Të plagosurit në Gjykatën e Apelit lënë spitalin në gjendje të mirë, akuza për manipulim me letra false të procesit

Dy të plagosurit e ngjarjes tragjike të një dite më parë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, kanë lënë spitalin rreth mesditës së kësaj të marte (7 tetor).
Mjekët kanë trajtuar plagët sipërfaqësore që morën gjatë të shtënave me armë në sallën e gjyqit për të vijuar të qetë në banesë trajtimin e mëtejshëm.
Ndërkohë në ambientet e Spitalit të Traumës, nipi i 65-vjeçarit Rakip Kurtaj, pasi i shprehu ngushëllimet familjes së gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, tha se proceset gjyqësore kanë qenë të manipuluara.
“E ngushëlloj familjen e tij dhe inshallah janë me jetë, por këta [të afërmit e tij] nuk kanë pasur asnjë lloj gjëje. Axha im nuk ka marrë gjë me zor, as nuk ka pasur probleme me kurrkënd ndonjëherë. Ai burri i huaj që ka vrarë dje… janë zhytur. Kanë marrë lekë me fajde duke paguar gjyqësorin, duke paguar… E dinë vetë se ku i kanë paguar lekë. Prona do të jetë pronë e axhës. Drejtësia të merret me ta,” tha i afërmi i të plagosurve.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/