nuk ngrihemi të gjithë e tu them: boll, e tepruat, si nuk e kuptuakeni se kësaj here po pranohet zyrtarisht të thyhet ligji dhe morali ditën për dielle kjo ndryshon shumë nga gara e zakonshme, e shfrenuar, se kush e kush do të vjedhë më shumë vota në errësirë, me fletë të hedhura natën etj.  Nuk duhet ti biem qylit duke thënë po të huajt përse nuk ndërhyjnë!: duhet ti pastrojnë vetë pisllëqet tona!

Militantët e kryeministrit përsërisin si papagalli: fletët e hedhura në kutinë e gabuar kanë të shkruar në to vullnetin e atyre votuesve që i kanë hedhur ato.  Pra, çdo fletë votimi e hedhur në kutinë e gabuar, ku shenji i kandidatit është për brinjë emrit të Lulzim Bashës, shprehka vullnetin e atij që e ka hedhur fletën në kutinë e gabuar, pra që ai person paska dashur të votojë për Bashën.  Aq të bindur e paraqesin veten, saqë ulërijnë e nuk dëgjojnë fare zërin e logjikës elementare, që vërteton se nuk është fare ashtu, por siç do të shpjegojmë më në vijim.

Në kutitë e gabuara, siç ka fletë votimi që janë hedhur gabimisht, pra pa dashje, po ashtu ka edhe fletë votimi që janë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar.  Në kutitë e gabuara nuk janë vetëm fletë që janë hedhur gabimisht, si rezultat i gabimit njerëzor; pra nuk janë vetëm fletët e atyre votuesve, që me gjithë kujdesin e madh të komisioneve, që kishin vënë një njeri që ti orientonte votuesit tek kutia e drejtë, prapë se prapë gabuan.  Në ato kutitë e gabuara ka edhe fletë që janë hedhur qëllimisht aty: për ta djegur votën për Bashën, duke e hedhur në një kuti ku vota bëhej e pavlefshme.  E janë pikërisht 91 vota të gjetura më shumë për Bashën, apo 35% të votave të hedhura në kutitë e gabuara, ato që janë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar (këtë e kemi vërtetuar në një shkrim të më përparshëm).  Në vijim një shembull real.

Së paku tre persona më kanë shkruar sesi e përse e kanë bërë një veprim të tillë: hedhjen qëllimisht të fletës së votimit në kutinë e gabuar.  Njëri nga ata, është një zonjë e re, oficere e policisë.  Nuk donte të jepte votën për Bashën, por kishte frikë ta plotësonte fletën kundër Bashës.  E shkreta oficere, po ta plotësonte votën kundër Bashës, kundër ministrit të saj, kishte frikë se mos ia lexonin tek tavolina ku po e plotësonte fletën,.  (Unë them se ka pasur frikë të tepruar, bile them se frika në rastin e saj, rrjedh edhe nga njohja profesionale e çimkave, e mjeteve moderne të përgjimit.  Nejse, nuk po e zgjas se përse ajo kishte frike: kishte frikë e kaq.)  Zgjidhja që ajo bëri, ishte që fletën e votimit e plotësoi në tavolinë si votë për Bashën, dhe pastaj bëri sikur u ngatërrua, dhe qëllimisht e hodhi tek kutia e gabuar, aty ku dihej që vota bëhej e pavlefshme.  Nuk ka njeri në botë, që të thotë se vota e numëruar në kutinë e gabuar, e asaj oficeres së policisë, ishte për Bashën, pra që ajo zonjë kishte votuar, kishte pasur vullnetin të jepte votën për Bashënkëtë nuk mund ta thotë as militanti, e as edhe gjykatësi më idiot.

Me siguri do të ketë edhe mendime të tjera për natyrën votave në kutitë e gabuara, por të gjitha vërtetojnë se ato vota nuk janë si votat në kutitë e duhura, pra nuk shprehin me siguri vullnetin që ka dashur të shprehë zgjedhësi, prandaj dhe janë, e dhe duhet të konsiderohen të pavlefshme, pra nuk duhet të mblidhen në asnjë mënyrë me votat e vlefshme.  Votat në kutitë e gabuara, ehe aty ku mund tu jenë mbledhur me votat në kutitë e duhura, diku jashtë Tiranës, duhet të hiqen, si gabim.

Shqiptarë, mos ua lini detyrë të huajve, të gjykojnë në vendin tonë: ne vetë duhet të kemi forca të pastrojmë pisllëqet tona: votat e hedhura në kutinë e gabuar, janë vota të pavlefshme, dhe kaq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›