Të premten Kuvendi debaton për Luginën

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesë të deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri të premten do të debatojnë lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë.
“Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca plenare e radhës të mbahet të enjten. Kurse të premten Kuvendi do të mbajë një debat parlamentar lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, sipas kërkesës së deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri”, ka deklaruar kryeparlamentari Jakup Krasniqi të hënën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës të enjten pritet t’i ratifikoj vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, Gjilan dhe në Mitrovicë. Po ashtu Kuvendi pritet të miratoj Statutin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, si dhe Statutin Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë./Indeksonline/