Shpëtimi i arinjëve në Kosovë, lajm për disa media të huaja

Lajmi për misionin e shpëtimit të arinjëve të murrmë nga restoranat dhe minikopshtet e Kosovës është shpërndarë në dhjetëra media botërore. Pas shpëtimit të parë të ariut të murrmë, Kasandra, nga një restoran në Prizren, shumë media të huaja dhe vendore shprehën interesimin për të përcjellur aksionin e dytë të shpëtimit.Agjensionet e lajmeve, si Associated Press, Reuters, Kurier (Austri), Blick (Zvicër), e shumë të tjera për dy ditë përcollën misionin e shpëtimit të arinjëve të ndërmarrë nga fondacioni ndërkombëtar “Katër Putrat”.
Edhe pse me shumë vështirësi dhe kundërshtime nga pronari i mëparshëm, arinjtë e murrmë, Ari dhe Arina, u morën dhe u transportuan në strehimoren afër fshatit Mramor, në Prishtinë. Deri në fund të vitit, Kasandrës, Arit dhe Arinës do t’u bashkohen edhe 12 arinjë të tjerë, që momentalisht janë të internuara në restorane dhe minikopshte në Kosovë. Ariu i murrmë është specie e mbrojtur e Kosovës, ndërsa mbajtja, internimi, shitja dhe blerja janë të kundërligjshme dhe të dënueshme me ligj./Indeksonline/