Të rinjtë e klonuar, ose OMGJ të partiake!
Nga Luan Kurti
Teksa shfletoja gazetën Panorama të disa ditëve më parë më tërhoqi vëmendjen një shkrim i zotit Lubonja, me titull Sundimi i ligjit dhe sundimi nëpërmjet ligjit, ku autori me një analizë perfekte evidentonte faktin se fituesit e radhës, pushtetmbajtësit të majtë apo të djathtë qofshin, më shumë ishin kujdesur të sundonin nëpërmjet ligjit se sa të zbatonin ligjin, duke krijuar një shtet monopolist në kuptimin më të gjerë të fjalës, për një grusht politikanësh, apo pasonjësish të tyre, diskriminues dhe shpresabjerrës për qytetarët. Në një pikë të analizës zoti Lubonja përtej konstatimit, dëshpërimit të sinqertë për situatën kaotike, deklaronte ose i bënte thirrje ndërgjegjes, vetëdijes së pjesës më të shëndoshë të politikës dhe kryesisht të rinjve brenda saj, të çliruar nga gjynahet ose trashëgimia e së kaluarës që të bëheshin nismëtar apo iniciator të një fryme, lëvizjeje të re në sensin e duhur. Kjo përputhet ose është në një frekuencë edhe me artikulimin apo thirrjen e ambasadorit amerikan Arvizu Vepro tani, e cila pati jehonë dhe u pasqyrua gjerësisht në media…
Nuk është se dua të kontestoj zotin Lubonja, gjykimi i tij është koherent dhe racional, por jam skeptik në lidhje me shpresat, besimin e tij tek këta të paimplikuar brenda kampeve politike. Pluralizmi shqiptar ka qenë që në thelb i deformuar dhe ditë pas dite është bërë më i sofistikuar, duke krijuar modelin e pandëshkueshmërisë, pavarësisht nga shkalla e lartë e korrupsionit, e abuzimit me detyrën apo me ligjin; ka aplikuar një sjellje apo qëndrim me dy standarde. Si antishtetar je super i mbrojtur, i imunizuar kur i bindesh dhe i bën hosana liderit; kur bëhesh veshi, mburoja dhe kamikazi i tij i sulmit mbi kundërshtarët, kudo qofshin, brenda apo jashtë godinës; jo vetëm nuk procedohesh, burgosesh, por edhe gradohesh; ose në të kundërt nëse shpreh mosmiratimin për veprimet, qëndrimet e tij dhe kërkon të ruash një minimum dinjiteti, do baltosesh, përjashtohesh, persekutohesh, do të mbyllen të gjitha hapësirat, do të sulen taboret e jeniçerëve më të gjitha llojet e armatimit, të intrigave dhe të shpifjeve duke ta bërë jetën të padurueshme, një ferr të vërtetë. Ky model i së keqes nuk ka molepsur vetëm politikën, por është përcjellë deri poshtë në çdo hallkë, në çdo qelizë dhe shtresë të shoqërisë tonë. Sot fatkeqësisht aspak nuk përbën turp, por është kthyer në normë, çdo formë sjellje dhe veprimi të kundraligjshëm, që shpie drejt realizimit të qëllimit, suksesit, pasurimit të shpejtë dhe sigurimit të një pozite shoqërore të privilegjuar. Në terminologjinë e re populiste dhe jo vetëm, të këtyre 22 viteve tranzicion, individët e tillë cilësohen të zotët njerëz që sua ha qeni shkopin, me vizion; madje krijojnë mite dhe nevojë për imitim. Sot është e vështirë që ti thuash fëmijës tënd se duhet të sillesh kështu dhe ashtu, të përpiqesh ti mbash leksione mbi të drejtën dhe moralin, ti rrënjosësh idenë, konceptet për të mësuarit dhe punën e ndershme që kërkon shumë sakrifica dhe djersë dhe që do ta bënin domosdoshmërisht një njeri të vlerësuar, të përkrahur nga të gjithë; pasi shembulli i një politikani të korruptuar apo i një trafikanti që jeton në vila, dhe kapardiset me makinë lluksoze, që i shpie fëmijët (dhe pse jo të talentuar) në shkollat më të mira në perëndim, për të cilin fjala mos dhe nuk mundet nuk ekziston; ta djeg përfare ose ta bën kartën nul.
