Xhemi drejt Londrës

Një nga vajzat më të bukura shqiptare që e ka nisur karrierën e saj me baletin e prezantimin, duket se e ka ndarë mendjen për të kryer studime jashtë shtetit. Kjo është një nismë e vetë Xhemi Shehut për t’i kthyer sytë nga Perëndimi, me dëshirën për të marrë një kulturë tjetër. Dhe destinacioni ku ajo ka zgjedhur të ndalojë është kryeqyteti i Anglisë, Londra. Shpesh Xhemin e kanë tërhequr eksperiencat përtej kufijve shqiptarë, siç ishte edhe qëndrimi disamujor në Itali, ku u përfol se bukuroshja shqiptare do të bënte një audicion, për të marrë pjesë në një nga emisionet më të famshëm në ekranet italiane. Urojmë që këtë herë të jetë e vendosur për atë çka e pret në Londër, për t’u kthyer sërish në ekranet shqiptare me një projekt që ajo do e rinisë së shpejti.
Irma dhe Eranda Libohova
Motra për kokë!
Kohët e fundit ato po shfaqen bashkë më shumë se kurdoherë tjetër. Dy këngëtaret e njohura, Irma dhe Eranda Libohova, kanë shpesh ftesa dyshe për të kënduar në skenat shqiptare. Më i fundit ishte koncerti i organizuar në kodrat e Liqenit Artificial ditën e djeshme, ku dy motrat këngëtare kanë përcjellë para publikut të mbledhur aty hitet e tyre më të suksesshme. Pas kësaj mbrëmjeje, të tjerë koncerte interesante i presin Irmën dhe Erandën, ku sërish ato do të shfaqen bashkë, duke përforcuar edhe më tepër idenë se ato të dyja janë vërtet “motra për kokë”.
Albërie Hadërgjonaj
Ndez fansat e saj
Këngëtarja e suksesshme, Albërie Hadërgjonaj, e cila kohët e fundit është vënë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të ndarjes dhe ribashkimit me bashkëshortin e saj, Mentorin, ka sjellë më në fund një këngë të re, shoqëruar nga një videoklip interesant. “E ndezim pak”, titullohet hiti që këngëtarja e ka sjellë në bashkëpunim me reperin kosovar Don Pizhi. Në një stil të gjetur dhe me një performancë që e tregon atë si një vajzë 20-vjeçare, Albëria ka sjellë për të gjithë fansat e saj videoklipin e radhës, të cilin ajo ka menduar ta promovojë jo vetëm këtu në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Vetë këngëtarja shpreson që me këngën e saj të ndezë sadopak shijet e fansave të saj.
Zajmina
Pushime në Turqi
Ka lënë për pak ditë impenjimet muzikore dhe ka menduar që t’i kushtohet tërësisht vetes së saj. Këngëtarja seksi, Zajmina Vasjari, prej disa ditësh ndodhet në plazhet e Turqisë me disa mikesha të sajat, ku si gjithnjë pjesë e pandarë e grupit është edhe Beliola, motra e Zajit. Duket se këto nuk do të jenë pushimet e vetme verore të këngëtares, sepse pas tyre ajo do të merret seriozisht me videoklipin e ri, që do të lançojë gjatë verës, ndërsa më pas do të niset sërish me pushime jashtë Shqipërisë. “Kur shoqërohesh me persona që të ecën muhabeti dhe kur zgjedh vendin e duhur për pushime, jam e bindur që kalohet shumë mirë. Vitet e fundit kam filluar të braktis pushimet brenda vendit, përveç pishinave private. Janë të mbipopulluara dhe nuk ka vend për privatësi”, është shprehur Zajmina.