E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, dëmshpërblim deri në brezin e 4-tërt

Drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari konfirmoi dje se po punohet dhe është në përfundim dokumenti i ri ku do të kërkohet, që vetëm për këtë kategori, të zgjerohet brezi i përfituesve nga shtresa e ish-te persekutuarve politike 

TIRANE-Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se shumë shpejt do të paraqitet për miratim dokumenti që parashikon zgjerimin rrethit të njerëzve që përfitojnë dëmshpërblim nga fondi i ish-të persekutuarve politikë. Drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari konfirmoi dje se po punohet dhe është në përfundim dokumenti për të bërë këtë shtesë, nisur dhe nga propozimi i deputetit Astrit Bushati. "Ne shumë shpejt do të paraqesim në parlament në një dokument të veçantë, amendimet e ligjit për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarve politikë, ku do të paraqesim kush do të përfitojë dëmshpërblim në rastet kur ish-të dënuarit nuk kanë lënë trashëgimtarë të parë", - u shpreh dje ajo. Ajo informoi se ligji që është në fuqi ua mohon dëmshpërblimin atyre të burgosurve që nuk kanë fëmijë dhe prindër, pra brezin e parë të të afërmve. Me dokumentin e ri do të kërkohet, që vetëm për këtë kategori, të zgjerohet brezi i përfituesve. "Në këto raste do të aplikohet dëmshpërblimi për motrën dhe vëllanë. Nëse edhe këta janë të vdekur, atëherë këtë dëmshpërblim do ta përfitojnë nipërit e mbesat, pra brezi i katërt i të pushkatuarit apo atij që ka vdekur në burg", - u shpreh më tej Xhaferllari.
Por kjo ministri ende nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e ish-të përndjekurve se si do të dëmshpërblehen të pushkatuarit pa gjyq, që janë ekzekutuar nga komunistët para 29 nëntorit 1944. Shoqatat e ish-të persekutuarve pretendojnë se komunistët, edhe pse nuk kishin marrë ende pushtetin, kanë vrarë dhe ekzekutuar pa gjyq intelektualë apo antikomunistë. 

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›