Kriza e identitetit, e humbjes së sensit të masës dhe arsyes është më e rënda që po kalon sot shoqëria shqiptare Por për tu kthyer tek argumenti, tek shpresa se ka një grup politikanësh dhe të rinjsh të pastër, të paimplikuar, që mund dhe duhet të bëjnë diferencën, ndryshimin, të bëhen bartës të një mentaliteti apo promotor të progresit dhe zhvillimit sipas kritereve dhe standardeve europianizuese, perëndimore Sipas konceptit tim, të shprehur edhe më herët, për gjithçka ka ndodhur në këto vite nuk është vetëm faji i liderëve, i një individi apo i një grupi të caktuar, por i gjithë klasës politike aktuale. Dikush është zhytur në korrupsion, ka abuzuar në tendera, ka siguruar benefice pafund duke shfrytëzuar postin shtetëror, kurse ca të tjerë kanë heshtur kur është dashur të flasin (madje edhe për ngjarje dhe skandale tepër të rënda), kanë dremitur në fund të sallës, kanë tundur kokat në sintoni me kryetarin, kanë ngritur kartonin dhe kanë duartrokitur dhe kur është shkelur rëndë kushtetuta, vetëm dhe vetëm për të qenë sërish deputet në listën pasardhëse, vetëm dhe vetëm për të marrë rrogat e majme dhe për të mbledhur thërrimet nga sofra e pushtetit të rradhës. Aspak nuk dua me këtë të rrafshoj fajin, të vë shkallë barazimi midis të dy kategorive, por të theksoj faktin se janë njësoj të pabesueshëm Përsa u përket të rinjve, të paktën atyre më tipikëve që na janë shfaqur në media dhe ekrane jo rrallë herë në këto kohë, vihet re se janë po kaq cinik, po kaq konfliktual, po kaq me cene dhe vese të mbrapshta sa të vjetrit, madje paraqiten shpesh më të avancuar.
Ata kanë kuptuar që në krye të herës, se çelësi i suksesit është ti bindesh, të tërheqësh vëmendjen e kryetarit, të adaptosh sjelljet dhe qëndrimet e tij, pa pyetur për nevojat, apo sensibilitetet e publikut. Këtu nuk bëjnë dallim, të rinjtë e shkolluar në fakultetet tona apo në perëndim, me diploma të rregullta apo fallso; është thjeshtë çështje inteligjence dhe shpejtësie adaptimi me sistemin. Përgjithësisht ata nuk janë frut i një gare, i një konkurrence vlerash, i vetëdijesimit intelektual që priret nga idealet, por i një skeme të mirëkontrolluar, i një liste që sdihet ku dhe nga kush është hartuar; është skenari i elitave të reja të klonuara, i OMGJ ve politike që do tentojnë të mbushin barkun dhe të shuajnë urinë e publikut në ditët, muajt dhe vitet në vazhdim dhe të krijojnë iluzionin e një të ardhmeje më fatlume Nuk di nëse ata mund të bëjnë ndonjë hop cilësor, të purifikohen nga ndotja që u ka zënë frymën, apo të kalojnë ylberin dhe të bëhen luftëtarë të së nesërmes.
Performanca e deritashme nuk ma ka lënë këtë ndjesiMegjithatë shpresoj të jem i gabuar!…Nëse do më pyesnit se ku i kam varur unë shpresat, do tu thoja se kam kohë që e mendoj, por ende nuk e kam një përgjigje. Por bindja ime e thellë është se këtij vendi nuk i mungojnë kapacitetet, talentet, njerëzit idealist dhe me vizion, por hë për hë ata janë jashtë politikës, në minorancë dhe të veçuar, peng të një sistemi të mbyllur që të dekurajon dhe të shterpëzon që në embrion. Mbase gjërat kanë nevojë jo vetëm për kohën e ngjizjes por edhe të maturimit dhe përkundër gjithë skepticizmit, frikërave tona, ndryshimet do të ndodhin