E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Plani i zbatimit do të respektohet në tërësi

Zbatimi i marrëveshjes do të nisë ashtu siç është paraparë me planin e zbatimit i cili së shpejti do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës ka thënë kryeministri i vendit Hashim Thaçi. Ai ka deklaruar se ka takuar ndaras dy aktorët kryesor që do të ndihmojnë në zbatimin e planit EULEX-in dhe KFOR-in sa i përket heqjes së barrikadave dhe lirisë së lëvizjes në veri. Por Thaçi nuk ka dhënë datë të saktë se kur do të mund të lëvizin lirshëm kosovarët në atë pjesë të territorit të vendit, raporton KTV-ja. Duke u shprehur optimist se plani do të zbatohet, ai ka thënë se ka indikacione edhe nga ana e Beogradit se do t’i përmbahet pikë për pikë planit të marrëveshjes dhe zbatimit të saj. Ai nuk ka folur se kur do të fillojë zbatimi i këtij plani, por ka thënë se gjithçka është e qartë, në dokumentin për planin e zbatimit dhe se ai do të fillohet me lëvizjen e lirë, me sistemin e policisë dhe do të vazhdohet me sistemin e drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se plani për zbatimin e marrëveshjes së arritur, në mes të Kosovës dhe Serbisë, është i qartë, i detajuar dhe se do të respektohet në tërësi. “Gjithçka është e qartë në dokumentin tonë për planin e zbatimit. Me rëndësi është që edhe Serbia e ka pranuar më në fund dhe e ka zyrtarizuar këtë pranim. Gjithçka është e qartë për periudhat kohore, plani është publikuar dhe akterët implementues. Unë sot dhe dje kam pasur takime me KFOR-in dhe EULEX-in dhe do të fillohet me lëvizjen e lirë, me sistemin e policisë dhe do të vazhdohet me sistemin e drejtësisë. Përgatitjet për zgjedhjet e lira dhe natyrisht dhe zgjedhjet e lira, që do të organizohen në vjeshtën e këtij viti. Plani është i qartë, është i detajuar është publik dhe do ta respektojmë në tërësi. Por është dhe një vendim inkurajues dhe nga Serbia, që pas aprovimit nga Qeveria e Kosovës, është aprovuar dhe nga ata”, ka theksuar Thaçi.

Por kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka thënë se ende nuk janë të informuar se si do të bëhet zbatimi i marrëveshjes. Ai pas mbledhjes së kryesisë ka deklaruar se potencon se çdo marrëveshje që ka karakter ndërshtetëror, duhet të miratohet në Kuvend. “Çështjet janë të përcaktuara me ligj, çdo marrëveshje e karakterit ndërshtetëror dhe ndërkombëtar e miraton Kuvendi i Republikës së Kosovës, marrëveshje tjera nuk miratohen në Kuvend. Ne ende nuk e kemi marrë dokumentin zyrtarë mbi bazën e të cilit do të mund të jepnim qëndrimet dhe mendimet tona” ka thënë Krasniqi. Ndërkohë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se qeveria po merr vendime vet dhe kuvendin dhe ligjvënësit dhe kuvendi si institucioni më i lartë po anashkalohet. Por deklarimeve të Konjufcës iu kundërvë menjëherë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci i cili tha se me këtë marrëveshje është garantuar tërësia territoriale./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›