Të përndjekurit politikë, nga Shkodra në Vlorë: “Gjenocidi komunist po merr dënimin e merituar”
TIRANE - Shoqata Kombëtare Antikomuniste e ish të përndjekurve politikë ka përshëndetur ditën e djeshme miratimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të Lartë”.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp kryetari i kësaj shoqate, Skënder Qendro ka deklaruar se “Gjenocidi komunist ka marrë dënimin e merituar në të gjithë Evropën Lindore, vende të cilat përjetuan tmerret komuniste, por kurrsesi në masën që vuajtën shqiptarët e të gjitha moshave”.
Qendro deklaroi se “Me këtë rast ne ish të persekutuarit dhe të përndjekurit politikë falënderojmë Kuvendin për miratimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave zyrtare”.
Shoqata Kombëtare Antikomuniste nuk i ka mirëpritur qëndrimet më të fundit të ndërkombëtarëve, duke deklaruar se “Jemi habitur nga deklarata e ambasadorit të OSBE, mandati i të cilit nuk ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri. Asnjë i huaj në fakt s’mund të kuptojë se çfarë vuajtjesh kemi kaluar ne shqiptarët, gjatë periudhës së diktaturës komuniste”.
Në deklaratë theksohet se “Kjo është një çështje e historisë sonë, dhe çlirimi i institucioneve nga kriminelët është konsolidim i institucioneve demokratike”.
Në emër të kësaj shoqate, Qëndro deklaroi se “Nuk ka Kushtetutë në vende të lira demokratike, që të kenë mandate mbi krimin”, përfundon deklarata e shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish të përndjekurve politikë.
Edhe degët e Vlorës të 3 shoqatave që tubojnë ish-të përndjekurit politikë kanë shprehur dje mbështetjen e tyre për qendrimin e mazhorancës, duke vlerësuar rëndësinë e votës që do të mundësojë pastrimin e institucioneve shtetërore nga bashkëpunëtorët e regjimit enverist